Këmbët e grave, në duart e Gëzimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zanatet e vjetra thuajse janë harruar dhe nuk preferohen më. Mirëpo, jo të gjithë gëzojnë të njëjtin qëndrim. Njihuni me Gëzim Gorrën, këpucarin e përjetshëm të grave.

Nga Alessia Selimi

Në një rrëmujë të këndshme, ku gjurmët e një njeriu punëtor ndihen më së miri, vëmendjen e tërheqin lloj e soj këpucësh, shumëngjyrëshe, të vjetra, por edhe të reja, të veshura veçse një herë. Me një përparëse blu, aspak të pastër, me ngjyrë thuajse të njëjtë të bluzës që mban veshur, Gëzim Gorra nuk ngurron të na presë në atë çka e konsideron shtëpi të dytë; në dyqanin modest dhe të vogël, në Rrugën e Barrikadave, qepeni i të cilit zhaurin për më shumë se 15 vite. Në po të njëjtën orë, me po të njëjtën dëshirë.

Me syze përmbi hundë, fjalëpakë, aspak harbut, ky burrë me thinja kapriçoze është një ndër këpucarët e pakët që i kanë mbetur kryeqytetit. Evoluimi i teknologjisë ka bërë që njerëzit të zëvendësohen lehtë, të lihen mënjanë, nga makineri të ndryshme, të frikshme, tepër inteligjente. Mirëpo, Gëzimi duket se aprovon një këshillë të hershme, ironike, të piktorit të njohur Françesko Goja. “Këpucar, rri te këpucët”, – i tha zanatliut personal të mbretit spanjoll Karl III, në një moment kur ky i fundit po e kritikonte për tablonë kushtuar monarkut.

Me një çekiç me bisht të drunjtë në njërën dorë, që po e lë të pushojë në tavolinën e punës, 65-vjeçari pohon se nuk di të bëjë asgjë më mirë në këtë jetë sesa të qepë këpucë. “Jam njohur me profesionin e këpucarit në moshën 13-vjeçare. Im atë, Haxhi Gorra, ka qenë një ndër këpucarët e parë në vend. Unë nuk jetoja vetëm me pjesëtarët e familjes; miqtë e ngushtë të tim eti, që e vizitonin çdo ditë rishtazi në shtëpi, ishin këpucë të grisura, të shqyera dhe të vjetruara”, – thotë Gëzimi, ndërkohë që duart i mban të kryqëzuara përmbi gjoks.

Mjeshtër Gorra është interesant, jo vetëm për pasionin që i pikaset në sy, por edhe për faktin se i është përkushtuar nga hera riparimit të këpucëve të grave. “Kam qenë tepër i ri, kur fillova punë si këpucar në Shkollën e Lartë të Bashkuar. Unë kam qenë këpucari i oficereve të para komuniste që po përgatiteshin , si pjesë e strukturave të forcave të armatosura. Asokohe, kujdesesha për këpucët e 100 vajzave, që mund të ishin atlete, sandale, si dhe këpucë stërvitjeje”, – rrëfen Gëzimi, duke shtuar se punonte mbi to, sipas trajtës e madhësisë së këmbëve, çdo mëngjes.

Lexo edhe :  Rama nga Spitali i Kirurgjisë Kardiovaskulare: Investimi më i rëndësishëm në shëndetësi

65-vjeçari u qëndron ende besnik këtyre këpucëve. Qofshin të lehta apo të rënda, të sheshta, prej lëkure, gome, plastike… Mjafton të jenë këpucë grash. “Dallojnë së tepërmi nga këpucët e burrave. Janë më delikate në punim, kërkojnë vëmendje të posaçme”, – shprehet Gëzimi, teksa instinktivisht rrotullon sytë tek ato që ka pranë. Një makinë qepëse, e vjetër, pothuajse sa Gëzimi në profesion, ndodhet ngjitur vitrinës së dyqanit. Në të kanë kaluar shumë këpucë, shumë rripa të këputur dhe shumë zinxhirë. Po ngjitur vitrinës, shihen edhe një palë këpucë meshkujsh. Të vetme në llojin e tyre. “Brenda ditës së sotme, kam shtatë palë këpucë për të riparuar, përfshirë këtu këto që po shihni në vitrinë. Janë të një mikut tim. Shumë rrallë mund të merrem me këpucët e meshkujve, preferoj t’i përkushtohem atyre të grave. Jo vetëm për ambicie profesionale, por edhe për kënaqësi estetike”, – thotë Gëzimi.

Teksa gëzon klientë besnikë, mjeshtri pohon se ka edhe një student të shkëlqyer, të birin, ndonëse ushtron profesionin e tregtarit. Duket se nuk i shmanget dot krahasimit të së shkuarës me të tashmen. Gëzimi thotë se një këpucar vlerësohej dikur shumë më shumë. Megjithatë, nuk ankohet. Me anë të kësaj pune ia del të mbajë familjen, si dhe të ushqejë shpirtin. Vetëm diçka e gërryen; punimi jo cilësor i këpucëve. “Cilësia e tyre, tepër e dobët. Këpucët e ditëve të sotme punohen me një material skandaloz, me karton. Ndërkohë që, një këpucë e mirë kërkon me patjetër lëkurë gjedhësh të regjur, shollë”, – shpjegon Gëzimi, i cili e pikas lehtësisht këpucën e punuar keq, qoftë edhe duke e parë disa metra tutje, mbathur në këmbët e tjetërkujt.

Këmbët e grave meritojnë më të mirën. Kësisoj, bashkëbisedimi ynë përfundon. Pavarësisht dëshirës për të folur pak më shumë, Gëzimi zgjedh një palë këpucë të lustruara dhe të zeza. I vendos pranë vetes dhe nën zë ia nis një kënge. Për të, kjo ditë sapo ka filluar.

 

Të fundit

“Blindohet” Shqipëria, zbuloni makinat e reja ushtarake

Shqipëria ndërmerr një hap të rëndësishëm në modernizimin e Forcave të Armatosura, sipas raportimit të Iveco Defence Vehicles. Së...

Bashkia mbyll 11 kilometra plazh, shkaku… dragoi blu!

Spanja ka dhënë alarmin ditët e fundit pas shfaqjes së një krijese të rrallë dhe të rrezikshme detare, e njohur si "dragoi blu", në...

Toni Kroos kritikon Bayernin: Duhej ta blije atë lojtar, është klas botëror!

Enzo Millot. Ky është lojtari, i cili sipas Toni Kroos duhej të blihej nga Bayern. Ish-kampioni i botës ka kritikuar ish-klubin e tij për...

90 minuta larg historisë, Shkëndija triumfon me përmbysje ndaj Ludogorets

Shkëndija e Tetovës ka korrur një fitore historike përballë Ludogorets. Kuqezinjtë e drejtuar nga Jeton Beqiri fituan me përmbysje në sfidën e parë, të...

Fenomen i rrallë, Hëna e zezë do të shfaqet këtë fundjavë

Një fenomen i rrallë që ndodh gjatë fazës së hënës së re do të shfaqet këtë fundjavë. Ai quhet 'Hëna e zezë', pasi hëna...

Lajme të tjera

Web TV