2 korrik 1990/ 31 vjet më parë, si u rrëzua “muri shqiptar i Berlinit”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shpërthimi i ambasadave, si nisi rënia e sistemit komunist. Një “Skoda” me 36 veta në rimorkio i ra murit të pasmë të ambasadës gjermane dhe hyri në oborrin e saj, më 2 korrik 1990. Kjo u hapi rrugën shumë të tjerëve, që vërshuan në oborrin e ambasadës përmes murit të çarë

Nga Leonard Veizi

Epilogu dukej thuajse i trishtë. Megjithëse me një shpresë të madhe se do tëmbërrinin në “tokën e premtuar”, sërish një hije ndrojtjeje dhe dyshimi i kishte kapluar të gjithë. Ata ishin pajisur me pasaportat ndërkombëtare, vizat përkatëse, ndërsa pak më tutje autobusët prisnin nëradhë. Frika e një itinerari të ndryshuar i mbante tëmbërthyer të gjithë…

…Mesnatën mes 12 dhe 13 korrikut 1990, një kolonë ku numëroheshin të paktën 50 autobusë, udhëtonte si në një kortezh të përmortshëm nga rruga e ambasadave në Tiranë drejt portit të Durrësit. Udhëtarëve të pazakontë, të cilëve u ishte ngjitur emërtimi “refugjatë”, veç u ishte thënë se në terminal ishin ankoruar tragetet që do t’i çonin përtej detit.

Rënia

Çdo ditë e vitit 1990 kishte nga një lajm të ri. Shqiptarët nuk ishin më aq të izoluar sa pesë vjet më parë, atëherë kur Enver Hoxha e kishte lënë pushtetin në duart e Ramiz Alisë. Madje, mund të guxonin dhe të ngrinin krye ndaj një sistemi diktatorial që deri në atë kohë vetëm u kishte shtypur kokën mes masave të rrepta: dënimeve, internimeve dhe ekzekutimeve të pashembullta. Por, mesa dukej, gjithçka kishte ndryshuar. Muri i Berlinit kishte rënë dhe Gjermania ishte bashkuar. Në Rumani, kryengritësit kishin ekzekutuar udhëheqësin komunist, Nikolai Çausheskun. Kurse në Shqipëri proceset demokratike ishin ende të vonuara. Megjithatë, hapat e parë ishin bërë. Dyert e ambasadave u shpërthyen dhe pas kësaj të paktën 5000 shqiptarë morën një tjetër status. E,megjithatë, qëndrimi për ditë të tëra në territoret e ambasadave, nën një presion të madh dhe thirrje e lutje për të dalë prej aty, i kishte bërë njerëzit mosbesues. A do të mundnin vallë të mbërrinin për atje ku kishin thurur ëndrrat, në Gjermani, Francë, Itali apo Greqi.

Ikja

Edhe pse me pasaporta ndërkombëtare, njerëzit e Sigurimit të Shtetit mund të bënin “të pabërën”, kundrejt njerëzve që u rebeluan ndaj sistemit. Të tjerë, familjarë e të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur çfarë do të ndodhte. Ç’do të bëhej me “të ikurit”. Papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit,  jo nga Kombinati, por nga Lapraka. E, me gjithë këtë devijim, trotuaret e krahut të kundërt ishin mbushur gjithashtu plot me familjarë të të ikurve, por dhe të tjerë që do të donin të kishin ikur, por s’ia kishin dalë dot. Përshëndetje të mekura dhe lutje. Nuk dihej fati i tyre. Ndërkombëtarët ishin aty, por… gjithçka mund të ndodhte. Shqipëria vazhdonte të ishte nën diktaturë. Një ndalesë e shkurtër në Shijak u prit me protestë. Udhëtimi duhet të vazhdonte. Ndërsa në portin e Durrësit ndodhi habia. Ata që do të linin atdheun, të çliruar nga makthi, hiqnin bluzat, orët, unazat e florinjta dhe i hidhnin në rrugë me ndonjë mbishkrim të thjeshtë: “Nënës sime, si kujtim”. Të tjerët, lekët që u ndodheshin nëpër xhepa ua dhanë plot bujari shoferëve të autobusëve dhe ushtarëve të portit qërrinin të murosur me automatikët mbërthyer në gjoks. Kjo ishte ndarja…

Tentativat

Në fakt, hyrja nëpër ambasada kish filluar ditë më parë, jo në 2 korrik, por që më 15 qershor 1990. Atë ditë, një autobus fizarmonikë “Shkodra” me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi pranë ambasadës greke. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, dy persona kapërcyen murin rrethues. Më 23 qershor, Skoda tip “Liaz” e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane. Ndërsa pasditen e të nesërmes, një tjetër “Skoda”, e drejtuar nga Kastriot Mano, shembimurin e ambasadës gjermane. Më 1 Korrik, mbas ceremonisë së një dasme, 9 vetë u hodhën nga muri i kësaj familjeje në territorin e ambasadës turke. Gjatë atyre ditëve ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja. Bënë përjashtim vetëm ambasada kineze dhe kubaneze.

