(Refleksione për novelën “Zjarr” të Sazan Golikut)
Nga Nexhat Rexha
Novela “Zjarr” e Sazan Golikut (botim i shtëpisë botuese “Beqir Musliu” të Gjilanit) karakterizohet nga shtrirja nëpër kohët e largëta e deri në ditët tona. Rrëfimet që nga fillimi e deri në mbarim e mbajnë lexuesin në pritje për të prekur këtë zjarr. Autori ka shkrirë botën filozofike me atë letrare në përditshmëri të mundshme, e cila është e pranueshme për lexuesin.
Bota reale dhe bota filozofike në bashkërenditje me atë mitike i kanë qëndruar kohëve, në një mënyrë a tjetër ato i kanë shërbyer njëra-tjetrës nëpër kohë e sundime të ndryshme. Në këto parashtrime e shtrirje konceptesh, bota njerëzore në formimet e saj gjatë sistemeve politike ka bërë përpjekje për të ndryshuar diçka ose për të rilindur jetën ndryshe.
Shtrirja e narracionit që në fillim të novelës të ofron mundësi të përjetosh pjesë të intimitetit, sepse vetë jeta dhe zhvillimet e saj të japin mundësitë e marrjes së dijes në forma të ndryshme. Artikulimi dhe përjetimi janë dy procese artistike që kanë bashkërendim në mes personazheve të novelës; ata kanë marrë e kanë dhënë nga vetja atë që ka mundësuar faktori kohë e njeri. Në ndërtimet e ngjarjeve roli i njeriut në besueshmëri ka ndikimet e veta; ato vijnë si përjetime në shtrirje të koncepteve filozofike. Protagonisti i novelës, Rukipeu është bartës dhe farkues në sendërtimet e ideve filozofike për jetën dhe zhvillimet e saj. Në realitet ai është trasmetues i lirë në shollën ku ai ligjëronte dhe kopshti i kësaj shkolle dallonte nga të tjerat në qytet. Për këtë arsye bota e studentëve të tij marshonte drejt mendimit të lirë. Me këto koncepte e botëkuptim vijnë edhe personszhet me botën e tyre tëbrendshme. Liria në përditshmëri krijon lidhje shpirtërore në ide e përjetime, të cilat lidhin hallka të pashkëputshme në jetë. Këto lidhje të dashurisë intime dhe ato të filozofisë njerëzore, Sazan Goliku i ka shkrirë natyrshëm. Dashuria si intimitet i zjarrmisë i ka edhe traumat e veta; këto intimitete të brendshme barten përmes protagonistit të veprës, ato zgjidhen me elokuencë.
Njeriu intelektual, me njohje shkencore dhe edukatë të vërtetë njerëzore, i ka synimet gjithnjë në kërkim dhe pasqyrim të arritjeve të suksesshme, duke ofruar zgjedhjen e pranueshme për kohën e tij. Në këto relacione kohësh e diktimesh pa diktate zhvillon punën shkencore dhe edukative me studentët e tij edhe profesori Rukipeu, i cili ka diapazon në shkencë, dhe atë e zhvillon me metodologjinë sa shkencore, po aq edhe edukative. Nëpërmes protagonistit, Sazan Goliku ka ndërlidhur botën me filozofi të arsyeshme jo si imponim, po si zhvillim në ngritjen e vetëdijes shoqërore. Pikërisht kjo mënyrë dhe qasje e ligjëratave të tij arrijnë të reflektojnë bukur te gjeneratat e reja; ato kanë lirinë e komunikimit në parashtrim të tezave filozofike. Mirëpo kjo formë e suksesit krijon edhe pengesat në shoqëri nga individë dhe qarqe të tjera. Profesori Rukipeu, ia arrin me vetëbesim të tejkalojë situatat e mundimshme si nga studentja e nxitur nga prapaskena ,po dhe atë në ballafaqim me ligjëdhënësitë.
Ballafaqimi me prokurorin në pyetje dhe mbrojtje janë pika të mundimshme, andaj në këtë situatë Rukipeu tregon zgjuarsinë e tij prej intelektuali dhe pedagogu. Këto edhe pjesë të tjera në novelë japin mesazhin me qartësi dhe komunikim të arsyeshëm, sepse kur pedagogu është vërtetë i tillë, ai në shfaqjet e tij arrin të dëshmojë rolin e tij në kulturë, dije dhe arsyeshmëri.
