Trendi i infektimeve i këtyre ditëve është pasojë e grumbullimeve gjatë fushatës elektorale. Kështu u shpreh ditën e sotme shefi i Urgjencës, Skënder Brataj, teksa ishte në një lidhje “Skype” me emisionin “Breaking” në Top News.
Gjithashtu Brataj foli edhe për shtrimet në spitale, ku u shpreh se për dy ditë nuk ka pasur asnjë person që ka shkuar për të marrë mjekim në QSUT. Shefi i Urgjencës sqaroi më tej se kjo ishte vetëm për spitalin covid 1, por ka pasur shtrime në spitale të tjera covid.
“Kohët e fundit u vu re një rritje e lehtë e të shtruarve në spital. Ditën e djeshme ka pasur 14 nga të cilët 4 në QSUT. Dua të sqaroj se ishte rastësi ato dy ditë që nuk na erdhën qytetarë për t’u shtruar në QSUT, por kjo nuk do të thotë që nuk kishim pacientë për 24 orë, sepse qëlloi që pacientët dërgoheshin te spitali COVID 2”, tha Brataj.
Sipas tij, ajo që është pozitive në këtë pikë është fakti se të sëmurët nuk janë aq rëndë dhe qëndrojnë më pak.
“Kjo është një rritje fiziologjike si rezultat i fushatës elektorale dhe kujdesi duhet të vazhdojë”, përfundoi shefi i Urgjencës.