Ekzekutohet me pesë plumba Pjerin Xhuvani dhe plagosen katër persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive e policisë. Autori i ngjarjes dyshohet se është Arbër Papleka, pjesë e zyrës elektorale të PD-së, i cili u arrestua pak minuta pas krimit. Si nisi konflikti dhe dyshimi për shpërndarje parash në këmbim të votave që solli në krimin e rëndë. Tensionohet situata politike vetëm katër ditë para zgjedhjeve. Ambasadorja Kim i kërkon Metës, Ramës dhe Bashës vetëpërmbajtje dhe dhënie të mesazheve të qetësisë.
Dukej si një kronikë e paralajmëruar vrasja në Elbasan që ka marrë ngjyra të forta politike, vetëm dita, ora dhe personazhet “pritej” që të mësoheshin… Në mes të qytetit të Elbasanit dhe në pikun e mesditës Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë ne vend dhe tre persona të tjerë u plagosën, mes tyre edhe një efektive policie. Ngjarja ndodhi rreth orës 14 .00 në lagjen “5 Maji” të qytetit ku u përplasën dy grupimet politike të PS dhe PD në lidhje me dyshimin se Xhuvani po shpërndante para në këmbim të votës për PS-në. Në rrethana ende të paqarta, dyshohet se pas konfliktit verbal dhe fizik, palët kanë shkëmbyer zjarr dhe për pasojë mbeti i vrarë në vend 56-vjeçari Pjerin Xhuvani dhe u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani, 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç, Xhensila Sota 27 vjeçe (punonjëse e policisë). Eltjon Bodinaku ishte edhe dhëndri i Xhuvanit dhe mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Sipas informacioneve paraprake Vuksani është pjesë e Partisë Demokratike. Punonjësja e policisë ka qenë një nga personat e parë që ka mbërritur në vendngjarje dhe ka tentuar të neutralizojë personat në konflikt, por mori një plumb në këmbë, por fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Xhuvani dhe disa persona të tjerë u akuzuan nga PD se ishin inciatoret e incidentit në Elbasan në festimet e Ditës së Verës ku pati përplasje fizike mes militantëve të PD dhe PS.
Reagimi
Menjëherë pasi policia u njoftua për ngjarjen e rëndë mori masa të forta, duke nisur drejt Elbasanit edhe efektivët e Repartit Special RENEA si dhe krerët e Policisë së Shtetit. Për shkak të masave të marra autori i dyshuar i krimit Arbër Papleka është dorëzuar në polici dhe nda dëshmitë e para ka pretenduar se fillimisht ishte Xhuvani dhe personat që e shoqëronin të cilët qëlluan drejt tij dhe më pas për vetëmbrojtje u kundërpërgjigj. Pavarësisht pretendimeve, do të jetë grupi i ekspertëve që të përcaktojë dinamikën e krimit, edhe pse kunformohet se nga hetimet paraprake ka pasur shkëmbim zjarri dhe është përdorur më shumë se një armë. Por çështja nuk është më vetëm “kronikë vrasje”, pasi motivi duket se lidhet mirëfilltas politikisht. Autori është konfirmuar se ishte pjesë e stafit të PD-së dhe në vendin e ngjarjes ndodhej pikërisht për të bllokuar sipas tij mjetin me të cilën udhëtonte Xhuvani, pasi kishin të dhëna se po shpërndante para në këmbim të votës dhe kishte disa karta identiteti të votuesve të Elbasanit. Ndërkohë, mësohet gjithashtu se i shpallur në kërkim është dhe shtetasi Kelmend Xhaferri, i cili është nja nga personat e denoncuar me foto nga Partia Demokratike pas përplasjes në ditën e verës në Elbasan, ku pati përplasje mes simpatizantëve PD-PS.