Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti nismën, Muzeu i Lëvizshëm, i cili synon promovimin e turizmit, kulturës dhe traditave të qyteteve shqipfolëse, të bashkuara tanimë në Unionin e Bashkive Shqiptare në Rajon. Sheshi “Skënderbej” u shndërrua ditën e sotme në një muze të hapur si pjesë e kësaj nisme.
Veliaj theksoi se Muzeu Lëvizës është një derë e hapur në secilin prej qyteteve të përfshira në këtë nismë.
“Meqenëse Tirana si kryeqytet u prek nga dy tërmete dhe nga fatkeqësia e pandemisë në vitin e 100 vjetorit, menduam të krijojmë mundësi që njerëzit ta shijojnë historikun e Tiranës jo duke ardhur fizikisht këtu, por duke çuar një copë të Tiranës në Prishtinë, e në disa nga qytetet kryesore të Kosovës. Në fakt, është një muze lëvizës i cili, qoftë edhe simbolikisht, do e shpjerë Tiranën në të gjitha këto treva, për t’u dhënë mundësi qytetarëve në Prishtinë, Preshevë, Tetovë, Shkup, Gjakovë e Prizren, qytetarëve në Pejë e Ulqin, të njohin rrugëtimin e Tiranës, duke pranuar se Tirana është jo vetëm kryeqendra e Shqipërisë, por është edhe kryeqendra e shqiptarisë, e asaj që e quajmë albanosfera në rajonin tone, e një shtëpie të dytë, jo vetëm për ata që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë, por edhe nga ata që vijnë nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut apo nga jugu i Malit të Zi”, u shpreh ai.
Muzeu lëvizës i Tiranës strehon në miniaturë rrugëtimin dhe kujtesën e një qyteti që përgjatë një shekulli, falë bujarisë dhe trashëgimisë së tij më të mirë, si dhe kontributit të elitave kombëtare, u shndërrua në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.
Janë të shumta rrugët, sheshet, ndërtesat e dokumentat që rikthehen në vëmendje përmes imazheve fotografike, duke dëshmuar momentet më të forta të historisë së qytetit, por edhe të dinamikave të shndërrimit të tij të përhershëm që e karakterizon qysh në zanafillë: nga ballkoni i Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, ku u ngrit flamuri i pavarësisë së tij prej përfaqësuesve të familjeve më në zë të Tiranës, ecet drejt vendimeve të Kongresit të Lushnjes që e shpalli Kryeqytet, shkohet tek kremtimet e para të kryeqytetit të ri të shqiptarëve, zhvillimet e shtetit modern dhe monarkisë shqiptare, vijohet me dëshmitë e çasteve të rënda të pushtimit nazi-fashist, por edhe me rezistencën e shkëlqyer e betejën e çlirimit të saj.
Një pjesë e vogël e traditës së Tiranës është vendosur në pjesën e jashtme të muzeut, me veshjet etnografike, sofrën tiranase dhe bujarinë e mikpritjen e pakushtëzuar që Tirana di t’ia dhurojë kujtdo.