Ka nisur misioni i riatdhesimit të fëmijëve shqiptarë në Siri. Lajmi është dhënë nga Gjysmëhëna e Kuqe Siriane e cila shpjegon se përpjekjet e përbashkëta humanitare kanë bërë që fëmijët shqiptarë në Siri të mund të kthehen ne vendlindjen e tyre. 4 fëmijë shqiptarë dhe një grua me aftësi të kufizuara janë riatdhesuar nga kampi Al Hol në Siri dhe pritet të mbërrijnë shumë shpejt në Shqipëri.
Nga Elvis Myrta
Për katër fëmijë shqiptarë dhe një grua me aftësi të kufizuara ka marrë fund “ferri” në kapin Al-Hol. Pas përfundimit me sukses të këtij operacioni për riatdhesimin e tyre, në ditët në vijim ata pritet të mbërrijnë në Shqipëri dhe t’i kthehen jetës normale. Operacioni u ndërmor nga Gjysmëhëna e Kuqe Siriane. Sipas informacioneve, operacioni për riatdhesimin e tyre ka zgjatur rreth një orë.
Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj nga Ministria e Brëndshme dhe antiterrori, ka mësuar se përgatitjet për përfundimin me sukses të këtij operacioni kishte nisur rreth një muaj më parë. Po sipas të njëjtave burime, ky operacion duhet të kishte përfunduar dy javë më parë, por u shty për shkak të disa komplikimeve. Dy prej fëmijëve të shpëtuar mësohet se kanë lindur në Siri, ndërsa gruaja e cila ndodhet në karrocë me rrota ka mbetur e plagosur gjatë kohës që ka qëndruar në kamp.
Kjo konfirmohet edhe nga një video të shpërndarë nga Gjysmëhëna e Kuqe Siriane, ku thuhet se ka qenë qeveria e Sirisë e cila ka krijuar lehtësirat për këtë riatdhesim, ndërsa operacioni ka nisur që prej një muaji me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Mes fëmijëve të riatdhesuar janë edhe motër e vëlla, Eva dhe Endrit Dumani, dy të mitur të cilët prej 6 vitesh ndodhen në kampin Al-Hol në Siri, e ashtu si Alvin Berisha, i riatdhesuar nga autoritetet italiane, prej kohësh kërkonin të bashkohen me familjen e tyre.
Me anë të një letre, dy muaj më parë nëna e të miturve i kërkoi ndihmë shtetit që të riatdhesojë fëmijët e saj që prej vitesh ishin të vetëm në kamp. Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Mide Dumani, shprehej disa kohë më parë se fëmijët janë të frikësuar dhe kërkojnë patjetër të kthehen. Nga komunikimet që ajo kishte pasur me fëmijët e saj, ata i janë shprehur se vetëm shteti mund t’i tërhiqte që aty.
Gjysmëhëna e Kuqe Siriane mesditën e djeshme bëri të ditur se 4 fëmijë dhe gruaja kanë kaluar të gjitha testet mjekësore dhe do të shoqërohen në udhëtimin e tyre në Shqipëri nga Mark Ghareeb, shefi i Misionit të Shqipërisë në Liban. Kujtojmë se një muaj më parë autoritetet tona u vunë në lëvizje për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë, kryesisht fëmijëve dhe grave që ndodhen në kapin Al-Hol.
Pasi u nxorën nga kampi, fëmijët dhe gruaja u dërguan në Damask nga Gjysmëhëna e Kuqe, e ndërsa do të jetë vetë kryeministri Edi Rama që do t’i shoqërojë ata drejt Shqipërisë, për t’i bashkuar me familjet. Rama u nis pasditen e djeshme drejt Libanit, teksa nga aeroporti i Rinasit njoftoi se shumë shpejt do të nisë edhe një fazë e dytë për rikthimin e shqiptarëve të tjerë.
Më 22 shtator ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga drejtori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, udhëtoi drejt Libisë dhe zhvilloi disa takime zyrtarë të lartë të këtij shteti, me qëllim për të bërë të mundur rikthimin në atdhe të personave dhe kryesisht të fëmijëve të cilët kanë ngecur në këto kampe.
