Pas afro 5 orë rezistencë me armë, duke terrorizuar qytetin e Elbasanit, forcat RENEA ekzekutuan pasditen e së enjtes 71-vjeçarin Lefter Zhidru. Ky nuk është rasti i parë kur forcat elitë të policisë ekzekutojnë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gazeta “Fjala”, risjell disa nga operacionet më të bujshme të repartit special, kur negociatat kanë dështuar dhe më pas nga rrethanat e krijuara forcat sopeciale janë detyruar t’i eliminojnë fizikisht personat e armatosur.
Nga Elvis Myrta
Ekzekutimi i djeshëm i 71-vjeçarit nga RENEA (Repartit të Neutralizimit të Elementëve të Armatosur) nuk është rasti i parë e nuk do të jetë as i fundit për eliminimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Forcat speciale kanë ndërmarrë qindra operacione për kapjen e këtyre personave, ku në disa raste si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, përveç ekzekutimit të objektivit janë plagosur apo kanë humbur jetën edhe efektivë të këtij reparti. Forcat RENEA janë forcat elitë të Policisë së Shtetit. Ky repart është i përbërë nga nga ndërhyrës, snaiperë, alpinistë, zhytës, një njësi e vogël kinofile dhe logjistike. Skuadra bazë e ndërhyrjes është e përbërë prej 5 personash, por sipas rrethanave mund të krijohen skuadra edhe me më shumë efektivë. Para përdorimit të armëve të zjarrit, personat, ndaj të cilëve ato do të përdoren, duhet të paralajmërohen me zë të lartë e të qartë. Kur personi nuk i bindet urdhrit, por përpiqet të largohet ose të reagojë, qëllohet pa paralajmërim, duke synuar në pjesët e poshtme të trupit.
Kur rrethanat nuk lejojnë në asnjë mënyrë zbatimin e rregullave të mësipërme, armët e zjarrit përdoren pa paralajmërim. I tillë ishte edhe rasti i djeshëm në Elbasan, i ekzekutimit të 71-vjeçarit Lefter Zhidru. Mesditën e djeshme një konflikt në familje ngriti në këmbë të gjithë Policinë e Shtetit. 71-vjeçari Lefter Zhidru, pas një debati me bashkëshorten e tij, rrëmbeu armën duke tentuar të ekzekutonte bashkëshorten e tij. Kjo e fundit, pasi kuptoi qëllimin e burrit, mori vajzën e saj 14-vjeçare dhe u largua me shpejtësi nga banesa. 71-vjeçari ndoqi gruan dhe vajzën e tij e në momentin që doli nga pallati hapi zjarr drejt tyre, në një kohë kur zona ishte e populluar edhe me qytetarë të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “11 Nëntori”, në një nga zonat më të populluara të qytetit. Pas marrjes së informacionit policia shkoi menjëherë drejt vendngjarjes, ndërsa autori u rikthye në banesë.
Katër efektivë të forcave “Shqiponja” u drejtuan për në banesën e autorit të ngjarjes së rëndë, por ai hapi zjarr drejt tyre, duke u rrezikuar seriozisht jetën edhe efektivëve. Pas këtij momenti e gjithë zona ku banonte i moshuari u rrethua nga policia, ku u vendos edhe një perimetër i gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimet e kalimtarëve të tjerë të rastit. Pas 5 orë negociatash fillimisht nga policia e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i RENEA-s dhe i grupeve taktike të RENEA-s me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk u është bindur në asnjë çast thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të RENEA-s që po negocionin me të.
