Imunologu amerikan, i intervistuar nga “La Repubblica”, bën thirrje për kujdes: “Vaksina nuk është shumë larg, por do të duhet pak kohë para se të jetë në dispozicion për të gjithë”.
“Nuk jemi larg: një vaksinë efektive mund të ekzistojë tashmë midis fundit të nëntorit dhe dhjetorit. Por nuk do të shpërndahet para vitit 2021”, “do të jemi në gjendje me siguri, shpresoj, para Krishtlindjeve të ardhshme: dua të them ato të vitit 2021”. Ishte kjo deklarata e Anthony Fauci-t, kreut të Institutit Kombëtar të SHBA-së për Parandalimin e Sëmundjeve Infektive, në një intervistë për “La Repubblica”.
“Shkencëtarët po bëjnë një punë të mahnitshme. Studimet e tyre mbi Covid-in tashmë na kanë befasuar dhe ende na befasojnë. Por duhet kohë për t’iu rikthyer normalitetit. Është e vërtetë që studimet janë në një pikë të shkëlqyeshme.
Pesë vaksina të mbështetura nga SHBA-ja janë në fazën e fundit të provës dhe dy tashmë po tregojnë rezultate të shkëlqyera. Deri në fund të vitit 2020 do të kemi përgjigje të sakta dhe, në pritje të rezultateve pozitive, po prodhohen edhe dozat. Po, ndoshta do të kemi mundësi të vaksinohemi para fundit të vitit. Por për një numër të madh, duhet të presim”, tha ai.
“Nëse kemi një vaksinë efektive deri në dhjetor, do të jemi në gjendje t’i shpërndajmë dozat e para në fillim të vitit 2021, por nuk do të jetë e mjaftueshme për të gjithë përpara muajve mars-prill”, vazhdoi eksperti i sëmundjeve infektive.
“Në çdo rast, të parët që do t’i marrin ato do të jenë kategoritë më të rrezikuara, punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit. Dhe, mbi të gjitha: është e gabuar të krijosh shumë pritshmëri. Duke dashur të shpallim vaksinat pas qosheve, rrezikojmë t’i zhgënjejmë njerëzit.
Nëse krijojmë mosbesim, më pak njerëz do të jenë të gatshëm ta marrin atë. Duhet t’i bëjmë gjërat në kohën e duhur, duke këmbëngulur me maska dhe distancim shoqëror, të paktën deri pas verës së ardhshme. Jam optimist për vjeshtën e ardhshme: më në fund do të jemi në gjendje të udhëtojmë. Do të shfrytëzoj rastin të kthehem për të vizituar Italinë”.
Burimi: huffingtonpost.it
la.mi/Fjala.al