Në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit u ka bërë thirrje përdoruesve të Whatsapp të tregojnë kujdes.
Ky reagim vjen pasi kohëve të fundit, përdorues të paautorizuar kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të këtij aplikacioni. Këta persona regjistrojnë në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim.
“Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”, tha Suela Bonjaku.
Policia thekson që numri 6-shifror të mos ndahet me një person tjetër, pasi kështu bëhet i mundur vjedhja e llogarisë si edhe rekomandon vendosjen e mënyrës së verifikimit me dy hapa.
Personat që po kryejnë këto vepra kriminale aktualisht janë duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.