Për riatdhesimin e 4 fëmijëve dhe të gruas me aftësi të kufizuara, ditën e djeshme reagoi edhe Presidenca. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, zëdhënësi i Presidencës falënderoi Gjysmëhënën e Kuqe Siriane dhe bëri të ditur se puna do të vazhdojë për riatdhesimin e fëmijëve të tjerë. Sipas të dhënave të siguruara nga persona të cilët janë brenda kampit Al-Hol, flitet për të paktën 51 fëmijë që janë të mbyllur në pritje të riatdhesimit, gjithashtu dyshohet edhe për dhjetëra të tjerë të rritur.
Shqiptarët në kampin Al-Hol
Kampi Al-Hol është si një qytet më vete, me rreth 70 mijë persona, shumica gra të luftëtarëve të ISIS-it dhe fëmijët e tyre që kurdët me forca amerikane dhe siriane i kanë arrestuar dhe që tani qëndrojnë atje, të izoluar, pa e ditur fatin që i pret.
Në total janë 51 fëmijë dhe 18 të rritur nga Shqipëria, që ndodhen aktualisht në kampin e “ferrit”, që ndodhet nën mbikëqyrjen e kurdëve. Por pa nënë e baba, të vetëm mes një kampi ku jetesa nuk i afrohet aspak normalitetit, janë plot 13 fëmijë të tjerë shqiptarë. Si për shembull tre vëllezërit Korvafaj. Amari 13 vjeç, i lindur në Tiranë, të cilit i ka mbetur përgjegjësia të kujdeset për dy vëllezërit e tij më të vegjël, Umerin 6 vjeç dhe Haxherin 3 vjeç, të dy të lindur në Siri. Asgjë nuk dihet për fatin e babait të tyre, Erjon Korvafajt, për të cilin të pakta janë mundësitë që të ketë mbijetuar. Emri i Erjonit nuk figuron në listën e “banorëve”’ të kampit Al-Hol, dhe tre fëmijët e tij rezultojnë kështu jetimë.
Pa ngrohtësinë e prindërve në kampin e largët të Sirisë, janë edhe Ahmedi 6 vjeç, lindur në Siri, dhe motra e tij Saxhide, vetëm 4 vjeçe, lindur në Irak. Babai i tyre, Arbër Zani, nga Tirana, dyshohet të jetë vrarë, ndërsa nuk dihet se ku është nëna e tyre.
Përveç tyre, është historia edhe e tre vëllezërve Alshiqi, Abdullahut 5 vjeç, Merjemit 2 vjeç, dhe motrës së tyre akoma më të vogël, vetëm 10-muajshe, Fatimes, pa prindërit, të vetëm mes kampit-ferr.
Por, në mesin e emrave të shqiptarëve që ndodhen brenda këtij kampi janë edhe disa gra. Njëra ndër të cilat është Ruzhdije Balliu, 57 vjeç nga Librazhdi. Ajo nuk e di se ku ndodhet bashkëshorti i saj, Aliu, ndërsa nuk ka kontakt me asnjë nga familjarët.
Nxjerrja nga kampi “Al-Hol” e Alvin Berishës
Alvin Berisha, u nxor më 5 nëntor të vitit 2019 nga kampi i Al-Hol-it. Babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kur nëna shqiptare, braktisi familjen në Itali ku jetonin prej vitesh dhe e mori Alvinin, i cili në atë kohë ishte vetëm 6 vjeç. Nëna e tij kishte vdekur në kamp së bashku me një burrë të huaj, me të cilin ishte martuar.
Alvini mbeti i vetëm, dhe pas përpjekjeve të shumta të babait të tij, emisioni investigativ “le Iene” arriti ta gjejë Alvinin dhe të bëjnë takimin përlotës mes babait dhe djalit pas 5 vitesh. Operacioni i tij i shpëtimit u mor përsipër nga Gjysmëhëna dhe Kryqi i Kuq, me udhëheqjen e vendit fqinj, Italisë. Shteti shqiptar nuk u pa asgjëkundi.
Në dalje televizive kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, këmbëngulnin se çështja ishte shumë e komplikuar dhe se Siria nuk kishte një “kokë” me të cilën mund të negocionin. Për më tepër, Romina Kuko, zv.ministrja e Brendshme, hodhi idenë në një emision televiziv se ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Gent Gazheli, mund të merrej peng.
Në atë periudhë, gazetari i “Le Iene” u lidh me të, por siç u transmetua përmes pamjeve filmike, nuk u realizua dot as edhe një telefonatë në të mirë të Alvinit. Dhe jo më larg se tri ditë pas publikimit të emisionit italian, Gent Gazheli dha dorëheqjen.