Dikur thuhej se nëse largohet nga politika Fatos Nano dhe Sali Berisha, Shqipëria do binte në qetësi. Por edhe me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën politika në Shqipëri është dhe vazhdon të jetë në krizë. Këtë fenomen e analizoi filozofi dhe profesori Përparim Kabo në emisionin HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU.
-Ne kemi dy liderë të brezit të dytë. Edi Rama dhe Lulzim Basha që kanë zëvendësuar Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Si ka mundësi që kemi të njëjtat fenomene, të njëjtën mënyrë sjellje, të njëjtin autoritarizëm. Ne thoshim: Të ikë Nano dhe Berisha dhe do shpëtojë Shqipëria. Në fakt, Shqipëria nuk shpëtoi.
-Ishte gabim i rëndë ajo që thoshim ne ashtu. Sepse ne e lidhim zhvillimin e vendit me individin. Kjo është antropologjia feudale. Turma dhe prijësi. Ne duhet të thoshim: Të ndërtohet autoriteti i institucioneve. Ja të bëjmë një analizë bashkë anatomike. Cilat janë autoritetet prezente në realitetin vendimmarrës shqiptar? Nuk është autoriteti i ligjit. Nuk është autoriteti i institucioneve. Nuk është autoriteti i ndërgjegjies demokratike. Ligji është kthyer në një autoritet absurd. Nëse një mjek gabon, dhe shkel ligjin shkon në burg. Nëse një ushtarak gabon dhe shkel ligjin, shkon në burg. Nëse një jurist gabon dhe shkel ligjin, nuk shkon në burg. Ja pra, që autoriteti i ligjit nuk është në interes të shoqërisë. Ata të parët shkojnë në burg, këta nuk kanë shkuar akoma në burg. Kur të shkojnë këta në burg, atëherë fillon rënia e autoritarizmit./Fjala.al/Ke.Ba
https://www.youtube.com/watch?v=YUZm6slQD0Y