Kryeministri Edi Rama tha se do të ndërtohet një rrjet antikorrupsion në të gjithë shërbimin publik. Ndërsa ka bërë me dije se do të ketë rritje pagash dhe statndard në punë
Nga Fernada Cenko
Do të jenë disa individë që do të vendosen në çdo institucion publik do të kenë detyrën e vetme që të bëjnë të mundur denoncimin e çdo akti korruptiv për të ndarë ‘të njomin nga i thatë’. Kështu tha shefi i Qeverisë nisur nga deklarata e një mjeku se lekët paciantët mund ti lënë në recepsion.Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar “një propozim të paturp” atë të bërë së fundmi nga një grup mjekësh duke u shprehur se ata kërkojnë legalizimin e ryshfetit. Kreu i qeverisë tha se mjekët dhe infermierët që tronditin opinionin publik duke u shfaqur si gjakpirës duhet të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit. Nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, kryeministri tha se ishte një kurajo e madhe për të lënë lekët nga pacienti në recepsion. “Më bëri përshtypje para disa ditësh një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Është vërtet mbresëlënëse për nga niveli i kurajos dhe paturpësia e propozimit”, tha Rama.
Informatorët tek bluzat e bardha
Gjatë fjalës së tij nga Materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, ku do të vendoset edhe guri i parë i themelit, kreu i qeverisë theksoi se shteti s’mund të jetë një rifuxhio për mëkatarët dhe grabitqarët. “Kjo është nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur në presion të dyfishtë sistemin tonë publik. Jo thjesht sistemin tonë shëndetësor, por atë publik. Këto që bëjnë të humbasin një pjesë të rëndësishme të pjesës së tyre nëse sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë që janë aty për t’i shërbyer shtetit dhe njerëzve”, tha Rama. Ai tha se edhe në spitale ashtu siç po ndodh në polici do të jenë rrjeti i spiunëve që do të bëjnë “kapjen” e korrupsionit. “Kjo është arsyeja se pse edhe në spitale, kemi vendosur që të shtrijmë deri në fund rrjetin e individëve që do të jenë aty për këtë punë, për të ndarë ose për të kontribuuar për ndarjen e të njomit nga i thati. S’mund të ketë luftë kundër të keqes nëse ajo është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti, në të gjitha nivelet. Lufta do të zhvillohet brenda në radhë të parë. Vetëm kështu do të rriten të ardhurat, besimi, solidariteti, dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë në sytë e të gjithëve, ata të cilët bëjnë detyrën. Vetëm kështu Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë vitesh është penguar që të ngjitet dhe kështu shteti do të bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm i qytetarëve. Në të kundërt, është e vështirë, shumë e vështirë.
Rritja e rrogës
Kryeministri Edi Rama tha se do të mbajë premtimin për mjekët që do të punojnë më shumë. Sipas tij, do ketë një pagë dysheme dhe më pas do të jetë në bazë të përvojës dhe kontributit. “Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur, dhe do ta rrisim, siç e kemi rritur në vitet pararendëse, nuk është një zotim elektoral por i planifikuar të mbahet, që pagat për bluzat e bardha të rriten në 40 për qind. Edhe kjo në vetvete nuk i thotë të gjitha sepse me autonominë spitalore duam të kalojmë në një nivel tjetër të shpërblimit të mjekëve”, tha kryeministri Rama. Ai tha se do të bëhet një tjetër përllogaritje page. “Duam të krijojmë një dysheme dhe mbi atë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj, por sipas mundit dhe volumit të shërbimit dhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht. Është thelbi që sjell autonomia spitalore. Por që të thuhet ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin, është një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që e gjithë lëvizja anti-korrupsion në të gjithë sistemin tonë, e cila ka filluar të ndihet, të shtrihet shumë më thellë”, tha Rama. Kryeministri bëri me dije se nuk do ketë barazi mes mjekëve, pra kush janë të ndershëm e kush janë të korruptuar. “Nuk mund të këtë në asnjë mënyrë një barazim të gjithë mjekëve, të gjithë bluzave të bardha, në perceptimin që të gjithë janë njësoj, dhe të gjithë futin duart në xhepat e familjarëve dhe pacientëve”, tha Rama, duke bërë një krahësim me bimësitë dhe kafshët. “Nuk janë njësoj as pemët, as lulet, as kafshët, as njerëzit. Por që ndarja mes asaj shumicë që e nderon sistemin shëndetësor dhe është aty për të konfirmuar faktet që lidhet sa shumë ndërveprime kryhen në funksion të pacientëve dhe sa shumë rezultate arrihen, bën që të jetë e domosdoshme që mjekët dhe infermierët që tronditin opinionin publik kur papritur shfaqen si gjakpirës të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit. Ne kemi në proces edhe ndërtimin e një rrjeti anti-korrupsion, nga ana jonë, jo e drejtësisë e re, për të vendosur në presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik”, tha Rama.
Manastirliu: Ruhet godina historike dhe dyfishohen kapacitetet për nënat dhe fëmijët
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi se Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” do të rrisë kapacitetet spitalore, ndërsa risia do të jetë Qendra e Prematuritetit, e konceptuar për herë të parë në një maternitet në Shqipëri. “Me këtë ndërtim të ri ne do të rrisim kapacitetet spitalore, do të rritet në 360 numri i shtretërve, ndërsa numri i shtretërve në terapinë intensive do të dyfishohet, duke mundësuar pritjen e 7 mijë lindjeve/vit dhe duke iu sherbyer mbi 20 mijë pacientëve çdo vit. Projekti parashikon rritjen e kapaciteteve edhe për sallat e operacionit, nga 6 që janë aktualisht, do të bëhen 10 të tilla, të standardeve më të mira, me aparatura të teknologjisë së lartë. Risi për këtë projekt është Qendra e Prematuritetit, e konceptuar për herë të parë në një maternitet në Shqipëri”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se janë investuar më shumë se 30 milionë dollarë për infrastrukturën spitalore moderne për nënën dhe fëmijën në maternitetet e Sarandës, Korçës, Lezhës, Beratit, Kukësit dhe maternitetin “Koço Gliozheni”. Gjatë fjalës së saj, Manastirliu deklaroi se me reformën e autonomisë spitalore, që do të nisë nga Spitali Memorial Fier, do të garantohet shpërblim sipas meritës për mjekët. “Me reformën e autonomisë spitalore që do të nisim në mandatin e ri, do të garantojmë shpërblim sipas meritës për mjekët në spitale, do të sigurojmë rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së shpenzimeve në spitale dhe një sistem efikas kundër korrupsionit në shërbimin shëndetësor”, tha Manastirliu.