Fjala do të jetë e lirë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Redaksionale

Në qytetin gjerman të Maincit, afro 600 vite më parë, nisi punën shtypshkronja e parë në botë, shtypshkronja e Gutenbergut, duke printuar librat e më tej gazetat në formatin që njohim ende sot. Pas 6 shekujsh rezistencë, vetëm në dy dekadat e fundit ekzistenca e letrës së printuar u vu në pikëpyetje të forta përballë revolucionit digjital, duke na e sjellë librin dhe gazetën në një ekran kompjuteri apo telefoni pa qenë nevoja të kalojë në lastrat e shtypit dhe pa e ndier erën e plumbit që thahet në letër.

Gazetat më të mëdha në botë e vunë në diskutim ekzistencën e tyre tradicionale në print, duke iu përshtatur epokës së re. Por, pavarësisht parashikimeve, “vdekja e Gutenbergut” nuk është përfundimtare, për sa kohë do të ketë akoma lexues që e duan dhe i besojnë lidhjes së prekshme me gazetën dhe librin.

Botimi i një gazete print sot është kthyer në një përpjekje donkishoteske për botuesit dhe gazetarët. Për të parët, për shkak të kostove financiare që mbart krahasimisht me median online, dhe për të dytët, për shkak të humbjes së ekskluzivitetit të lajmit të fundit, i cili konsumohet në kohë reale në televizion dhe portalet online.

Gazeta “Fjala” del sot në print në numrin e saj të parë, duke i besuar lexuesit dhe gazetarisë profesioniste dhe duke marrë përsipër riskun e “betejës” me detin e madh të informacionit online. “Fjala” sot vjen si një besëlidhje e re me lexuesin, me shpresën e vazhdimësisë në një moment të vështirë për printin, kur disa gazeta të vjetra në treg janë mbyllur ose janë drejt mbylljes.

Beteja më e fortë që e pret “Fjalën” është beteja me lirinë dhe profesionalizmin.

Liria e shtypit në Shqipëri, sipas indeksit të “Reporterëve pa Kufij”, është në fashën portokalli, që nënkupton “situatë problematike”, një fashë ku gjenden sot 37% e vendeve në botë, përfshirë dhe SHBA-në. Një ligj i ri i miratuar nga mazhoranca jep sinjale për përkeqësimin e kësaj situate dhe është kundërshtuar fort nga shoqatat e gazetarëve në vend dhe ato ndërkombëtare. Edhe pa këtë ligj media shqiptare kishte problematikat e saj të vjetra të profesionalizmit, të censurës dhe autocensurës që rrjedhin nga lidhjet e interesave të pronarëve të medias me politikën.

Lexo edhe :  Pse shumë shqiptarë adhurojnë dhunën?

Por, pavarësisht nga problemet, gazetarët që kanë punuar për të vërtetën e kanë gjetur gjithmonë kanalin e tyre të komunikimit me publikun. Ekipi i ri i gazetës “Fjala” beson te liria e shprehjes dhe do të angazhohet t’i shërbejë lexuesit, pasi nuk mund të ketë liri të mendimit pa njohur realitetin ku jetojmë. Për të cituar nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut: “liria e mendimit dhe e shprehjes” nënkupton të drejtën “e kërkimit, marrjes dhe shpërndarjes së informacionit dhe ideve përmes çdo medie dhe pavarësisht nga kufijtë”.

Profesionalizmi do të jetë kryefjala jonë. Për një sipërmarrje të guximshme, kur shumë media print (gazeta të përditshme), po bien njëra pas tjetrës nën siglën “Mbyllet” ne besojmë, duke ardhur pranë lexuesit më shkrime të thelluara, analiza përtej së sotmes dhe në ruajtje të parimeve kryesore të gazetarisë; të vërtetën dhe paanshmërinë.

Në këtë drejtim, “Fjala” do të punojë që të ketë fjalët e duhura, fjalët e vërteta, pa u shqetësuar që të bëjë marrëveshje shitblerjeje apo censure për fjalët. “Fjala” do të jetë e vërtetë! “Fjala” do të jetë e lirë!/Fjala.al

Çdo botim të Gazetës Fjala në PDF do e gjeni falas në këtë link

Të fundit

Emma Tucker, kryeredaktorja e Wall Street Journal që e bëri Trumpin të dridhej?

Nga Monica Ricci Sargentini, Corriere della Sera Në krye të gazetës që nga viti 2022, ajo imponoi një modernizim që...

Paradoksi i reagimit opozitar kundër projekt Kodit të ri Penal

Nga Mero Baze Vitin e kaluar, kur shumica në pushtet propozoi ngritjen e Komisionit të posaçëm “anti-korrupsion”, i njohur si “Komisioni Xhafa”, gjithë kritikat e...

Tarifa e Trump për Shqipërinë? Eksportuesit: Mund të jetë një mundësi e artë

Nga data 7 gusht, çdo produkt që prodhohet në vendin tonë dhe eksportohet drejt tregut amerikan do të paguajë taksë 10%. Vendimi i paralajmëruar...

3 gusht 1778 – Hapet Teatro alla Scala në Milano

Më 3 gusht 1778, në Milano, u hap për herë të parë Teatro alla Scala – i njohur shkurtimisht si La Scala – një...

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

Shqipëria do të përjetojë një tjetër ditë tipike vere më 3 gusht 2025, me qiell të kthjellët gjatë gjithë ditës dhe temperatura të larta...

Lajme të tjera

Web TV