Policia e Pogradecit ka arrestuar një person, pasi tentoi të trafikonte drogë nëpërmjet kufirit liqenor. Ndërkohë në kërkim është vënë i vëllai i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. P., 35 vjeç dhe shpallën në kërkim vëllain e tij F. P., 29 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, duke përdorur kufirin liqenor të Ohrit.
Falë veprimeve të mirë organizuara, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit A. P., duke tentuar të trafikonte 1 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një varkë, dy motorra uji tip “Yamaha”, dy peshore elektronike, mjete të cilat përdoreshin nga dy vëllezërit në këtë veprimtari të paligjshme.
Nga ana e Policisë, po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.