Parlamenti Europian/ Balla publikon deklaratën për Ballkanin Perëndimor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikoi deklaratën përfundimtare të Samitit Parlamentar Evropian-Ballkani Perëndimor, që u mbajt ditën e djeshme në Bruksel.

Deklarata e firmosur nga krye-parlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshi këtu Kosovën dhe Serbinë, theksohet angazhimi për procesin e integrimit evropian, forcimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë parlamentare. Por i kërkohet Këshillit Evropian që të japë një mesazh të qartë politik me hapjen e negociatave ose dhënien e statusit të vendit kandidat si dhe të mbështes perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

DEKLARATA E PUBLIKUAR NGA TAULANT BALLA

Ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me Presidentin e Parlamentit Evropian dhe Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, i cili përfaqëson Presidencën kroate të Këshillit të BE-së,

1. Rikonfirmojmë rolin kyç të parlamenteve për çuarjen përpara të agjendës së reformave të BE-së dhe për ruajtjen e aspiratës evropiane të popujve të Ballkanit Perëndimor;

2. I bëjmë thirrje Këshillit Evropian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar ne plotësimin e kritereve të anëtarësimit, dhe të japë një mesazh politik të qartë dhe pozitiv në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe dhënien e statusit te vendit kandidat;

3. Gjykojmë se Samiti i Zagrebit mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm për të kthyer kredibilitetin e politikës së zgjerimit dhe për ti dhënë këtij procesi një shtysë të re efektive përmes konkluzioneve konkrete që do ta çonin rajonin më pranë BE-së dhe do të garantonin qëndrueshmërinë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor;

4. Konfirmojmë angazhimin e plotë të parlamenteve tona për të marrë pjesë në reflektimet për një “qasje të re” ndaj zgjerimit, në mënyrë që procesi të bëhet më demokratik, më transparent dhe më pranë qytetarëve dhe shoqërisë civile; rikonfirmojmë se sundimi i ligjit është – dhe duhet të mbetet – një gur themeli i procesit të anëtarësimit;

5. Besojmë fort se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë në dobi të popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të Vendeve Anëtare të BE-së, dhe mund të sjellë pajtimin aq të nevojshëm në rajon;

6. Gjykojmë që, ndërsa përgatitjet për Konferencën mbi të Ardhmen e Evropës po ecin me shpejtësi, Ballkani Perëndimor Gjashtë duhet të jetë tërësisht i lidhur me punën e Konferencës;

7. Jemi plotësisht të angazhuar të punojmë së bashku për të forcuar demokracinë parlamentare dhe dimensionin parlamentar të procesit të zgjerimit, si dhe për të thelluar kulturën parlamentare, të bazuar në arritjen e konsensusit përmes një dialogu për qëllim të mirë, të hapur, gjithëpërfshirës dhe jo-konfrontues, i udhëhequr nga interesi për paqe të qëndrueshme; theksojmë rëndësinë e programeve për mbështetjen parlamentare dhe të ngritjes së kapaciteteve, të realizuara në nivel lokal dhe rajonal, të mbështetur nga Parlamenti Evropian;

8. Besojmë se fuqizimi i parlamenteve është një pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit, pasi vetëm parlamentet e fuqizuara dhe efikase, me kultura të forta të dialogut gjithëpërfshirës dhe arritjes së konsensusit, mund të jenë motorë të vërtetë dhe efektivë të reformave.

Së fundmi, ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë, me mbështetjen e plotë të Presidentit të Parlamentit Evropian dhe Kryetari i Parlamentit te Kroacisë, i cili përfaqëson Presidencën kroate te Këshillit te BE-se, angazhohemi për të drejtuar parlamentet tona përkatëse në këtë rrugëtim dhe të ndihmojmë për të krijuar një moment të ri politik në procesin e zgjerimit që i përgjigjet pritshmërive të të gjithë qytetarëve tanë.

David Maria Sassoli President i Parlamentit Evropian

Gordan Jandroković Kryetar i Parlamentit të Kroacisë

Gramoz Ruçi Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Denis Zvizdić Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës

Dragan Čović Kryetar i Dhomës së Popujve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës

Glauk Konjufca President i Kuvendit të Kosovës

Ivan Brajović President i Parlamentit të Malit të Zi

Talat Xhaferi President i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Maja Gojković Kryetare e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë

Të fundit

Plagosja me thikë e 40-vjeçarit në Korçë, identifikohet autori i ngjarjes

Është identifikuar autori i plagosjes më thikë mbrëmjen e së martës të 40-vjeçarit Ergyst Shtylla. Ai është identifikur si 39-vjeçari me...

Trump firmos urdhrin, SHBA tërhiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Presidenti amerikan Donald Trump të martën tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, zgjati vendimin për pezullimin e...

Rama publikon videokartolinën për shqiptarët e Amerikës/ Ja çfarë shkruan

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur me një videokartolinë për shqiptarët e Amerikës. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u ka rikujtuar që të...

Temperaturat deri në -3°C! Orë me diell dhe mjegull e dendur, parashikimi i motit për sot

Temperaturat deri në -3°C! O Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin por nuk do të mungojnë vranësira të pakta kalimtare nga orët e...

Kur shqiptarët ndahen në dy fronte për shkak të një xholi apo një gjesti

Nga Leonard Veizi   Atë që Gjesti i bëri shqiptarëve nuk ia ka bërë dot as UDB-ja, – një organizëm që kishte për detyrë të ndante...

Lajme të tjera

Web TV