Të ndodhura në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale RENEA kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari. As negociatat me disa prej familjarëve nuk e kanë bindur 71-vjeçarin të ulë armët dhe të dorëzohet. Në këto kushte forcat e RENEA-s kanë ndërhyrë duke qenë të paijsura me një mburojë antiplumb me fije çeliku dhe rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme u dëgjuan krismat e fundit që kishin të bënin me ekzkekutimin e 71-vjeçarit. Disa herë grupet e RENEA-s kanë bërë thirrje që Zhidru të dorëzohej, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga autori, i cili kur pa se forcat RENEA i afroheshin banesës së tij, qëlloi me breshëri automatiku duke u rrezikuar seriozisht jetën atyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar asnjë punonjës i RENEA-s. Në këto kushte është bërë ekzekutimi i 71-vjeçarit i cili arriti të rezitonte jo pak, por plot 5 orë me radhë brenda banesës së tij. Pas ekzekutimit efektivët kanë nisur të lënë vendin e ngjarjes. Bashkë me mjetet e policisë kanë lënë vendin e ngjarjes edhe autoblindat që shërbyen për t’u afruar sa më shumë në banesën e Lefter Zhidrut.
RASTET
Reparti i forcave speciale, RENEA ka ndërmarrë disa operacione të rrezikshme për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shumica e të cilëve kanë përfunduar me sukses. Por, si pasojë e mosdorëzimit të këtyre personave ka pasur disa raste që kanë përfunduar me ekzekutimin e tyre. Gazeta “Fjala” risjell disa raste kur efektivët e kësaj njësie speciale kanë ekzekutuar këta persona.
Mars 1999
Tre kriminelë vrasin për një ditë tre policë dhe katër persona. Ngujohen në një shtëpi dhe marrin peng një çift me fëmijën e tyre 7-muajsh. Ndërhyn RENEA dhe çliron pengjet. Gjatë konfliktit vriten tre kriminelët dhe plagoset një peng.
Vrajsa e emigrantit
Flamur Pisli, i cili kishte shkuar si emigrant në Greqi, konfliktohet me punëdhënësin e tij, pasi ai nuk e kishte paguar për punën e bërë. Pas konfliktit, Pisli denoncohet në polici nga pronari i tij. Policia greke pasi e shoqëron në komisarit e keqtrajton shqiptarin, duke i shkaktuar edhe impotencë e më pas e kthejnë në atdhe. Flamur Pisli, pas mbërritjes në Shqipëri armatoset me një automatik dhe dy bomba e më pas rikthehet në Selanik, ku merr peng një autobus me 14 persona. Para se të hynte ne kufirin shqiptar nxori nga autobusi pleq e fëmijë. Qeveria greke i jep 250000 $ që kishte kërkuar dhe e lejon të futet në territorin shqiptar së bashku me pengjet. Policia greke lajmëron policinë shqiptare që mos të kryejë ndërhyrje gjatë kohës që pengmarrësi kishte autobusin. Në periferi të Tiranës, negociatorët kërkojnë ta bindin që t’i lëshojnë pengjet, më pas policia ndërhyn dhe vret një peng dhe pengmarrësin e eliminojnë me një qitje me snaiper, pavarësisht se ai e kishte lëshuar armën.
31 dhjetor 2013
Më 31 dhjetor të vitit 2013 forcat RENEA ekzekutojnë Gazmir Markun, autorin e plagosjes së policit Agron Halilaj. Ngjarja ndodhi pas rrethimit të tij dhe pasi forcat speciale i bënë thirrje për t’u dorëzuar, por Marku nuk iu përgjigj thirrjeve, duke hapur sërish zjarr. Marku hapi sërish zjarr. Forcat RENEA prej dy ditësh, nga plagosja e kolegut të tyre kryen kontrolle të imtësishme në qytetin bregdetar, për të zbuluar vendodhjen e Markut, i cili fshihej në lagjen Kënetë të Durrësit, disa metra larg banesës së tij. Ai kishte zënë vend pas një pirgu dheu dhe kishte hapur zjarr, duke tentuar të vriste një efektiv të policisë. Në këtë moment është hapur zjarr ndaj tij, duke bërë të mundur eliminimin e tij.
