Një person i kërkuar nga drejtësia italiane, është vënë në prangat e policisë kufitare të Muriqanit.
Nga shkëmbimi në kohë reale të informacionit mes Policisë Kufitare, Interpol Tiranës dhe policisë Shkodër u vu në pranga 44-vjeçari i dënuar me 11 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Punonjësit e policisë kufitare gjatë përpunimit të dokumenteve të personave në hyrje të republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për intervistim të hollësishëm një person nga Vlora.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se Elton Isufi i njohur ndryshe edhe me emrin Mateo Meto, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili po kthehej nga Brukseli për në Vlorë, ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Shpallja e tij në kërkim është bërë pasi Gjykata e Apelit Bari, në vitin 2014 e ka dënuar me 11 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Trafikimi i armëve” parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Ndaj 44-vjeçarit materialet iu referuan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme, me qëllim ekstradimin e drejt Italisë./Bl.Ba/Fjala.al