Nga Leonard Veizi
Kur dëgjova paralajmërimin e prerë të kryeministrit Rama se do të nisë sekuestrimi i të gjitha produkteve të qumështit dhe bulmetit që tregtohen pa faturë, m’u kujtua Xhezua. Hë ore Xhezua i romanit “Përballimi”, të shkrimtarit Teodor Laço, që regjisori Viktor Gjika e ktheu në film.
Se në Shqipëri, vetëm fshatarë si Xhezua shesin qumësht pa faturë, në atë që dikur e quanin “tregun e zi” dhe sot e quajnë “ekonomi informale”.
Dikur, në kohën e kooperativave dhe të bujqësisë së “lavdishme socialiste”, fshatarit i merrej gruri si “tepricë”. Domethënë zyrtarisht thuhej se ai e dorëzonte vetë. Me dëshirë.
-Ke parë ti që tani që e dorëzuam bereqetin ndihemi më të lehtësuar, – deklaronte Shemshedini në mbledhjen informale me shokët e tjerë të fshatit.
Në fakt, fshatari i shkretë ishte i detyruar të dorëzonte djersën e ballit sipas kuotave të përcaktuara nga lart – sepse ashtu e donte “plani dyvjeçar që do t’i sillte begatinë vendit”.
– Hiqeni atë parrullë! Eh sa punë duhet që të vijë begatia e vendit!, – udhëzonte sekretar Martini, me një zë të thatë e një çantë komisari hedhur supit.
Nuk kishte rëndësi nëse fshatarit i mbetej bukë për fëmijët. Llogarinë e bënte ai. Por tepricat duheshin dorëzuar për “atdheun”. Se, sipas logjikës së partisë, po pate tepricë, do të thotë se ke zënë rehat. Dhe kush është rehat, vë dhjamë. Dhe kush vë dhjamë, është kulak.
– A s’të tha sekretari se kulakët nuk kanë brirë?
-A s’të tha se ka fshatarë që kanë filluar të vënë dhjamë përditë?
-A nuk je ti një nga ata fshatarë që ke vënë dhjamë?
Këto i thoshte Nazifi, i shpallur kulak pa triska, Xhezos, një fshatar i mesëm, që shiste grurin në tregun e zi te pazari i Korçës me 120… asnjë centim më pak. Ose e ndërronte me ndonjë palë “çizme të afendikoit”.
Sot, në një tjetër regjim, po të njëjtit fshatar i vendoset tatim mbi bidonat e qumështit që shet për të kapur ndonjë lek e për të paguar dritat dhe ujin që ia faturon shteti. Jo më për kooperativën, por për të mbushur arkën e shtetit.
Sepse, sipas vendimit të fundit të qeverisë, edhe një grua që zbret nga mali me bidonët e saj për të shitur qumësht të freskët në qytet, konsiderohet “aktivitet ekonomik i paregjistruar”.
-Kujt kujton se po ia shket ti?
Fshatari, që dikur shpallej kulak pse kishte dy dele më shumë se të tjerët, sot shpallet evazor fiskal sepse guxon të mos lëshojë kupon tatimor për një bidon qumështi. Ironikisht, jeta e tij ka ndryshuar shumë pak, nga lufta ndaj “kulakëve” të djeshëm, te persekutimi i “prodhuesve informalë” të sotëm.
Nëse dje Sekretari i Partisë të paralajmëronte se “kulakët nuk kanë brirë, por janë më të rrezikshëm se armiqtë me armë”, sot nuk mungon zëri i zyrtarit modern që thotë: “Nuk ka zhvillim pa formalizim”.
Por në fakt, të dy flasin për të njëjtin njeri — fshatarin që zgjohet para agimit për të mjelë lopën dhe që zbret në qytet me shpresën se do të shesë pak qumësht për të blerë bukë e sheqer për fëmijët.
Ndërkaq, shteti — si atëherë, edhe sot — është aty: për të matur, për të regjistruar, për të numëruar.
Aty ku duhet ndihmë, ai sjell burokraci. Aty ku duhet mbështetje, vendos një taksë.
Ja kështu, filmi “Përballimi” i Kinostudios merr kuptim të ri në ditët tona.
Dikur, aty fshatari përballej me padrejtësinë e kolektivizimit të detyruar.
Sot, përballimi është tjetër — i heshtur, i zymtë dhe pa kamera.
Sepse dhuna nuk vishet më me çizme, por me vendime të Këshillit të Ministrave. Dhe të gjithë e pranojnë si “normalitet fiskal”.
Ndërkohë, për ministrat dhe burokratët e kafesë në Tiranë, bidoni i qumështit duket si mall luksi.
Por për fshatarin që zbret e ngjitet malit çdo mëngjes, ai është mjeti i fundit për të qëndruar në vendlindje.
Dhe, për çudi, përsëri ai bëhet armik i klasës — këtë herë, jo për grurin, por për qumështin.