Shpendi Topollaj
Edhe pse kanë kaluar plot 245 vjet nga Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë të Sh.B.A. jehona e tridhjetë të shtënave përshëndetëse me artileri, ende dëgjohet me krenari jo vetëm në veshët e popullit amerikan. Burrat e shtetit të republikës së parë të madhe, me në krye plantatorin Xhorxh Uashington, pasi kishin shkrirë statujën e mbretit të Anglisë dhe e kishin kthyer në plumba me të cilët goditën ushtarët e regjimenteve angleze, gjë që solli traktatin e paqes të vitit 1783, ju kthyen me gjithë energjitë e tyre ndërtimit të shtetit sipas parimeve të baronit Monteskie. Koha që kaloi vërtetoi drejtësinë e atyre që u quajtën të drejtat e njeriut, aqsa pas luftës së Dytë Botërore, ato i bëri të vetat edhe statuti bazë i O.K.B. – së dhe vetë SH.B.A. jo vetëm mbetën pararoja e lirive dhe të drejtave demokratike të popujve, por dhe fituan respektin e shumicës së vendeve të qytetëruara. Mbi këtë bazë, pas shembje së regjimit totalitar komunist, janë ndërtuar edhe marrëdhëniet miqësore mes dy popujve dhe vendeve tona. Aty nga fundi i viteve dyzetë, kur qeveria shqiptare në kuadrin e çmendurisë që e kishte përfshirë, përzinte misionin diplomatik amerikan, shefi i këtij misioni, zoti Jakobs, një burrë i zgjuar dhe shumë serioz, pasi i futi krahun shkrimtarit dhe atdhetarit tonë Petro Marko, që po e përcillte në aeroport, në intimitet i pëshpëriti disa fjalë mbresëlënëse: “Ne po largohemi… E shohim se shihemi këtu si armiq. Po dua t`ju them vetëm këtë; Ju mund ta shani Ruzveltin, Ajzenhauerin e të tjerët, mua dhe gjithë autoritetet amerikane, por jo kurrë flamurin e lavdishëm të Amerikës. Ju atë e keni poshtëruar. Amerika këtë s`ka për t`ua harruar kurrë, kurrë.” Më 11 shtator të vitit 1991 shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare që nga Parisi, ku në një farë kuptimi qe bërë pasqyra e ndërgjegjes dhe aspiratave tona kombëtare, i drejtohej me një letër Xhorxh Bushit, ku i shkruante: “Zoti President i Sh.B.A. – së! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë të jetë i dënuar kështu. Dhurata që ju bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro – Hungarisë, duke i dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.” Natyrisht, lind pyetja: Përse populli ynë i rraskapitur nga dallgët e tërbuara të fatit, i zhgënjyer deri në mosbesim, orientohej në subkonshiencën e tij nga ai vend për të cilin për dekada të tëra kish dëgjuar sharje, shpifje dhe fyerje monstruoze dhe e priste zgjidhjen e çështjes kombëtare nga ai që sistematikisht ishin munduar ta bindnin se qe xhandari ndërkombëtar, tigri prej letre dhe kështjella prej rëre? Por, po kaq natyrshëm vjen edhe përgjigja: Popujt qëndrojnë përmbi ligësitë dhe mbrapshtitë e sundimtarëve; ata me një intuitë të mprehtë e gjithmonë të pagabueshme e gjejnë të vërtetën. Ndaj dhe populli ynë e kuptoi shpejt se Amerika kish bërë me kohë të vetën, thënien lapidare të avokatit virxhinas Tomas Xhefersonit, formuluesit të Deklaratës së Pavarësisë: “Të drejta të barabarta të gjithëve, privilegje të veçanta asnjerit”, dhe se ky bashkim shtetesh, që dikush e quan planet, qeverisej, të paktën që nga korriku i 1776 – ës, nga burra që artin e drejtimit e mbështesnin në artin e të qenit i ndershëm dhe që e kuptonin madhështinë e vendit të tyre, siç thosh Vilsoni, në madhështinë e njerëzve të thjeshtë. Kur Platoni kodifikonte parimet e republikës së tij, nuk kishte fare parasysh Amerikën, pasi ajo ende nuk qe zbuluar, por po të qe gjallë ai, me mburrje do të shprehej: Ja kështu e kam përfytyruar atë. Kur u kthye një miku im nga Amerika dhe më përsëriti pohimin modest të një të njohuri të tij atje, se Sh.B.A. kanë çdo gjë, veç historisë, m`u kujtua një fjalë e urtë se “Koha matet jo me gjatësi, por në thellësi.” Ndoshta, pikërisht këtë kanë dashur të thonë dy profesorë të njohur të historisë në universitetin Xhorxh Uashington dhe atij të Kolumbias, kur librin e tyre e nisin me këto fjalë: “Në fillim të viteve 1600 një lumë emigrantësh nga Evropa erdhi e u derdh në brigjet e Amerikës veriore. (Është fjala për ata që pasun tri anijet që hodhën spirancat në gjirin e Çesapikut më 1607 – shën. i autorit). Ai rrodhi për më se tre shekuj. Nisi si një çurg i hollë me disa qindra kolonë anglezë, por me kohë u shndërrua në një rrëke të vërtetë… Nisur nga qëllime të ndryshme, por tepër të vendosur, ata ndërtuan një qytetërim krejt të ri në një kontinent deri atëherë të egër.” Duke u bërë brenda një kohe kaq të shkurtër, shteti më i konsoliduar, më i fuqishëm dhe më i begatë, duke mbetur zilia dhe pika e referimit për të tjerët, shembulli që duhet ndjekur nga kushdo e strehë e