Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, foli sot për mediat lidhur me situatën problematike të krijuar nga përmbytjet në disa qarqe të vendit. Ai deklaroi se jemi në kulmin e dimrit dhe reshjet pritet të shtohen, por theksoi se nuk jemi nën ndikimin e shkarkimit të lumenjve të mëdhenj si Drini, Vjosa apo Shkumbini.
Ai u shpreh po punohet intensivisht, ndërsa u ka bërë thirrje bashkive që të jenë më të përgatitura për të tilla situata.
“Vendi ynë është përfshirë nga një intensitet i konsiderueshëm reshjesh. Zonat më të prekura kanë qenë prefekturat e Shkodrës, të Lezhës, të Tiranës, të Durrësit, të Fierit të Vlorës.
Agjensia Kombëtare e Mrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes ka marrë të gjitha masat dhe ka monitoruar dhe ndjekur hap pas hapi situatën. Po thuaj në të gjitha prefekturat janë ngritur dhe janë organizuar mbledhjet dhe takimet përkatëse të shtabeve të mbrojtjeve civile. Ashtu si edhe në bashkitë e këtyre prefekturave janë marrë masat përkatëse”, tha ai.
“Nuk kemi shtim të shkarkimeve. Jemi në kulmin e Dimrit, për sa kohë reshjet kanë munguar për një periudhë të caktuar, pritshmëria për shtim të tyre është dhe jemi duke i monitoruar hap pas hapi. Ka prezencë uji të shtuar në tokat bujqësore”, shtoi Çako.