Zilia për shkollën e tij filozofike në vazhdimësi dhe sukseset me studentë në rritje të numrit krijon dhe revoltën për konkurrencën e qytetit. Përkundër këtyreve insinuatave e kundërshtimeve në prapaskenë, filozofia e reformuar arrin të tejkalojë këto ndjekje. Protagonisti i novelës është kreativ në ligjërimet e tij, mënyra e komunikimit është vetë jeta e tij prej pedagogu të mirëfilltë. Ai kërkon zhvillim të mendimit të lirë, ruan vlerat e filozofisë, gjithnjë duke i lidhur epokat në këto procese zhvillimore të dijes.
Nëpër këto përafrime edhe personazhet komunikojnë lirshëm. Kjo nxit debate në dhënie e marrje të ideve. Në këto konkretizime, sa interpretuese, po aq dhe dedikuese, shpalosen epokat dhe idetë e tyre, ato nuk ngurtësohen, përkundrazi gjejnë shtrirje në kodifikime e teori të reja. Pohimi dhe mohimi janë proçese që Sazan Goliku në novelë i lë të hapura për diskutime. Ai thotë: “Po gjykimet e mia për këtë ose atë tezë ndryshonin në kohë, ashtu siç ndryshonte jeta në Athinë e nëpër botë. I kam pas nderuar si hyjni edhe Sokratin, edhe Demokritin edhe Platonin, edhe Aristotelin. Për shumë çështje s’mund të isha në një mendje me teoritë e tyre, ashtu si dhe ata nuk puqeshin me teoritë e njëri-tjetrit.” (S. Goliku, “Zjarr”, f.35)
Këto teori kanë vlerë për njerëzimin, kurse shkollat filozofike janë ndërtuar e ngritur, duke ruajtur identitetet e tyre. Në këtë kontekst personazhet e novelës arrijnë në liri shpirtërore, për të ruajtur e ngritur personalitetin tyre njerëzor e intelektual. Protagonisti i novelës arrin simpati të vazhdueshme me kreativitetin e shkollës së tij.
Ngritja e vetëdijes ka përcaktimet e veta nëpër kohë. Ato vijnë si ndryshime me personazhet, të cilët bartin kapitalin e merituar ose të fituar në rrethanën e krijuar nga vetë ata. Bota e mendimit të lirë ka dëshmuar se mendimet ndryshe janë mëse të domosdoshme jo vetëm në nivelin e mendimit shkencor, sepse perceptimet e arrira i japin jetë civilizimit. Këto realitete, protagonist i novelës i ka synim dhe në këtë frymë e zhvillon materialin filozofik, duke i dhënë materies së brendshme gjakim dhe frymim të lirë.
E bukura dhe e shëmtuara janë dy faqe në të gjitha epokat e njerëzimit, sikur zilia dhe suksesi që shfaqen herë si dashuri e herë si hije. Ato brenda vetes kanë jetëshkrimin e tyre të goditur në këtë novelë të Sazan Golikut. Në realitet lexuesi nga këto përshkrime arrin të depërtojë në brendi të vetë shpirtit të njeriut.
Zjarri si emërtim dhe zjarri si përjetim shpirtëror në zanafillë ka simbolikën e vet, që i atribuohet sakrificës për njerëzimin. Në këto pikëtakime të zjarreve të dukshme e të padukshme, bashkë me “Gof-in” e Anton Pashkut, ngjarjet në novelën e Sazan Golikut, janë komponuar rrjedhshëm, ato në të gjitha situatat të ofrojnë melodi dhe peizazh dhe të japin imazhin e dëshirueshëm në përjetimin e skenave dhe në parafytyrim të mjaftueshëm për bartjen testament të këtij zjarri të Prometeut. Ose siç tha Gynter Grasi në një intervistë, më 1985: “Ende kemi mundësi. Të mbledhim traditat tona më të mira, të bashkojmë leksionet më të mira, të mësojmë të duam.” (Rilindja, 10.11-1985)
Novela “Zjarr” është metaorë e refalizuar bukur në përsiatje të kohëve, ndërtimeve e ngritjeve intelektuale. Ato vijnë si rezultat i kërkimit të vazhdueshëm nëpër rrjedhat shoqërore e filozofike për jetën, artin dhe për të njohur-prekur dukuritë më të shëmtuara që krijojnë kreatorët e dinastive, në ruajtjen e monopoleve nëpër hierarki të ndryshme. Novela “Zjarr” bart në vete vlerat estetike në funksion të përjetimit deri në pafundësi./r.g/Fjala.al