22 prill 2016 Petrit Dushi
Forcat speciale të RENEA-s, më 22 prill të 2016 gjatë një përplasjeje me armë zjarri, ekzekutojnë shtetasin e shumëkërkuar Petrit Dushi. Ai ishte dënuar me 20 vite burg për 2 vrasje dhe falsifikim dokumentesh. Mbi Petrit Dushin rëndon akuza e vrasjes se shtetasit Mark Jaku, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 2013 në fshatin Ungere. Jaku e kishte strehuar për disa kohë gjatë arratisë së tij Petrit Dushin. Gjatë operacionit për kapjen e tij Dushi qëlloi mbi policinë, ku forcat e RENEA-s, u kundërpërgjigjën duke qëlluar 5 herë ndaj tij.
Ekzekutimi i Ruzhdi Arishtës
Më datë 03.10 2015, rreth orës 18:40, forcat e policisë të Komisariatit të Policisë së Shkodër së bashku me forcat e FNSH-së, ndërmorën një operacion për kapjen dhe ndalimin e Ruzhdi Arishtës, pasi ai gjatë një konflikti qëlloi me armë zjarri automatik bashkëfshatarin e tij, shtetasin Besar Sherbela. Në momentet e ndërhyrjes së forcave të policisë në banesën e Arishtës, ai hapi zjarr ndaj forcave të policies, duke plagosur nënkomisarin e FNSH-së, Simon Gjeta. Menjëherë në mbështetje të punonjësve të policisë në vendngjarje, shkuan forcat speciale RENEA. Autori i krimit edhe pas thirrjeve për t’u dorëzuar, nuk doli nga banesa, por në mënyrë të përseritur hapte zjarr ndaj forcave speciale. Në këto kushte RENEA hyri në banesën e tij duke e ekzekutuar.
Kostandinos Kacifa
Më 28 tetor të vitit 2019 forcat speciale RENEA vranë 35-vjeçarin Kostandinos Kacifa, pasi në fshatin Bularat të Dropullit, në Gjirokastër, ai sulmoi me armë zjarri patrullën e policisë. Pas ngjarjes në Dropull shkuan forcat speciale që i bënë thirrje të riut të dorëzohej, por ai qëlloi në drejtim të tyre, duke u rrezikuar seriozisht edhe jeta e efektivëve të RENEA-s. Në këtë mënyrë forcat RENEA iu kundërpërgjigjën dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit i riu mbeti i vrarë. Forcat e policisë rrethuan vendin ku fshihej autori dhe i kanë bërë thirrje që të dorëzohej, por ai nuk iu përgjigj thirrjes së policisë dhe u është kundërpërgjigjur, duke hapur zjarr në mënyrë të befasishme. Nga të shtënat me armë, mbeti i plagosur në këmbë njëri nga punonjësit e policisë.
Policia e Shtetit zbarkoi e gjitha në Elbasan
E gjithë kupola e Policisë së Shtetit zbarkoi në qytetin e Elbasanit pasditen e djeshme për të ndjekur nga afër operacionin ndaj 71-vjeçarit, Zhidru, i cili për më shumë se 5 orë terrorizoi lagjen “11 Nëntori”, duke qëlluar me breshëri kallashnikovi edhe ndaj uniformave blu. Fillimisht në vendin e ngjarjes shkoi drejtori i krimeve, Tonin Vocaj, si dhe drejtori i krimeve ndaj personit e pasurisë në Policinë e Shtetit, Arben Dashi. I pranishëm për të ndjekur të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë ishte edhe drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit. Brenda perimetrit të sigurisë kishte edhe froca të drejtorisë antieksploziv, pasi dyshohej se i moshuari mund të kishte municione shpërthyese. Rreth orës 16:30 në qytetin e Elbasanit për të ndjekur nga afër operacionin e RENEA-s, për netraulizimin e 71-vjeçarit, shkoi edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Pas ekzekutimit të të moshuarit, grupi hetimor i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, hyri në banesën e tij ku në cilësinë e provës materiale, përveç kallashnikovit me të cilin ai qëllonte ndaj policies, u gjet edhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritoli të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. /Ra.My,Fjala.al/