2 korriku

Një kamion i ra murit të pasmë të ambasadës gjermane dhe hyri në oborrin e saj më 2 korrik 1990. Kjo u hapi rrugën shumë të tjerëve, që vërshuan në oborrin e ambasadës përmes murit të çarë. Kamionin “Skoda” me plot 36 veta e ngiste shoferi Ylli Bodinaku. Ditёt qё pasuan përmes murit tё hapur u strehuan edhe qindra mijë tё tjerëqëkërkonin largimin nga Shqipëria nё shenjë proteste ndaj sistemit totalitar qё nuk lëshonte pe, pavarësisht ndryshimeve tё vrullshme nё mbarë Evropёn Lindore. Hyrja masive më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes, nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. 2 ditë më pas u dha një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t’u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t’u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: “Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit”. U tha se ky ishte një organizim shtetëror. Njëshfryrje e presionit. Dhe sërish erdhi urdhri tjetër. Liria kishte mbaruar. Nëpër rrugë lëviznin ushtarakët me uniforma kamuflazhi, shkopinj gome në duar dhe parzmore peçikllasi. Rruga e ambasadaveishte vënë në shtetrrethim.

Terrori

Jeta brenda kangjellave të ambasadës gjermane ishte shumë e vështirë. Për 3200 shqiptarë që kapërcyen murin dhe kangjellat nuk kishte mjete të zakonshme jetese. Mungonin banjat dhe nuk kishte kushte të tjera higjienike. Ushqimi ishte i pakët. Njerëzit filluan të sëmuren, u binte të fikët nga vapa e madhe. Ndihmoheshin kryesisht gratë e moshuara dhe gratë me fëmijë të vegjël, në mënyrë që të përballonin situatën e rëndë. Për arsye se ishin shumë njerëz brenda një territori të vogël, personeli i ambasadës gjermane hidhte bukën në ajër dhe ata ziheshim me njëri-tjetrit se kush ta kapte atë. Dalëngadalë njerëzit filluan të ndërgjegjësoheshin dhe të ndanin ushqimet në rregull ndaj njëri- tjetrit. Policia dhe sigurimi u bënin thirrje njerëzve që ishin brenda në ambasada të dilnin, duke u sjellë dhe familjarët e tyre, me qëllim që ata të tuteshin e të dilnin nga territori. Motivi ishte se, gjoja Partia do t’i falte ata. Por sa më tepër ditë kalonin, aq më i lartë bëhej morali dhe besimi i të ngujuarve në ambasada se do të shkonin në Gjermani.

Botërori

Ishin ditët e Kampionatit Botëror: “Itali 1990”. Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në një kryeqytet sportdashës si Tirana, u përcoll me interes të vakët. Shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Zërat e njerëzve ishin mekur nga zhvillimet e fundit. Kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Kur gjermanët shënuan gol, u dëgjuan fare pak britma entuziazmi. Por pikërisht që nga ambasada gjermane, oshtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin “Gjermani, Gjermani”. Pikërisht atëherë njerëzit që banonin në qendër apo te “Rruga e Kavajës” dolën jashtë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollit, dëgjonin oshtimat e të ngujuarve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë. Nëse Italia do të ishte në finale, ata gjithashtu do të ishin të gjithë me Italinë. Dhe po kështu me Italinë, Greqinë, Francën, Turqinë e Bullgarinë, në ambasadën e të cilës gjithashtu kishte shqiptarë që kishin kërkuar strehim.

Heronj në Brindizi

Qëndrimi në ambasada zgjati 11 ditë për ata që hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të tjerët që hynë ditët në vijim. Pas bisedimesh midis përfaqësuesve të regjimit dhe të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i tyre, i pjesës më antikomuniste të vendit, në shtetet perëndimore. Gjithsej të larguar më 13 korrik 1990 ishin 4691 persona nga të cilët: 3300 vetë në ambasadën gjermane, 812 vetë në ambasadën italiane, 550 vetë në ambasadën franceze, 29 vetë në ambasadën greke. Grupi i parë u largua më 13 korrik 1990. Autobusë u nisën rreth orës 23:00. Shumë njerëz nisën qanim se po linim gjithçka në Shqipëri. Kur hipën në traget, i ndanë sipas vendeve ku do të iknin. Tragetet e nisura nga Durrësi zbarkuan më 13 korrik në portin e Brindizit. Ishte e papërshkrueshme, por kur shqiptarët mbërritën në Brindizi u pritën me brohoritje nga mijëra njerëz. Shumë prej shqiptarëve puthnin tokën italiane duke bërtitur: Jemi të lirë.