përbotëshme, që për devizë ka shprehjen e Grantit se “Puna nuk e turpëron njeriun, por ka njerëz që e turpërojnë punën”, Amerika ka hisorinë më të lavdishme dhe me të drejtë mund të krenohet për këtë. Autorit të “Gjykimit të shëndoshë”, T. Peni, që aq shumë bëri për Amerikën e më gjerë, fatmirësisht ju vërtetua profecia: “Kurrë dielli s`ka ndriçuar mbi një kauzë me rëndësi më të madhe. Nuk është puna e një qyteti, e një krahine, province apo mbretërie, por e një kontinenti… Nuk është puna e një dite, një viti ose e një epoke, në këtë luftë merr pjesë edhe njerëzimi i ardhmë, mbi të cilin ngjarjet e sotme do të ndikojnë pak a shumë njësoj sa të jetë jeta. Tashti është koha të mbjellim bashkimin kontinental, besimin dhe nderin. E çara më e vogël sot do të mbetet si skalitja e një emri në lëkurën e butë të një lisi të ri, me pemën bashkë do të rritet dhe kjo skalitje dhe pasardhësit do të lexonin atë emër në gërmat e zmadhuara plotësisht…: “Popujt e ardhur nga të katër anët e globit, konverguan në forma nga më të ndryshmet, u bashkuan fort dhe u angazhuan ndaj principeve të demokracisë, mundësive ekonomike, lirisë fetare dhe sundimit të ligjit”, shkruajnë autorët Tindal e Shi. Por s`duhet harruar se për qytetarin amerikan, liria ka po atë kuptim që kish ajo për Bernen se “Nuk ka njeri që të mos e dojë lirinë, por i drejti e kërkon atë për të gjithë, kurse i padrejti – vetëm për vete.” Po kështu, ata i japin dhe paqes, – virtytit të civilizimit, siç e quan Hygoi, po atë kuptim që i jep R. Rolani se “Paqja e vërtetë kërkon që në radhë të parë të mënjanohen zotërinjtë e luftës.” Dhe ja pse , porsa drejtuam sytë nga SH.B.A., në ditë të vështira për ne, erdhi inkurajues mesazhi vëllazëror i presidentit Klinton se “Ju nuk jeni as të harruar, as të braktisur.” Pastaj, në vazhdim, duke konstatuar siç thosh vetë, se “Varrezat e Ballkanit janë mbushur plot, me premtimet e shkelura të presidentit Millosheviç”, ai pati burrërinë të marrë mbi vete përgjegjësi historike, duke dhënë me zë të vendosur, komandën “Zjarr!” Ne shqiptarët e dinim mirë se kjo nuk qe aspak e lehtë, pasi përvoja na kishte mësuar se lufta nuk është një shëtije gjuetarësh të ngeshëm nëpër pyll. Dhe pas kontributit që dhanë dhe vetë bijtë e bijat e Kosovës me armë në dorë dhe me gjakun e derdhur, ja ku është sot ajo e lirë dhe e qetë. Dhe ja ku kosovarët po ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre. Dhe ja ku vemë e vimë ashtu siç është e vërteta, sa herë të duam te njeri – tjetri, për t`u bërë një në kuadrin e Bashkimit Evropian. Ne shqiptarët patëm rastin ta provojmë vetë seriozitetin e deklaratës: “Kur bota përgatitej të hynte në mijëvjeçarin e ri, pyetja që qëndronte përpara komunitetit të shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta dhe të shenjta për demokracinë dhe lirinë, ishte nëse do të kishte një bashkëjetesë me filozofinë e dominimit të urrejtjes dhe të shtypjes së një kombi nga një komb tjetër”, deklaratë e cila e çoi në maja të larta thelbin e vërtetë të psikologjisë së politikës amerikane, që tek e fundit i ka rrënjët pikërisht tek ajo ditë e ndritur e vitit 1776 kur u sanksionua fraza: “Shpallim se këto të vërteta janë absolute. Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.” Është fat që edhe sot e kësaj dite, me presidentin e nderuar Xho Bajden (Joe Biden), i zgjedhur senator qysh 29 vjeç dhe njohës i shkëlqyer i problemeve ndërkombëtare, Sh.B.A. i mbeten besnik parimit të shpallur jo shumë larg, se “ne nuk duam ta shikojmë Evropën të futet sërish në luftën me tanke e artileri në të njëjtat beteja, që shekuj më parë i ka bërë me sopata e shigjeta.” Kjo është dhe arsyeja që sqaron interesimin e madh të këtij shteti të madh për arritjen e demokracisë në vendin tonë. Kjo përligj edhe shqetësimin e këtij aleati strategjik për kryerjen e reformave cilësore në Shqipëri, ku të mos ketë korrupsion që gërryen dhe padrejtësi që sjellin pakënaqësi në popull. Ja pse dhe fjalët e thëna nga zoti Jakobs, në aeroportin e Tiranës, nuk i drejtoheshin popullit shqiptar, por ishin shfrim i dufit të neverisë që një sistem demokratik kish ndaj atij bizantino – komunist, ja pse SH.B.A. do të nderohen me gjithë zemër nga populli ynë dhe ja përse flamuri amerikan do të valëvitet në krah të flamurit tonë kombëtar, njësoj si ai flamur që është vendosur në atë shtizën e lartë, në krah të pallatit të Pavarësisë në Filadelfia të Pensilvanisë, ku u nënshkrua ajo deklaratë historike, një kopje origjinale e të cilës mund të shitet në ankand miliona dollarë, por që mbetet thesari më i madh i të gjithë brezave njerëzorë, për nga vlerat universale që mbart dhe perspektivat e sigurta që çel.