Disa persona në Holandë raportuan se ndiheshin të marramendur dhe të sëmurë pasi hëngrën nga një pako Haribo Happy Cola F!ZZ. Autoritetet raportuan se janë zbuluar gjurmë të drogës brenda tyre teksa ende nuk dihet sesi lënda narkotike mund të jetë futur në këto ëmbëlsira.
Një zëdhënës i policisë tha se rasti po hetohet dhe se pakot në fjalë ishin produkte origjinale Haribo. Policia holandeze tha në një deklaratë se një çift nga rajoni Twente në lindje të vendit kishte sjellë një pako me karamele në formë shisheje kola në stacionin e tyre lokal të policisë, pasi fëmijët e tyre të vegjël ishin “sëmurur mjaft” pasi i kishin ngrënë. Testet mjeko-ligjore përcaktuan praninë e kanabisit.
Patrick Tax, zv.president i marketingut në Haribo, tha se tërheqja e produkteve kishte të bënte me një numër të kufizuar rastesh në lindje të vendit. Sipas tij siguria e konsumatorëve është përparësia e tyre dhe se Haribo e merr këtë incident shumë seriozisht.
“Kjo është një çështje aktuale dhe ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet holandeze për të mbështetur hetimin e tyre dhe për të vërtetuar faktet”, tha Tax.
Në vitin 2023, gjashtë fëmijë të moshës midis katër dhe 14 vjeç u sëmurën në Hagë pasi hëngrën karamele që përmbanin THC, një nga përbërësit aktivë të kanabisit, por ëmbëlsirat në fjalë nuk ishin produkte të rregullta komerciale.
Policia tha se kontrabandistët e drogës po përdorin gjithnjë e më shumë ëmbëlsirat e fëmijëve si mbulesë dhe përmendi disa shembuj të bandave që injektonin THC në karamele. Kopje të karameleve të njohura të Haribo që përmbajnë THC mund të gjenden edhe në internet./e.t