BE ka akorduar një fond prej 1.5 milionë eurosh për nxitjen e punësimit në Shqipëri dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.
Përfituese janë 12 bashki në rang vendi, të cilat në bashkëpunim me shoqërinë civile, kanë nisur zbatimin e 71 projekteve të fokusuara kryesisht në sektorë si turizmi; fuqizimi ekonomik i të rinjve, përfshirja sociale, mbrojtja e mjedisit, demokracia vendore, barazia gjinore etj.
Shuma financiare me të cilën është mbështetur secili projekt nuk e kalon vlerën maksimale prej 17 mijë eurosh dhe vlerën minimale prej 11 mijë eurosh.
Programi (ReLOaD), është një iniciativë rajonale e cila financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Programi ka filluar zbatimin në 1 shkurt 2017 dhe do të përmbyllet në datë 31 janar 2020. Qëllimi i tij është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në Shqipëri, programi ka vendosur partneritet me 12 bashki: Dibra, Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Lezha, Përrenjasi, Përmeti, Tropoja, Shkodra, Tirana, Roskoveci dhe Korça.
Në total Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financuar nga BE, kap një vlerë prej 10 milionë eurosh, me 200 projekte të mbështetura dhe me 38 mijë qytetarë që kanë përfituar.