Rregullat e reja të “41 BIS”: 24 orë në monitorim, tri vakte ushqim burgu, pa radio dhe televizor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala” zbardh urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e rregullave të reja që do të aplikohen në sistemin “41 BIS”. Ligji për futjen në izolim dhe mbajtjen nën mbikëqyrje për të mos pasur asnjë kontakt të jashtëm të krerëve të organizatave kriminale, është në fuqi prej janarit të 2019-s.

Nga Elvis Myrta

Monitorim me kamara dhe policë 24 orë, pa televizor, pa radio, tri vakte ushqim vetëm nga institucioni i burgut, një kafe në ditë, një takim në muaj me të afërmit, një telefonatë në javë, jo më shumë se 10 minuta dhe e regjistruar, si dhe uniformë për të dënuarit, janë disa nga rregullat që do të aplikohen në regjimin e posaçëm “41 BIS”, për të dënuarit që do të izolohen në një dhomë 6 m2, për të paktën një vit.

Pas izolimit, të 7 të dënuarve të parë, për të vuajtur dënimin në sistemin e ri, përmes një shkrese të cilën gazeta “Fjala” e disponon, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, urdhëron drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve të vërë në zbatim rregullat e reja, ku të dënuarve që janë izoluar në “41 BIS”, u ndalohet të marrin ushqime nga familjarët. Gjithashtu, atyre u lejohet vetëm një takim në muaj me të afërm, dhe kjo të jetë e vërtetuar me certifikatë të regjistrit të gjendjes civile. Ky urdhër tashmë ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet për 7 të dënuarit e parë, ku pesë prej tyre ndodhen në paraburgimin e “313-tës” dhe dy të tjerë janë në burgun e Peqinit.

Në regjimin e posaçëm, të parët që u izoluan ishin Emiljano Shullazi, dhe 4 anëtarët e grupit të tij, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endri Qyqja dhe Endri Zela. Në këtë regjim janë izoluar edhe Arbjon Aliko e Genci Balla. Grupi i Emiljano Shullazit është dënuar në total me 55 vite burg nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për disa vepra penale, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa të dënuarit e tjerë janë që janë izoluar në sitemin “41 BIS” në burgun e Peqinit janë Arbjon Aliko dhe Genci Balla. Aliko u dënua me burgim të përjetshëm në fund të vitit 2018, për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Bashës. Kurse Geci Balla është dënuar me 14 vite burg për akte terroriste, duke rekrutuar të rinj me qëllim për t’i bërë pjesë të ISIS-it.

Rregullorja e re

Qelitë e izolimit për të dënuarit “VIP” që do t’i nënshtrohen regjimit “41 BIS” janë gati prej një viti. Janë 40 qeli që do të presin drejtues të organizatave kriminale, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të rreptë monitorimi, për të shmangur komunikimin me botën e jashtme. Mësohet se 20 dhoma izolimi ndodhen në paraburgimin “313”, në kryeqytet. Në këto qeli do të zhvendosen ata të dënuar që dyshohet se janë aktivë dhe drejtojnë aktivitete kriminale nga burgu.

Të gjithë të dënuarit që do të zhvendosen në këto qeli nuk do të kenë asnjë kontakt me botën e jashtme, duke u izoluar tërësisht. Gjithashtu, të burgosurit nuk do kenë kontakte as me njëri-tjetrin, përfshirë edhe kohën e ajrimit. Personat që do t’i nënshtrohen “41 BIS” do të qëndrojnë 2 orë në bokset e ajrimit. Në pikën 8 të kësaj rregulloreje është përcaktuar edhe ndriçimi i dhomës, ku çelësi për të fikur apo ndezur dritën ndodhet jashtë dhomës dhe do të komandohet nga rojat e burgut dhe jo i dënuari apo i paraburgosuri. Ushqimi brenda këtyre qelive do të shpërndahet nga kuzhinieri i institucionit, i shoqëruar nga stafi sigurisë dhe për çdo vakt do të mbahet një kampion për të dokumentuar se nuk ka rrezik. Çdo i izoluar në “41 bis” mund të kontrollohet nga mjeku i institucionit, ndërsa në rast se kërkon një mjek privat, atij do t’i duhet ta paguajë me shpenzimet e veta, por përpara kësaj do t’i duhet të plotësojë një kërkesë dhe të dokumentohet nevoja për praninë e mjekut privat.

Lexo edhe :  Franca kërkon sanksione të reja për të mposhtur ekonominë ruse

Në rast të një situate pamundësie për kurim në spitalin e burgut, të izoluarit në regjimin “41 bis” kanë të drejtë të shkojnë në klinika të specializuara, por prenotimi i vizitës dhe orari lëvizjes mbahen sekret mes drejtuesit të shërbimit shëndetësor dhe drejtuesit të burgjeve. Ndalur te siguria dhe rendi, përveç punonjësve të specializuar të burgjeve që do të jenë vetëm për këto sektorë të veçantë, sipas një marrëveshjeje të burgjeve me policinë e shtetit, është planifikuar që të ndihmohen edhe nga reparte speciale, si FNSH-ja apo RENEA. Efektivët e burgjeve që do të punojnë përgjatë 24 orëve në këtë regjim, do kontrollohen për çdo hyrje-dalje, me kontroll fizik apo pajisje të posaçme për të parandaluar futjen e sendeve të jashtëligjshme në këto ambiente.

 “41 BIS” për herë të parë u aplikua në Itali

Termi “41 BIS” për herë të parë është prezantuar në Itali, në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostra-s, Toto Rina, në nëntor të 2017-s, “41 BIS” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje. Thelbi i regjimit “41 BIS” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz të jashtëm. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që bosët të japin urdhra për vrasje dhe krime, ndërkohë që janë të burgosur. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet sipas ligjit italian, maksimumi 1 takim në muaj.

Po ashtu, ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10-minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. I vetmi komunikim që i shpëton monitorimit është posta institucionale me pjesëtarë të Parlamentit dhe me autoritetet nacionale dhe evropiane, si dhe me institucione të drejtësisë. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo para.

Në rast sëmundjeje, të sëmurët transferohen në reparte spitalore sipas dispozitave të “41 BIS”. Në disa raste të veçanta të sëmundjeve të rënda, është e mundur të jepet leje nga mbrojtësit ligjorë. Po ashtu, ka një limit për kohën e qëndrimit jashtë, që nuk mund të jetë më shumë se dy orë në ditë, dhe në grupe jo më shumë se 4 vetë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar, saqë është e pamundur të komunikojnë me njëri-tjetrin, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte, dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish. Në rast revoltash apo situatash të agravuara, ministri i Drejtësisë ka të drejtën të marrë vetë vendime, duke pezulluar nga funksionet drejtorin e burgut.

Në Itali kjo platformë ligjore aplikohet në 23 institucione të vuajtjes së dënimit në të gjithë territorin italian. Por, “41 BIS” ka hasur edhe kundërshtime në Itali. Regjimi me siguri të lartë në burgje cenon të drejtat dhe liritë e njeriut, pasi sipas Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, një i burgosur nuk mund t’i nënshtrohet një regjimi të tillë johuman dhe degradues, për qenien njerëzore.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja renditja

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 55...

Ja çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të...

Elisa Spiropali: Papa i Ri, ura dashurie dhe dialogu në kohë trazirash

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së...

Pse ka më shumë vota të numëruara se sa vota në total? Shpjegon Celibashi

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta...

Joe Biden diagnostikohet me sëmundjen e rëndë!

Ish-presidenti Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë. Një deklaratë nga zyra e tij tha se Biden, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë...

Lajme të tjera

Web TV