Nga dita e nesërme do të përfundojë afati 3 javor i orës policore e vendosur më 11 nëntor nga Komiteti i Ekspertëve për ndalimin e qarkullimit dhe mbylljen e barve e restoranteve pas orës 22;00.
Këto masa shtrënguese për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 hynë në fuqi më 11 nëntor e do të zbatoheshin për tre javët në vijim. Ndërkohë, autoritetet kanë njoftuar se në varësi të situatës do të njoftohej për kufizimet e reja.
“Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në 11 Nëntor dhe do të zgjasin deri në 3 javë. Masat do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve”, njoftoi MSH.
Kujtojmë që kufizimet përfshinin lëvizjen e kufizuar të automjeteve dhe këmbësorëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, mbylljen e bareve dhe restoranteve si dhe rekomandoi punën e administratës nga shtëpia.
Duke qënë që afati përfundon nesër nuk dihet nëse Ministria e Shëndetësisë do të njoftojë per kufizime të reja apo do të shtyjë orën policore të vendosur tre javë më parë, nisur nga fakti që shifrat e të infektuarve kanë shënuar rritje.
Kujtojmë që ditën e sotme, Kryeministri Rama deklaroi se ende nuk janë diskutuar masa të reja shtrënguese para festave të fundvitit, megjithatë nuk përjashtohet një mundësi e tillë në varësi të pandemisë së Covid-19./Re.D/Fjala.al