Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka hapur dje udhë një praktike të re për propozimin e një ligji në Kuvend, me iniciativë të qytetarëve. Me miratimin e formularit tip nga KQZ-ja, ka nisur puna për mbledhjen e firmave të 20 mijë zgjedhësve, për të dërguar në Kuvend ligjin “Për referendumet”. Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, flet për gazetën “Fjala”: Pse politika i pengon referendumet, ka ardhur koha që qytetarët të kenë rol në qeverisje.
Nga Blerina Gjoka
Referendumi është mënyra e shprehjes së drejtpërdrejtë të demokracisë qytetare, ku qytetarët vendosin me votë për çështje të qeverisjes së përgjithshme ose vendore. Por në vendin tonë kjo praktikë është pothuajse e panjohur, pasi referendumi i fundit i mbajtur në vend ka qenë ai i vitit 1998, për miratimin e Kushtetutës. Por, megjithëse e miratuar me referendum, Kushtetuta është ndryshuar 6 herë që prej miratimit të saj pa referendum, vetëm me votat e deputetëve në Kuvend. Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, me në krye ish-kreun e KQZ-së, Kristaq Kumen, ka ndërmarrë së fundmi nismën e mbledhjes së 20 mijë firmave të zgjedhësve, me synimin për të dërguar në Kuvend ligjin “Për Referendumet në Republikën e Shqipërisë”.
Synimi është i qartë, duke e depozituar nismën ligjore në Kuvend me 20 mijë firma, do të krijohet presioni i nevojshëm për ligjvënësit që projektligji të miratohet. KQZ-ja miratoi dje formularin tip që do të përdoret nga grupi nismëtar për të mbledhur firmat e qytetarëve, duke i hapur kështu udhë nismës që të bëhet realitet. Kristaq Kume, në një intervistë për gazetën “Fjala”, flet për arsyet që e nxitën të ndërmarrë këtë nismë, dhe çfarë do të ndryshojë një ligj i tillë për demokracinë shqiptare dhe përfshirjen e qytetarëve drejtpërdrejt në qeverisje.
- Kume, si erdhi kjo nismë dhe çfarë ndryshimi do të sjellë një ligj për referendumet?
Në mbështetjhe të përcaktimit kushtetues, sipas të cilit 20 mijë zgjedhës kanë të drejtë të propozojnë një projektligj, dhe mbështetur në ligjin e miratuar vitin e kaluar, për “Nismën ligjvënësve të zgjedhëseve në Republikën e Shqipërisë”, në qershor të këtij viti Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve i kërkoi KQZ-së që të pajiset me fletën tip që të grumbullojë firmat mbështetëse për projektligjin “Për Referendumet në Republikën e Shqipërisë”. Ky vendim u mor më datë 19 gusht dhe ne shpresojmë ta arrijmë mbledhjen e këtyre firmave, deri në fund të shtatorit.
Pse duhet një ligj i tillë?
Siç dihet, legjislacioni shqiptar e trajton të drejtën për referendume në një kapitull të veçantë të Kodit Zgjedhor, i cili është miratuar në vitin 2003 dhe vazhdon i tillë, i pandryshuar. Praktika e zbatimit të këtij legjislacioni ka treguar se ai në rastin më të mirë mund të quhet “jomiqësor” me iniciativat për referendume. Asnjë referendum lokal apo i përgjithshëm nuk është zhvilluar deri sot në vend dhe një ndër arsyet është edhe legjislacioni i cili në mënyrën si e ka trajtuar këtë problem dhe procedurat që parashikon, e ka bërë pothuajse të pamundur realizimin e tyre. Në vitin 2012 në Kodin Zgjedhor të ndryshuar është shkruar dispozita, sipas së cilës kapitulli për referendumet nuk ndryshon deri sa të hartohet një ligj i ri për referendumet. Por klasa politike në vitet e fundit nuk i ka kushtuar asnjë vëmendje dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta zbatuar këtë që parashikon Kodi Zgjedhor.
Pse politika nuk ka interes për referendumet?
Në kuadër të reformës zgjedhore që po bëhet aktualisht, është parashikuar të trajtohet dhe problemi i referendumeve, por kush e ka ndjekur ecurinë e punës, pa vështirësi mund të kuptojë se edhe kësaj radhe angazhimi për ta trajtuar ligjin për referendumet është vetëm në kuadër të deklaratave politike, pa asnjë iniciativë konkrete. Në vendin tonë klasa politike ka treguar indiferencë të plotë dhe asnjëherë nuk është angazhuar për të krijuar kushtet e nevojshme ligjore për qytetarët shqiptarë që ata të bëhen pjesë e qeverisjes së vendit, nëpërmjet mundësive që u jep demokracia e drejtpërdrejtë, në të cilën referendumi parashikohet dhe përcaktohet si një nga instrumentet më të rëndësishme. Në këto kushte u bëmë bashkë, një grup qytetarësh dhe ndërmorëm këtë nismë, që të kërkojmë firmat e 20 mijë zgjedhësve për projektligjin për referendumet.
A nuk kishit një mënyrë tjetër, më të thjeshtë, për ta çuar në Kuvend, nëpërmjet një deputeti apo subjekti politik? A tentuat me këtë mënyrë?
Ky projekligj mund të depozitohej në procedurat parlamanetare duke ia dhënë një deputeti dhe ai ta paraqiste, por jemi të bindur se një mënyrë e tillë e të vepruarit do të bënte që projekti të humbiste në sirtarët e zyrave të Kuvendit. Ndaj, ne duam ta çojmë si një kërkesë të 20 mijë a më shumë zgjedhësve, duke qenë të bindur se në këtë mënyrë jo vetëm dërgojmë në Kuvend një projekligj që është më afër interesave të zgjedhësve, por bashkë me të te ky Kuvend çojmë presionin tonë të vazhdueshëm qytetar që të trajtohet sa më shpejt dhe të mos ndryshohet. Kur shkon si iniciativë qytetare, procedurat parlametare për shqyrtimin e miratimin janë të njëjta, por është shumë e vështirë të mbetet nëpër sirtare një projekt qytetar se, përveçse do ta dorëzojmë, ne nuk do të reshtim së kërkuari shqyrtimin e tij dhe mosndryshimin në elementet kryesore të tij.
Çfarë është parashikuar në projektligjin tuaj për ndryshimin e Kushtetutës?
Kemi parashikuar edhe referendume kushtetuese me nismën qytetare, por që të pranohet kjo kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës, si dhe sanksionimin në të që me nismën 300 mijë zgjedhësve të ndërmerren ndryshime kushtetuese. Projektligji ynë kërkon 84 që të votohet, ndërsa ndryshimi i Kushtetutës kërkon 94 vota. Ne parashikuam numrin 300 mijë zgjedhës, të cilët të kenë të drejtën të propozojnë ndryshime në Kushtetutë, pasi ky numër është ekuivalenti i 28 deputetëve që, sipas legjislacionit aktual, ka të drejtën e nismës për ndryshime kushtetuese. Po ashtu, në projektligjin tonë janë parashikuar referendumet vendore, si proces i mbyllur brenda njësisë vendore, ku nuk vendos KQZ-ja, por gjykatat administrative./Bl.Ba/Fjala.al