Të gjitha shkollat/ Rrezikohet nisja e vitit të ri mësimor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Viti i ri shkollor 2020-2021 i gjen të papërgatitura instancat arsimore, ende nuk ka asnjë vendim zyrtar se si do të zhvillohet mësimi, ndonëse jemi 1 muaj larg fillimit të shkollës. Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehemeti, tregon disa prej problematikave kryesore me të cilat po përballet sistemi ynë arsimor.

Sipas tij, ende nuk është marrë asnjë masë për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar se MASR-ja ia ka lënë gjithçka spontaneitetit dhe improvizimit. Eksperti ndalet te mësimi online, duke nënvizuar se kjo metodë do ta thellojë pabarazinë shoqërore në mundësitë për arsimim, si dhe do ta rrisë në mënyrë të pashmangshme numrin e analfabetëve.

Nga Ina Allkanjari 

Jo më larg se një vit më parë, të vegjlit turreshin në krahët e mësuesve me lule në dorë; adoleshentët së toku prisnin orët mësimore nëpër oborret e shkollave, ndërsa studentët, paksa të hutuar, endeshin gjithnjë në kërkim të auditorëve. Sot, gjithçka përngjan si një pjellë e imagjinatës, shumë larg reales.

Ndonëse jemi vetëm një muaj larg fillimisht të vitit shkollor 2020-2021, ende nuk dihet se si do të zhvillohet mësimi për rreth 300 mijë nxënës në mbarë vendin. Pandemia COVID-19 krijoi një realitet të ri edhe për sistemin arsimor në vend. Ministria e Arsimit ende nuk ka publikuar një vendim të prerë se si do të zhvillohen orët e mësimit, pasi gjithçka do të varet nga numri i të prekurve me koronavirus.

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, tregon disa prej problematikave kryesore me të cilat po përballet sistemi ynë arsimor. Sipas tij, MASR-ja ende nuk ka marrë asnjë masë për fillimin e vitit të ri shkollor dhe do të jetë e vështirë të besojmë se ky vit do të jetë normal për arsimin parauniversitar dhe atë të lartë në vendin tonë. Eksperti tregon se kjo problematikë aktualisht është debati më i madh në botë, por, sipas tij, MASR-ja ia ka lënë gjithçka spontaneitetit dhe improvizimit.

“MASR-ja duhet të kishte një Task-Force për këtë qëllim, duhet të konsultohej me prindërit, institucionet  e shëndetit publik, sindikatat, nxënësit, masa të cilat nuk janë marrë dhe me shumë gjasë nuk kanë për t’u marrë. Po ashtu, pushteti lokal duhet të siguronte kushte të larta higjiene për një proces sa më të qetë mësimor. Edhe bashkitë nuk kanë marrë asnjë masë në këtë drejtim”, shprehet Ndriçim Mehmeti.

Eksperti ndalet te mësimi online, duke nënvizuar se kjo metodë do të thellojë pabarazinë shoqërore në mundësitë për arsimim, si dhe do të rrisë në mënyrë të pashmangshme numrin e analfabetëve. Ndërsa thekson se vetë MASR-ja ka pranuar se janë rreth 10 mijë familje me kushte të vështira ekonomike në vend, fëmijët e të cilave nuk morën pjesë në mësimin online, për arsye ekonomike, financiare, si dhe të mungesës së internetit në shumë zona rurale në Shqipëri.

“Kjo është sifda më e madhe me të cilën vendi do të ndeshet në 10-20 vitet e ardhshme”, shprehet Mehmeti, teksa nënvizon se mësimi online kufizohet edhe nga mungesa e pajisjeve të duhura për këtë qëllim. Një tjetër problematikë që eksperti i arsimit ngre, lidhet me rikostruksionin e shkollave, ndërsa thekson se sipas ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, janë 102 shkolla për rikonstruksion dhe ndërtim nga themelet.

Mehmeti ngre pyetjen se ku do ta vijojnë mësimin nxënësit që janë pa mjedise shkollore. Në përfundim eksperti parashtron se pa marrjen e masave të mirëmenduara e në përputhje edhe me përvojat ndërkombëtare, edhe në vitin shkollor që do të fillojë, do të na shoqërojnë problematika shumë të mëdha në nxënie, në formimin e nxënësve si qytetarë, por edhe në aftësitë e tyre, për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe të dijes. 

