Kandidatja Blerina Gjylameti, ka reaguar me një mesazh falënderues dhe reflektues përmes një postimi në rrjetet sociale. Në mesazhin e saj në Facebook, Gjylameti u shpreh mirënjohëse për 6148 votuesit që i besuan, duke i cilësuar ata si “zemra” që ndërtuan një përvojë të vlefshme dhe një fitore të një lloji tjetër.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, familjarë dhe mbështetës të mi në garën e 11 majit,
Kam një përqafim të madh për secilin prej jush dhe s’jeni pak, 6148 zemra! Të gjithë ju që më besuat gjënë më të çmuar që një qytetar ka: votën. Kudo që ishit në Njësinë 4, në të gjithë qarkun e Tiranës, dhe mbi të gjitha ju që votuat nga diaspora dua t’ju them faleminderit.
Çdo votë, çdo shprehje besimi, është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë. Në këtë garë nuk ka humbës ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër. Të gjithë kemi fituar vazhdimësinë në rrugën drejt së ardhmes europiane. Unë personalisht kam fituar zemrat tuaja, respektin tuaj, mbështetjen tuaj, dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse.
11 maji për mua ishte një fitore e një lloji tjetër: një përvojë e vlefshme, një garë sfiduese dhe një rezultat që më mbush me krenari. Faleminderit secilit prej jush. Faleminderit ekipit tim të palodhur, familjes sime të duruar, dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, për besimin dhe përkrahjen.
Sidomos në këto ditë të lodhshme e sfiduese, të mbushura me emocione, ne më mirë se kushdo tjetër e kuptojmë sa e vështirë është të mbash bashkë një familje të madhe si Partia Socialiste. Beteja jonë vazhdon. Për angazhimet që kjo forcë politike ka marrë. Ne nuk bëjmë luftëra të vogla ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për vetët tona.
Mirënjohëse.
Këto zgjedhje, kjo garë, më kanë dhënë vetëdijen e plotë pse jam në politikë, pse në PS, dhe bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik.
Zgjedhjet mbaruan.
Sovrani foli.
Politika për njerëzit vazhdon.
/e.t