Një ditë më parë ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, u dënua me dy vite burg për shkak të pasurisë, të cilën nuk arriti ta justifikonte.
Llalla fillimisht ishte shkarkuar nga Vettingu për të njëjtën arsye dhe me pas kishin nisur hetimet.
Ish-kryeprokurori nuk është i vetmi që është shkarkuar nga Vettingu nga pasuri, por është i vetmi i dënuar deri më tani për pasurinë.
Dhe në maj 2021 Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg, si dhe 5 vjet heqje funksionesh publike, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Për afro tre vitesh, mbi 50 përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë nxjerrë jashtë sistemit për pasuri të dyshimtë dhe janë lënë të lirë, të shijojnë atë çfarë kanë arritur, në kurriz të institucioneve ku kanë punuar.
Të shumtë janë gjyqtarët që për mos justifikim të pasurisë janë shkarkuar nga procesi i Vettingut si në Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe në nivelet e tjera të gjykatave apo dhe prokurorë.
Kush e ka radhën pas Llallës?
Bëmat e njerëzve të drejtësisë nuk njohin limite. Me dy standarte ose Vettingu nxorri në dritë skandalet e tyre.
Risjellim në vëmendje disa raste për të cilët denoncimet edhe në media kanë qenë të shumta, por edhe raste të regjistruar gjatë këtij viti.
Të gjitha janë shkarkuar për pasurinë dhe të gjithë nuk kanë mundur dot ta justifikojnë para KPK-së.
Entela Prifti, gjyqtarja e Apelit të Korçës, u shkarkua nga KPK, në Tetor të vitit 2018.
Sipas raportit të ILDKPI të lexuar në seancë, rezultoi se gjyqtarja Prifti kishte bërë deklarim të rremë.
KPK deklaroi se pas këtyre indicieve janë zhvilluar hetime të thelluara dhe rezultoi se gjyqtarja ka burime financiare të paligjshme.
Një vilë e denoncuar në dy emisione televizive para procesit të rivlerësimit, ishte vetëm një nga problemet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti në pasurinë e kryetares së shkarkuar të Gjykatës së Apelit të Korçës.
KPK gjeti gjithashtu llogari bankare të fshehura, të gjyqtares, pasuri të padeklaruara, mungesë burimesh financiare e një sërë deklarimesh të rreme nga ajo dhe bashkëshorti.
Gjyqtari i Gjykatës së Beratit, Durim Hasa u shkarkua me 19 Prill 2021, për mungesë burimesh financiare për krijimin e pasurive ndër vite.
Sipas KPK-së, gjyqtari Hasa nuk e ka pasqyruar saktë burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 96.6 m2 në Linzë të Tiranës, i blerë në vitin 2007 kundrejt shumës 19 109 euro. Ai ka deklaruar gjithashtu se ka shpenzuar 700 mijë lekë për mobilimin.
Gjyqtari i Tiranës, Kreshnik Omari u shkarkua nga detyra më 6 korrik, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mungesa të mëdha financiare për justifikimin e pasurive të tij dhe të prindërve, ndërsa u ngritën dyshime se një pjesë e këtyre të fundit mund të ishin prona të fshehura në emër të subjektit.
Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima u shkarkua të enjten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Dhima, i cili mungoi në seancën dëgjimore, nuk ishte i pranishëm as në shpalljen e vendimit dhe sipas trupës së kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Suela Zhegu, refuzoi të jepte shpjegime për barrën e provës që i kishte kaluar.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Administrativ, Bari Shyti. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Shyti u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa(Bungo), me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.
Sipas KPK, gjyqtari Bari Shyti kishte mungesë burimesh financiare në vlera të konsiderueshme për krijimin e pasurive zotëron. Ai u prit me protestë para seancës dëgjimore dhe u përball me një raport negativ të DSIK për figurën.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim për shkarkim ka marrë edhe për gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Klodiana Gjyzari. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Brunilda Bekteshi.
Komisioni gjeti probleme në të treja kriteret e vlerësimit.
Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Aleks Nikolli u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi nuk arriti të justifikonte pasurinë. Nikolli, i cili u hetua nga Komisioni vetëm në një prej kritereve të procesit të vetingut, është ndërkohë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, për korrupsion, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit- i dënuar për vrasjen e 4 policëve, Dëshmorë të Atdheut.
KPA lë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.
Një apartament i blerë në vitin 2006 dhe i paguar me një skemë të komplikuar që përfshin hua, kredi bankare dhe një kontratë noteriale, i krijoi probleme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Po ashtu problem rezultoi për të edhe mosdeklarimi në formularin për kontrollin e figurës së refuzimit të një vize për të udhëtuar në SHBA. Gjatë seancës dëgjimore u vunë në dukje edhe pasaktësi në deklarimet periodike të gjyqtarit dhe mungesë të ardhurash për dy vite.
Ambasada Amerikane në Tiranë i ka refuzuar vizitën gjyqtarit për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimeve se gjyqtari mund të mos kthehej më në Shqipëri.
Gjyqtari i Kavajës Luan Lusha është përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia pasi dha dorëheqjen nga frika e Vetingut. Sipas raportit të ILDKP, Lusha ka gënjyer dhe fshehur pasurinë, nuk e justifikon me burime të ligjshme. Gjyqtari paraqiti raport sikur ishte sëmurë, ndërkohë që vijonte punën në Gjykatën e Kavajës. Ai dispononte pasuri marramendëse si lokale, magazina, 9 makina, shtëpi e toka në Spille dhe Golem.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 7 korrik të shkarkojë nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Vlorës, Saimir Smaka, pasi u gjetën probleme në të tri kriteret e rivlerësimit. Në vendimin e arsyetuar të KPK-së thuhet se prokurori Smaka ka cenuar besimin e publikut në kriteret e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit si dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe ka mungesë burimesh për krijimin e një depozite bankare.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra më 13 korrik gjyqtaren e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo, pasi arriti në përfundimin se kishte mungesë të burimeve financiare në vlera të mëdha për pasuritë dhe shpenzimet e kryera; se kishte kryer në mënyrë të përsëritur deklarime të pamjaftueshme dhe se kishte fshehur pasurinë, duke cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Tiranës, Alketa Zifla.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 14 qershor, Komisioni konstatoi përfitimin e një kredie të butë nga Bashkia e Fierit, ndërkohë që kishte vendosur mosfillimin e hetimit mbi zyrtarët lokalë që akuzoheshin për shpërdorim detyre në ndarjen e banesave sociale.
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare për pasurinë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Shkodrës Luveda Dardha.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Dardha u krye nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen.
Sipas Komisionit gjyqtarja e Shkodrës Luveda Dardha nuk ka provuar burimin e krijimit të një huaje të dhënë nga prindërit për shlyerjen e një pjese të çmimit të një apartamenti.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar prokurorin e Tiranës Avni Kraja. Hetimi administrativ për prokurorin Kraja u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë. Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezultoi se Kraja kishte një bilanc negativ prej 14 milionë lekësh, që nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar prokurorin e Tropojës Agim Dalipaj, të cilit gjatë seancës dëgjimore iu gjetën probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim për shkarkim ka marrë edhe për prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Genci Qana.
Gjatë seancës dëgjimore më 9 mars, Qana u përball me dyshime mbi burimin e ligjshëm për disa prej pasurive të tij dhe denoncime për çështjet që kishte hetuar, përfshi pushimin e hetimeve për një aksident me vdekje në punë.
Prokurorja Anila Galanxhi u dorëhoq pas hetimit për pasurinë dhe figurën.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për prokuroren Anila Galanxhi (Pappa), e cila dha dorëheqjen pasi kërkoi disa herë shtyrjen e seancës dëgjimore.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Tomorr Kullolli pasi u evidentuan mungesa financiare në vlera të mëdha për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve në vite.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se gjyqtarja e Gjykatës Administrative Vlorë, Gentiana Xhelili kishte mungesë burimesh për krijimin e pasurisë.