Eksodi në vazhdim…

Ky ishte vetëm fillimi. Tronditja e fortë e shtetit shqiptar, që përjetoi më shumë se 45 vite regjimin totalitar ishte padyshim eksodi i parë përmes ambasadave. Por shumë më i madh eksodi do të vijonte në muajt pasardhës, në mars dhe gusht 1991. Shqiptarët u turrën të etur mbi bordet e anijeve. Dhe ikën…

Nga rrëfimi i Ylli Bodinakut

Në një intervstë për Deutche Welle,Ylli Bodinaku kujton se në 2 korrik, atë mbrëmje, kur i ra murit të pasëm të ambasadës gjermane dhe hyri brenda me kamionin e tij të ngarkuar me gruan, dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dymuajshe, me shokë, miq, me plot 36 vetë. Dhjetëra të tjerë vërshuan më pas në ambasadën gjermane, nga muri që ai rrëzoi. “Atë mbrëmje, në Bon u raportua që në ambasadën gjermane ishin futur menjëherë 86 vetë. Punonjësit e ambasadës na mblodhën dhe na lexuan një faks që kishte dërguar Genscher-i. Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë. Kështu thoshte fjalë për fjalë Genscher-i në faksin e tij,” sjell ai ndërmend.

 

Nga rrëfimi i Bujar Alikos

Bujar Aliko, në një intervistë për gazetën “Dita”, thotë: Në fillim të qershorit 1990, një shoku im, i cili kishte të motrën daktilografiste në Ministrinë e Brendshme, më thotë: “Bujar, bëj kujdes, se e ke emrin me vizë të kuqe, brenda një jave, ose arrestohesh, ose eliminohesh”. Pra, më kishin piketuar megjithë “familjen e mirë”. Gjatë kohës që ishim pushim, si çuna ne rrinim te bulevardi, te “Hotel Dajti”. Një shok më thotë: “futu te greku, se ai nuk të dorëzon, se e kemi armik”. Aty rrinte shpesh Leonidha, konsulli i Greqisë në Shqipëri. Një ditë i dola përpara dhe i them, që jam bashkë me një shokun tim dhe duam të hyjmë në ambasadë, na mban dot? Po, tha ai, por duhet të bëni kujdes. Ne nuk iu dorëzojmë dhe mund të rrini sa të doni. Bashkë me shokun u nisa, atij i thashë mbylle derën nga jashtë dhe çfarëdo që të më ndodhë lajmëro nga shtëpia.Në 15 qershor nëpër rrugica me një autobus të madh fizarmonikë, i cili ishte rreth 25 metra i gjatë. Edhe sot çuditem si e kam futur, nëse i keni parasysh rrugët e ngushta pas ambasadës greke, që tani janë ngushtuar edhe më shumë nga ndërtimet. Në rrugicë ishin dy makina, të cilat i shtyva dhe kur më doli përballë bahçevani (shqiptar, besoj se ishte i Sigurimit, donte të më mbante), e kam hedhur tutje dhe jam futur te ambasada greke.

Të fundit

Këto simptoma tregojnë se trupi është i ndotur me toksina

Ne përballemi me një ngarkesë toksike në trup, e cila vjen përmes ushqimit, pijeve, lëkurës dhe ajrit që thithim,...

Në ditën e saj të lindjes, Ardit Gjebrea falënderon vjehrrit për “dhuratën”

“Ka Një Mesazh Për Ty” nisi dhe vazhdoi me shumë dashuri me historinë e Esmeraldës dhe Manushaqes, nuse e vjehrrë që kanë një lidhje...

Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

Në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, listohen si pasuri kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë mbi 48.000 objekte. Vetëm në 2024 këtij regjistri...

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë, 7.9 milionë dalje gjatë 2024-ës

Shqiptarët po udhëtojnë më shumë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se përgjatë vitit 2024 flukset dalëse janë shtuar me 14% në krahasim me...

Rriten shpenzimet për dëmet që shkaktohen nga aksidentet

“Rritja vjetore prej 30% e numrit të aksidenteve rrugore në vitin 2024 ka shtuar shpenzimet totale të kompanive të sigurimeve për dëmet materiale dhe...

Lajme të tjera

Web TV