Jemi një muaj larg fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021. Ju si ekspert, si mendoni se do të rinisë arsimi në shtator? 

Realisht jemi vetëm 20 ditë larg e, madje, më pak fillimit të vit të ri shkollor, po të kemi në konsideratë se mësuesit do të shkojnë në shkollë në datë 20 gusht, për provimet e vjeshtës, bërjen gati të mjediseve të shkollës, grafikun e shpërndarjes së teksteve etj. Dhe pikërisht këto pyetje duhet t’i bëheshin Ministrisë së Arsimit e cila, është përgjegjëse për marrjen e masave. Faktet e deritanishme tregojnë se MASR-ja nuk ka marrë asnjë masë për fillimin e vitit të ri shkollor dhe do të jetë e vështirë të besojmë se ky vit do të jetë normal për arsimin parauniversitar dhe atë të lartë në vendin tonë.

 Mendoni se Ministria e Arsimit dhe institucionet arsimore janë gati për rinisjen e vitit shkollor? 

Jo. Përkundrazi, Ministria e Arsimit po bën të pamundurën që ky vit shkollor të mos fillojë. Le të flasim konkretisht. Jo më larg se dje ministri i fatkeqësive natyrore, z. Ahmetaj, deklaroi se “Shkolla “Hasan Vogli” do ta fillojë mësimin në datën 26 nëntor”. Pra, nxënësit e asaj shkolle nga 14 shtatori deri në 26 nëntor nuk dihet se ku do të bëjnë mësim. Po ashtu, vetë ministri Ahmetaj deklaroi se “janë 102 shkolla për rikonstruksion dhe ndërtim nga themelet”. Atëherë pyetja është sa nxënës janë pa mjedise shkollore dhe ku do të shkojnë ata për të vijuar mësimin? Ministria e Arsimit, sikundër përmenda më lart, nuk një plan masash të detajuar, të cilin do të duhej ta shpallte që në muajin qershor, duke informuar prindërit, nxënësit dhe mësuesit se si do të fillonte viti i ri shkollor 2020-2021. Tani është shumë vonë dhe me gjasë, znj. Shahini do të dalë nga zyra e saj në FB, për të na njoftuar se mësimi do të vijojë online.

Lexo edhe :  Destinacionet e festave/ Zgjerohet harta e vendeve ku shqiptarët shkojnë për të festuar

A janë marrë masat e duhura organizative për mbarëvajtjen mësimore, nëse do të realizohet fizikisht? 

Nuk ka asnjë masë konkrete për mbarëvajtjen e mësimit fizikisht në klasa. Ndërkohë që në botë ky është debati më i madh në ditët që jetojmë, në të cilin është përfshirë edhe OKB-ja. Në Shqipëri duket se MASR-ja ia ka lënë gjithçka spontaneitetit dhe improvizimit. MASR-ja duhet të kishte një Task-Force për këtë qëllim, duhet të konsultohej me prindërit, institucionet  e shëndetit publik, sindikatat, nxënësit, masa të cilat nuk janë marrë dhe me shumë gjasë nuk kanë për t’u marrë. Po ashtu, pushteti lokal duhet të siguronte kushte të larta higjiene për një proces sa më të qetë mësimor. Edhe bashkitë nuk kanë marrë asnjë masë në këtë drejtim. Fakt është që kopshte të tëra janë përfshirë nga COVID-19, dhe ende nuk dihet shkalla e vërtetë e infektimit.

A është hapja e shkollave një proces i sigurt shëndetësor, për shkak të COVID-19? 

Me njohuritë dhe të panjohurat që kemi për këtë virus, nuk besoj se është dikush që mund të japë siguri absolute. Referuar përvojave të vendeve të tjera, hapja e kombinuar e shkollave dhe kontrolli i rreptë mjekësor, mbajtja e distancës fizike, higjienizmi në shkallën më të mirë, do të na jepte mundësinë të shikonim nëse kishte risk apo jo për nxënësit dhe studentët. Mirëpo kjo do të kërkonte personel të shtuar arsimor, godina të reja shkollore, si dhe angazhim në masë të personelit shëndetësor. Të gjitha këto janë të vështira të arrihen, sa kohë nuk kemi një plan masash dhe buxhetin përkatës nga qeveria dhe MASR-ja.

Nëse mësimi do të realizohet sërish online, mendoni se një pjesë e nxënësve mund të penalizohen, dhe ta kenë të pamundur ndjekjen e mësimit, për shkak të kushteve të vështira? 

