Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama ka postuar një video nga Kievi ku ka nisur axhendën e takimeve si kryetar i Presidencës së OSBE-së.
E para që i ka uruar mirëseardhjen kreut të qeverisë shqiptare ka qenë dëbora.
Rama është shoqëruar nga delegacioni dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
“Ditë takimesh me autoritetet e larta të vendit në cilësinë e Kryetarit në Detyrë të OSBE – Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ministrin Vadym Prystaiko” shkruan Rama.
Në faqen zyrtare të OSBE-së theksohet se bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore.
Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral.
Ndërkohë që në datë 21 janar kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti.
“Zgjedhja e Kievit si vizitë e parë pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën në Ukrainë, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot” thuhet në faqen zyrtare të OSBE-së. Për vitin 2020 Shqipëria ka presidencën e OSBE-së. /Fjala.al