Primo Shllaku komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit dhe shprehet se regjimi komunist shqiptar shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Me Primo Shllakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
PSE SOT DEBATI MBI FIGURËN E CAMAJT DHE KOLIQIT? Koha e hapjes së këtij debati mbetet edhe ajo për t’u diskutue dhe për t’u hamendësue sepse metodat e plasjes së skandaleve politike të bujshme kanë qenë veçanti e kulturës “bizantine” të socializmit real shqiptar. Pra gjendej një kohë kur njerëzit e kishin mendjen tek pushimet dhe impakti do të ishte ma i vogël dhe qëllimtarët do ta kalonin ma me pak kosto “klasën”. Asht shum e vështirë të thuhet me saktësi nëse kjo kohë pa kohë e plasjes së kësaj shashke tymçe ishte nji përpjekje për matje pulsi, nji “paradhanie” për nji veprim të akademisë, apo edhe ndoshta nji “tekë” e nji njeriu që merret me arkiva sepse e ka hobby dhe i pëlqen të gjendet në mesin e fërkimeve ma të ashpra dhe të një shitstorm-i tue dëshmue edhe njifarë prirjeje të kjartë prej mazokisti. Mohimi i qëllimeve të mirëfillta studimore dhe hjedhja e temës me interpretime dhe aksiologji shpesh të pabaza dhe të paplota për të ndërtue silogjizma solide, na ka lanë të gjithëve para nji pyetje që nuk na detyron ta amnistojmë këtë hapës së kutisë së Pandorës me argumenta naivë dhe përbuzës e mospërfillës. Lidhja me një anëtar të ri të Akademisë shqiptare, e cila i mundësoi botimin tek faqja e tij “Peizazhe të fjalës” dhe pastaj replika ime e shpejtë dhe kërkimi i skjarimeve tek Akademia, më duket se i bashkuan pikat e daljeve dhe na dhanë një drejtëz që nuk premton kohë të kthjellët. PSE SULMOHEN DHE BALTOSEN KUNDËRSHTARËT E REGJIMIT KOMUNIST? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT? Unë nuk mendoj se asht baltosje. Baltosja asht diçka që të len gjallë dhe ti edhe mund të lahesh. Goditja ka qenë nën bel dhe asgjasuese. Tue u nisë nga ndjeshmënitë e tradicionale të alergjisë që në shoqninë shqiptare ngjall fjala “spiun”, raportet e Auron Tares kanë qenë asgjasuese në qëllimin e tyne final. Fjala “spiun” në nji mjedis të mbushun me “spiunë” të të gjithë llojeve e të të gjithë kohnave, për paradoks asht e mbetet sot e gjithë ditën nji sinonim i pushkatimit moral, por edhe fizik. Prsonalisht më duket se dikujt ose disave, mbase edhe ndonjë institucioni, i interesonte që dikush, ashtu “si për lojë” të hidhte një gur në ujë dhe aty të shkaktohej një cunami me Koliqin e Camajn si viktima të sigurta. Meqë ne shqiptarët kemi adoptue në vendin tonë prej plot 30 vjetësh një sistem demokratik të tipit europian liberal, në pikëpamje të pozicionimit ideologjik si fashizmi ashtu edhe komunizmi shihen si ekstreme që edhe empirikisht kanë tregue se janë kundër lirisë, kundër të drejtave të njeriut, pro konflikteve dhe luftës si mjet për zgjidhjen e kontradiktave etj. Pra që të dy ato skaje sollën ndër ne regjime që populli i damkos me shprehjen “mos ardhshin ma”. Pra nga pozitat e realiteteve juridike, ligjore e morale na dënojmë të gjitha praktikat e këtynë dy përvojave që shoqnia shqiptare i kaloi mbi kurriz. Po të ishte i frymëzuem demokratikisht hapësi shqiptar i kutisë së Pandorës mendoj se kjo do të ndodhte në nji paketë me të gjithë ata shkrimtarë dhe njerëz të formimit shpirtnor që kanë lanë gjurmë në të dy regjimet. Marrja vetëm me këta të dy e sidomos me Camajn që ka mbi kurriz nji Klavar mbijetese në tre katër vende ku jetoi si mërgimtar, mendoj se ka erë shqetësimesh që vijnë mbas njilloj tronditje e trandjeje hierarkish, kur ardhja e të dyve mbas nji heshtje që i bante ata të paqenë, por edhe mbaj nji fundosjeje tektonike të produktit letrar zyrtar që njifet si “letërsi e realizmit socialit”, provokoi nji bum kureshtjeje dhe mahnitjeje para vetë imanencës së veprës së tyne. ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE? Në vitet ’30 na duket se letërsia shiptare doli nga angazhimi i saj etnocentrik dhe po orientohej drejt letërsisë bashkëkohore europiane. Me Migjenin si i shenjuem prej ekspresionizmit dhe estetikave të tij, bahet bashkë edhe Koliqi e pak ma vonë edhe Kuteli që përdorën me sukses teknikat psikanalitike në shestimet e tyne letrare dhe në zbërthimin e personazheve të tyne. Kjo metodë avangardiste e Europës së atëhershme përdorej gjërësisht nga Cvajgu, Andre Zhidi, Strindbergu, Pirandelo etj. Pra na duket se lajmi i mirë ishte se në atë periudhe letrat shqipe e braktisën romantizmin anakronik që lidhej me vonesat e zhvillimeve tona kombëtare dhe shtetnore dhe letërsia e jonë po vehej për hap me letërsinë e kryesinës europiane. Kurse Camaj asht diçka tjetër. Për shkakun se ai u zhvillue si letrar mbas fillimit të viteve ’50, arti poetik dhe letrar në përgjithësi asht edhe ma i avancuem. Poezia e tij asht nji poezi esencialiste dhe në dukje mjaft e ngjashme me hermetizmin italian. Por unë nuk mendoj se ajo asht hermetike në kuptimin e hermetizmit italian. Ndoshta teknikat i ka, por ajo mbetet nji poezi e qenies njerëzore dhe shoqnore në rrethana të zakonshme dhe kritike. Pra tek Camaj kemi të bajmë pothuejse kudo me të zakonshmen kritike, gja që i jep asaj nji ngarkesë të madhe emocionale dhe kudo zbulon magjinë e thanies përgjysëm të vegimeve dhe të depozitave të kujtesës. Shuemja e kujtesës tek Camaj dhe përpjekja për ta rigjallnue e për ta konservue atë përmes aktit letrar estetik, i jep poetit pamjen e trishtë të nji vorri të pazakontë ku vorroset kujtesa e vendlindjes, përkatësisht e atdheut. Poezia e tij asht kriza e madhe ekzistenciale e tij me nanën e vet dhe ma vonë me mëmëdheun e vet. Në hapësirën midis këtyne dy elementave homogjenë ndehet pjesa ma delikate dhe ma artprodhuese e ekzistencës së tij. A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË? Asnji hapje arkivash dhe asnji dalje në dritë e të vërtetave nuk e damton shoqninë. Shoqnia jonë ka marrë me vete dhe mbi vete të gjithë barrën e mëkatit që u prodhue nga regjimi komunist. Ka mendime që thonë se asnji pushtue i huej nuk do t’ia bante nji populli tjetër atë që i bani komunizmi shqiptar shoqnisë së tij. Në planin moral – sepse ai na ka mbetë me diskutue tashti – regjimi komunist shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Ai synoi dhe në nji masë të madhe ia arriti që të moralisht të mos lente njeri në kambë. Na kemi nevojë për nji filozofi të re kombëtare që ta shëndoshë atmosferën mbi bazën e nji ngritjeje substanciale të mirëqenies dhe forcimit të pavarësisë së individit. Na kemi nevojë t’i çojmë ma larg kufijtë pranimit shoqnor e qytetar dhe jo të bajmë operacione selektive që synojnë zgjatjen sa të jetë e mundun të raporteve hegjemioniste, të cilat pengojnë dhe sabotojnë kthimin e ekuilibrave mbrendakombëtarë. Mitet janë aty për t’u sulmue dhe substancat e forta janë prapë aty për t’u qëndrue sulmeve. Por unë nuk mendoj se Koliqi e Camaj patën kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të arritë në nivele mitesh. Ata nuk i mitizoi askush. Madje u futën gati-gati si fshehtazi ne fushën e vëmendjes së lexuesit shqiptar, nuk patën asnji ceremonial ardhjeje e nuk gjetën asnji horizont pritjeje. Ata erdhën si “të rinj” gati-gati si autorë që po shfaqeshin në premierë, në nji kohë që kishin ma se katër herë dhjetëvjeçarë si debutim letrar. Pra mahnitjen dhe admirimin e fituem me anë të tekstit e të mos e marrim si mitifikim. Katër pesë libra janë shkrue për Camajn, po aq edhe për Koliqin. Mitifikue janë Kadareja, Agolli, Arapi etj, por miti i tyne natyral i ngritun nga aparati shtetnor i shtetit komunist ra bashkë me konsideratat e tij për veten. Këtë fat e pësuen edhe emnat e masipërm të cilët pritet vërtet të çmitizohen, të reduktohen në vlerat e tynë esenciale pa asnji atribut mesianik ose teokratik të tyne. Akademia e Shkencave duhet t’u prijë punëve shkencore dhe t’i koordinojë ato me detyrën e studimit të rreptë dhe serioz. Në kushte të tilla hapja e botimi i faksimileve të Tares do të mbetej nji ngjarje që pakkush do ta merrte vesh. Por kur Akademia hesht ose jep përgjigje me tekste si letra bakalli, atëherë fenomeni Tare arrin ta shqetësojë atë pjesë të opinionit publik, i cili e shef këtë institucion në bisht të punëve, madje edhe me produkte shpesh të kontestueshme për periudha të gjata që nuk kanë sjellë asnji harmonizim me dijet që nuk prodhohen detyrimisht mbrenda mureve të Akademisë./Fjala.al/Ke.Ba