Pa dyshim. MASR-ja pranoi se ishin 10 mijë të tillë, por unë mendoj se ka shumë më tepër nxënës që nuk morën pjesë në mësimin online, për arsye ekonomike, financiare, si dhe të mungesës së internetit në shumë zona rurale në Shqipëri. Mësimi online do ta thellojë pabarazinë shoqërore në mundësitë për arsimim, si dhe do të rrisë në mënyrë të pashmangshme numrin e analfabetëve. Kjo është sifda më e madhe me të cilën vendi do të ndeshet në 10-20 vitet e ardhshme. 

Sa do të munden prindërit t’i ndjekin fëmijët gjatë mësimdhënies online, a është menduar për këtë pjesë? 

Sipas një studimi në Gjermani, të publikuar ditët e fundit, në lidhje me mësimin në kohë pandemie, u arrit në përfundimin se prindërit angazhohen më shumë me fëmijët e tyre dhe se ata këmbëngulnin se shkolla duhet të hapej, pasi tensioni në shtëpi ishte rritur më shumë se në kohën para pandemisë. Prindi shqiptar e ka të vështirë të konsumojë një kohë të gjatë me fëmijët, për shkak të faktit se duhet të punojë, por edhe për arsye se në shumë raste ai nuk mund t’i ndihmojë fëmijët e tij, për shkak të arsimit të kufizuar që ka. Po ashtu, mësimi online kufizohet edhe nga mungesa e pajisjeve të duhura për këtë qëllim.  Ndërkohë mësuesve që kanë punuar me orë të tejzgjatura, për shkak të mësimdhënies online, a u është ofruar shpërblim? 

Mësuesit jo vetëm që nuk kanë marrë shpërblim, por atyre iu hoqën edhe lekët e orëve kujdestari, me pretekstin se nuk kishin bërë mësim fizik në klasë. Mjafton të marrim Kosovën si shembull, ku qeveria Kurti akordoi 150-300 euro shpërblim mbi pagën për mësuesit që do të jepnin mësim online. Në vendin tonë qeveria nuk mori masa as për reduktimin apo financimin e paketës së internetit për fëmijët në nevojë dhe mësuesit e tyre. Kjo është e papranueshme dhe tejet fyese për mësuesit, të cilët ndihen të pamotivuar.

Viti shkollor që lamë pas i largoi nxënësit nga bankat e shkollës, për shkak të tërmetit, për të vijuar më tej me pandeminë. Sa janë penalizuar nxënësit? 

Nxënësit kanë probleme të mëdha, duke filluar nga ato psiko-emocionale e deri në mangësitë që sa vijnë e shtohen në marrjen e dijeve. Akoma më i madh ky hendek bëhet për fëmijët që vijnë nga shtresat në nevojë, fëmijët me aftësi dhe nevoja ndryshe, për nxënësit e arsimit profesional, por edhe për disa kategori studentësh. Kështu që, pa marrjen e masave të mirëmenduara e në përputhje edhe me përvojat ndërkombëtare, mendoj se edhe në vitin që do të fillojë, do të na shoqërojnë problematika shumë të mëdha në nxënie, në formimin e nxënësve si qytetarë, por edhe në aftësitë e tyre, për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe të dijes./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

“Liria, besimi dhe pajtimi” – qëndrimet e serbëve dhe shqiptarëve nga veriu i Kosovës

Sandra Cvetkoviq "Liria dhe besimi". Kjo është ajo që momentalisht i mungon më së shumti Dragisha Llakiqeviqit nga fshati Kutnje, në...

Fundviti si në dasma, askush nuk flet para priftit, por në tavolinë kërcet “ahengu”

Nga Leonard Veizi Jemi mësuar që në fundvit të flasim vetëm fjalë të mira dhe të evidentojmë arritjet. Në njëfarë mënyre, po t'i dëgjosh ata...

Nga hetimi për 21 Janarin tek shkatërrimi i grupeve kriminale dhe arrestimi i deputetit

Në vitin 2024, Prokuroria e Posaçme dhe SPAK kanë vijuar hetimet dhe operacionet për korrupsion dhe krime të tjera të rënda, duke shënuar disa...

2024, viti i SPAK

Viti 2024 është perceptuar si viti i SPAK për shkak të goditjeve që ka bërë siç është arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, arrstimin e...

Lajme të tjera

Web TV