Një padi e Irena Gjokës, gjyqtares së GJKKO-së ndaj Argita Malltezit (Berisha) vajzës së ish-Kryeministrit Sali Berisha, pritet të vendosë para agjentit të BKH-së kreun demokrat, i cili është thirrur me cilësinë e personit që ka dijeni lidhur me çështjen që po hetohet nga SPAK.
Berisha pritet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 10:00. Dhe paralelisht me paraqitjen e kreut demokrat në SPAK, do të jenë militantët dhe anëtarët e strukturave drejtuese të PD-së që do të shkojnë para godinës së Prokurorisë, në formë mbështetjeje për liderin e tyre.
Ata janë ‘thirrur’ në mbështetje të Berishës nga Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, i cili sa herë që kreu demokrat paraqitet në SPAK, merr rolin e organizatorit të mbështetësve jashtë godinës së Prokurorisë.
Berisha pritet të merret në pyetje nga agjenti i BKH-së, Ardit Neli, ndërsa më pas me një skenar pothuajse të njëjtë si në raste të ngjashme, kreu demokrat do t’I drejtohet me një fjalim mbështetësve. Natyrisht që sot ai shigjetat do i ketë ndaj gjyqtares Irena Gjoka, por edhe SPAK, që ka nisur hetimet pas padisë së ish-kryetares së GJKKO-së ndaj Argita Berishës.
Më konkretisht, ndaj gjyqtares Gjoka është artikuluar një akuzë për një rryshfet prej 500 mijë euro. Deklarata është bërë në 23 shtator 2024, kohë kur Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi ishin në masa sigurie, ndërsa akuza është bërë nga Argita Malltezi.
“Ajo që dihet nga të gjithë, besoj edhe nga gazetarët, gjyqtarë dhe prokurorë të SPAK, 17 veta rezultojnë në dosjen e Encrochat të përfshirë. 17 veta nga gjyqësori special, përveç të tjerëve. Pyetja që duhet të bëni është pse nuk del kjo gjë? Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka pretendohet se gjithashtu është në një video, a është e vërtetë, nuk e di, mua më thonë që është në një video të marrë nga një aparat celular i një gazetari të larguar nga Shqipëria, në të cilin ajo rezulton e filmuar duke biseduar me një ish-eksponent të Partisë Socialiste duke negociuar për tarifën që i kërkon prej 500 mijë euro për të mos e futur në grup të strukturuar kriminal. Duhet të na thotë SPAK nëse është apo jo e vërtetë kjo”, ishte deklarata e vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Referuar kësaj deklarate, Gjoka i është drejtuar SPAK-ut, i cili ka nisur procedimin penal 193/2024./E.T