Ka munguar për mëse 4 muaj, por futbolli i madh do të rikthehet më në fund në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar. Të mërkurën, transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit duelin e turit të 16-shes, midis Interit dhe Hetafésë.
Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, rikthehet në fushën e blertë pas mëse 4 muajsh, për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi korona dhe përmbyll të mërkurën dhe të enjten turin e 16-shes. Në fakt, ky tur ka një të veçantë, pasi nga 8 çifte, 6 prej tyre i patën mbyllur ndeshjet e para dhe në mesjavë do të luajnë ndeshjet e kthimit.
Ndërkohë, dy çifte nuk arritën t’i luajnë dot as ndeshjet e para, për shkak të shpërthimit të epidemisë në Itali dhe Spanjë dhe tanimë organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, ka vendosur që fati i këtyre dy çifteve të vendoset në një takim të vetëm. Kështu, përballja midis Interit dhe Hetafesë, që do të luhet të martën, dhe Seviljes dhe Romës, që do të luhet të mërkurën, do të diskutohen në një ndeshje të vetme, që për më tepër, do të luhet në fushë asnjëanëse, në Gjermani.
Kështu, përballja e së mërkurës, Inter-Hetafe, që luhet në Stadiumin “ArenaAufSchalke” të Gelsenkirshenit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1, duke nisur nga ora 21:00. Ndërkohë, në kanalin RTSH Sport do të vijnë drejtpërdrejtë të gjithë golat e 4 takimeve të së mërkurës, ashtu sikundër edhe të enjten, do të vijnë drejtpërdrejtë të gjithë golat e 4 çifteve të tjera.
Në çiftet e së mërkurës, Shahtjori i Donjeckut do të synojë të mbrojë në fushën e vet fitoren 2-1 të arritur në ndeshjen e parë ndaj Volfsburgut në Gjermani, ashtu sikundër do të synojë të mbrojë në fushë të huaj ndaj Kopenhagës edhe Istambul Bashakshehiri, që e fitoi minimalisht duelin e parë që luajti në shtëpi. Mançester Junajtid pritet të bëjë formalitetin në shtëpi përballë Linzer ASK-së, pasi e ka fituar thellë, 5-0, takimin e parë në Austri.
Kurse të enjten, përveç duelit të drejtpërdrejt, Sevilja-Roma, në çiftet e tjera, Bajer Leverkuseni pret Gllasgou Rejxhërs pas fitores 3-1 të arritur në ndeshjen e parë në Skoci, ashtu sikundër synon të bëjë edhe Bazeli përballë Eintrahtit të Frankfurtit, pasi e ka fituar 3-0 ndeshjen e parë në Gjermani. Në çiftin e fundit, Vulverhempton Uondërërs presin në Angli Olimpiakosin teksa ndeshja e parë midis tyre, e luajtur në Greqi është mbyllur në barazim 1-1.
/En.Br./Fjala.al