Kulla e Daulleve Fengyan e ndërtuar në vitin 1375 dhe që përdoret për të njoftuar fillimin e ceremonive dhe kohën e ditës është një nga kullat më të mëdha të tilla në Kinë, sipas mediave shtetërore
Kulla është një atraksion i madh turistik në provincën Anhui, e cila është rreth 200 milje larg Pekinit, kryeqytetit të Kinës.
Por të hënën, qetësia përreth vendit u prish ndërsa qindra tjegulla filluan të rrëshqisnin nga çatia dhe të rrëzoheshin në tokë, duke ngritur një re të madhe pluhuri.
“Rënia e pllakave zgjati një ose dy minuta”, tha një dëshmitar okular për Yangcheng Evening News, një gazetë e kontrolluar nga shteti.
Një dëshmitar tjetër përshkroi se si dëgjoi zhurmën e fortë të një pllake që binte pas tjetrës nga një dyqan në hyrje të Kullës së Daulleve.
“Nuk kishte askënd në shesh dhe askush nuk u lëndua”, i tha ai medias shtetërore The Beijing News .
“Nëse do të ndodhte pak më vonë, do të kishte shumë fëmijë duke luajtur (pranë kullës) pas darkës.”
Zyra lokale e kulturës dhe turizmit tha se nuk ishte raportuar për viktima dhe se “situata është nën hetim”.
Shembja ndodhi vetëm një vit pasi kulla u rinovua pas dëmtimeve të vogla në çati.
Megjithatë, ndërtesa përbëhet nga dy pjesë: baza origjinale e kullës së epokës Ming dhe kulla sipër saj. Dëmtimet kryesisht i janë shkaktuar kësaj të fundit, e cila u rindërtua në vitin 1995, thonë zyrtarët vendas .
Qarku Fengyang është i famshëm për historinë dhe kulturën e tij dhe ishte qyteti i lindjes i Zhu Yuanzhang (Perandorit Hongwu), themeluesit të dinastisë Ming.
Ai mbikëqyri një epokë të begatë të nxitur nga tregtia e fortë ndërkombëtare dhe një popullsi në rritje.
Gjatë kësaj kohe, Kina zëvendësoi monedhën e saj tradicionale të argjendit dhe arit me para letre./E.T/CNN