Pas dy seancash dëgjimore dhe problemeve të shumta me pasurinë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Kol Hysenaj.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Ramazan Avdiu. Gjatë seancave dëgjimore të zhvilluara në funksion të procesit të rivlerësimit, u identifikuan mungesë burimesh për kthimin e një serie huash të dhëna me interes nga gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim për shkarkim edhe për gjyqtares e Gjykatës së Durrësit, Dhurata Bilo.
Hetimi administrativ i Komisionit për gjyqtaren Bilo u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të hënën më 19 prill, evidentuan deklarime të pasakta.
Të hetuarit për pasurinë
Ish-gjyqtari i lartë Admir Thanza
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është shkarkuar nga detyra në Korrik të vitit 2018.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Thanza kishte fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë.
Dënimi ishte dhënë në vitin 1999. Para KPK, Thanza deklaroi se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.
Nga ana tjetër DSIK deklaronte se Thanza ka pasur kontakte me persona të botës së krimit.
Gjithashtu, gjyqtari Thanza kishte probleme edhe me pasurinë e tij.
Ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjerë.
Në Maj të vitit 2019, ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza u dënua nga gjykata e Tiranës me 18 muaj shërbim prove, pasi u gjet fajtor për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 1 vit e gjysëm burg, por Gjykata vendosi shërbimin e provës.
Ish-gjyqtari i Kushtetueses Besnik Imeraj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi pushimin e procesit të Vetingut për Imerajn, me datë 12 shkurt 2019
Por vetëm një muaj më vonë, po ky institucion vendosi ta referojë çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kishte për detyrë të shqyrtonte, nëse nga ky hetim administrativ kanë dalë apo jo fakte që përbëjnë vepër penale.
Në Maj të vitit 2018 Krimet e Rënda nisën hetimet për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, i cili u dorëhoq nga detyra në janar të vitit 2018.
Dhe që atëherë s’dihet çfarë ka ndodhur me këtë rast, nëse është pushuar apo kanë vijuar hetimet.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 17 dhjetor të vitit 2018
Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk i pranoi si të ligjshme të ardhurat e pretenduara prej huave nga i vëllai dhe kunati i tij.
Në vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, një nga argumentet e shkarkimit të Bashkiam Dedes ishin paratë me origjinë nga emigracioni, që sipas trupës gjykuese nuk kishin të gjitha burim të ligjshëm.
Rreth tre vite më vonë, u njoftua se për ish kryegjyqtarin ishin hapur hetime për pasurinë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.8, datë 20.4.2021, vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.
Ish-gjyqtari i Kushtetues Fatos Lulo
I pari që u shkarkua nga Vettingu ishte gjyqtari i Kushtetuese Fatos Lulo, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.
Gjyqtari Fatos Lulo u shkarkua, në Mars të 2018 pasi nuk justifikonte pasurinë e tij prej 480 mijë dollarë dhe shtëpinë në Kanada.
Gjithashtu, sipas ILDKPK, Lulo ishte zotërues i një apartamenti te “Rruga e Durrësit”, i fituar me kontrate dhurimi nga motra dhe një zyre, sipas deklarimit te tij e dhuruar me vlere 100 mijë dollarë.
Vendimi i KPK u la në fuqi edhe nga KPA në vitin 2018.
Edhe për ish gjyqtarin Lulo, janë hapur hetime nga drejtësia për pasurinë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.7, datë 20.4.2021, vendosi Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
Ish-gjyqtari i Lartë Shkëlzen Selimi
Karriera prej dy dekadash e gjyqtarit Selimi në sistemin e drejtësisë u mbyll më 30 korrik 2018 me shkarkimin e tij nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me argumentin se është “i papërshtatshëm” për shkak të një serie lidhjesh me elementë të krimit të organizuar.
Ndërsa në Maj të këtij viti, SPAK njoftoi se po e heton për pasurinë dhe se ka kërkuar sekuestro të disa pronave të tij.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.10, datë 23.4.2021, pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur, masën e sekuestros mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi.
Pasuria
1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi
Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi./cna.al