Ditën e sotme ka ndërruar jetë gazetari i Radiotelevizionit të Kosovës, Sulejman Gashi.
Lajmin e konfirmoi i biri, Drilon Gashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Ai po luftonte shumë që të rikthehej nga gjendja e rëndë që kishte pësuar katër vite më parë. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në vendlindjen e tij në Kosovë, vendin të cilin ai e deshi aq shumë. Sulejman Gashi bëri një jetë, dhe la një vepër, me domethënie të jashtëzakonshme për familjen, profesionin, vendin dhe kombin e tij”, thuhet në postim.
Sulejman Gashi për shumë vjet ishte korrespondent i Radiotelevizionit të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara.
Drejtori i përgjithshëm i këtij radiotelevizioni, Ngadhnjim Kastrati, në një telegram ngushëllimi tha se “vepra dhe kontributi i Sulejman Gashit nuk do të harrohen asnjëherë. Ai ia kushtoi një jetë të tërë profesionit dhe vendit”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se me dhimbje të thellë ka pranuar lajmin për vdekjen e gazetarit shumëvjeçar, Sulejman Gashi.
“Gashi ishte korrespodent i Radiotelevizionit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nga atje raportoi për luftën në Kosovë si dhe për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat kaloi shteti i Kosovës. Përveç profesionit të gazetarit, ai ishte edhe një aktivist i shquar në forcimin e marrëdhënieve Kosovë – ShBA. Gashi pësoi një arrest kardiak në vitin 2016 përderisa ishte në një udhëtim pune dhe që atëherë u përball me probleme shëndetësore”, thuhet në postimin e këtij asociacioni i cili e vlerësoi vdekjen e Sulejman Gashit “një humbje e madhe për komunitetin” e gazetarëve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar me lajmin për vdekjen e gazetarit Gashi. “Ai tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve”, shkroi ai.
Pa.Va/Fjala.al