Gjatë vitit 2019 kanë hyrë në vendin tonë mbi 6. 4 milionë shtetas të huaj. Numri i polakëve që kanë hyrë në vendin tonë është rritur, ndërsa numri i gjermanëve ka rënë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit mësohet nga gjatë 2019 kanë dalë nga vendi mbi 5 milionë shtetas.
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Dhjetor 2019, janë 897.696. Krahasuar me Dhjetor 2018, ky tregues rezulton me rritje 7,7 %. Në Dhjetor 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 288.708, krahasuar me Dhjetor 2018 ky numër është rritur me 2,9 %.Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë gjatë vitit 2019 është 6.406.038, duke u rritur me 8,1 %, në krahasim me vitin 2018. Në Dhjetor 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Gjermania, krahasuar me Dhjetor 2018.
Gjatë vitit 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 18,2 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 13,9 %.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Dhjetor 2019, janë 784.404 duke shënuar një rritje me 19,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Dhjetor 2019, janë 485.230, krahasuar me Dhjetor 2018, ky numër është rritur 8,8 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Dhjetor 2019, janë 299.174, krahasuar me Dhjetor 2018 ky numër është rritur 42,9 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë gjatë vitit 2019, është 5.921.750 duke u rritur 9,4 %, krahasuar me vitin 2018.