Me afrimin e sesionit të ri parlamentar në shtator, panorama politike shqiptare duket se do të jetë më pak dinamike se zakonisht. Partia Socialiste do të ketë dominim absolut në Parlament, duke i dhënë vetes një avantazh të madh në vendimmarrje. Kjo përqindje e madhe e mandateve nga PS-ja ndoshta do të çojë në një mungesë sfidash serioze dhe debatet do të jenë më të njëanshme dhe më pak të gjalla.
Deputetët e listave të mbyllura të PD-së, një opozitë me zë të heshtur
Nga ana tjetër, opozita e përfaqësuar kryesisht nga Partia Demokratike dhe lista e saj e mbyllur, që i referohet modelit berishist, pritet të ketë deputetë që do të kenë një rol shumë të kufizuar. PD ka thjesht 50 karrige pa zë, duke pritur një urdhër nga Berisha. Kjo situatë pritet të dobësojë edhe më shumë efektin opozitar në Parlament.
Partitë e reja fituan pak mandate dhe kanë ndikim të kufizuar
Partitë e reja, të cilat hyjnë me një shpresë për ndryshim dhe përfaqësim të freskët, kanë fituar shumë pak mandate. Kjo limiton ndjeshëm mundësinë e tyre për të pasur një ndikim real në procesin ligjvënës dhe në krijimin e debatit politik. Për më tepër, mungesa e koalicioneve me njëra-tjetrën apo bashkëpunimeve të forta me forca më të mëdha i vendos ata në pozicione të dobëta.
Një Parlament pa lëvizje dhe pa energji politike
Në total, parlamenti që do të nisë punën në shtator pritet të jetë një trup i rënduar nga dominimi i një force të vetme dhe mungesa e një opozite aktive dhe të fuqishme. Kjo do të përkthehet në një mjedis politik pa shumë lëvizje, ku legjislacioni do të kalojë më shumë si formalitet sesa si një proces demokratik. Për qytetarët dhe mediat, kjo situatë do të krijojë një atmosferë të zymtë dhe të mërzitshme në skenën politike shqiptare. m.p.