Parlamenti ukrainas miraton ligjin për oligarkët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Parlamenti i Ukrainës miratoi të enjten një ligj për personat e konsideruar si “oligarkë”, që të regjistrohen e të qëndrojnë jashtë politikës. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një përpjekjeje për të vrarë një ndihmës të lartë të Presidentit Volodymyr Zelenskiy, për të cilin zyrtarët dyshojnë, se mund të ishte si kundërpërgjigje ndaj reformës.

Ligji jep përkufizimet e të qënit oligark dhe u jep autoriteteve fuqinë të përcaktojnë individët që plotësojnë kriteret. Oligarkëve do t’u ndalohet të financojnë partitë politike, ose të marrin pjesë në proceset e privatizimeve. Zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin, kryeministrin dhe kreun e bankës qendrore, do t’u kërkohet të deklarojnë marrëdhëniet që kanë patur me ta.

Presidenti Zelenskiy thotë se është e nevojshme që vendi të mbrohet nga biznesmenë të fuqishëm, që kanë korruptuar sistemin politik për dekada të tëra. Kundërshtarët e tij druhen se ligji do të zbatohet në mënyrë selektive për të përqendruar më shumë pushtet në duart e presidentit.

Ligji kaloi një procedurë paraprake në muajin korrik. Pas miratimit të tij të enjten, me 279 vota pro në parlamentin me 450 vende, tashmë ai pritet të shkojë për firmën përfundimtare tek Presidenti Zelenskiy.

Ekipi i zotit Zelenskiy ka lënë të kuptohet se pas përpjekjeve për të vrarë Serhiy Shefir-in, një ndihmës i lartë dhe mik i ngushtë i presidentit, qëndron zemërimi që ka shkaktuar ky ligj. Makina e zoti Shefir u godit me armë zjarri të mërkurën nga persona të paidentifikuar, ndërsa ndodhej në disa fshatra jo shumë larg kryeqytetit.

Zoti Shefir nuk pësoi dëmtime ndërsa shoferi i tij u plagos. Policia po kërkon armën me të cilën u krye sulmi si dhe po interviston dëshmitarët e mundshëm, që siç tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Artem Shevchenko, po mblidhnin kërpudha aty pranë.

Lexo edhe :  Ndahet nga jeta Osamu Suzuki, manjati japonez i industrisë së automobilave

Në një postim në Facebook ai e quajti atë një atentat të vërtetë e “jo të inskenuar”.

Në vitin 2019 zoti Zelenskiy fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese, duke premtuar se do të trajtojë çështjet që lidhen me korrupsionin dhe do të ndalë ndikimin e oligarkëve, që kanë dominuar biznesin, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, si dhe që ushtrojnë ndikim në politikë dhe media.

Sipas ligjit, Këshilli i Sigurisë dhe i Mbrojtjes Kombëtare, i kryesuar nga presidenti, ka fuqinë të përcaktojë dikë si oligark.

Ligjvënësi i opozitës Oleksiy Goncharenko, i cili i përket partisë së ish-Presidentit Petro Poroshenko, tha se ligji “krijon hapësira të mëdha për korrupsion”, dhe e krahasoi atë me taktikat e përdorura nga Presidenti rus Vladimir Putin për të rritur fuqitë e tij.

Kira Rudyk, udhëheqësja e partisë “Voice”, tha se ligji ishte hartuar “vetëm për të forcuar pushtetin, apo pozitën e presidentit në mënyrë që ai së bashku me Këshillin e Sigurisë dhe të Mbrojtjes Kombëtare të vendosin se kush duhet të ketë kontrollin mbi median e kush jo”./VOA

Të fundit

Pema tradicionale e Vitit të Ri, sa ka ndryshuar tradita para e pas viteve 90

Muaji dhjetor është muaji i festave, që si simbol ka pemën e Vitit të Ri, një traditë kjo e...

Hapen burgjet, Edi Rama tjetër amnisti, ja kush përfiton nga projektligji

Në prag të zgjedhjeve por me argumentin e mbipopullimit dhe kostos, shumica socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore për të “hapur” burgjet. Kryetari i...

Hapet sot unaza e madhe e Tiranës, shpejtësi deri 90 km/h

Unaza e Madhe e Tiranës me një gjatësi totale 28.7 kilometra merr formën përfundimtare dhe është gati për t’u hapur sot. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar,...

Euro në greminë, mësoni me sa këmbehen monedhat e huaja sot

Sot, më 30 dhjetor 2024, dollari amerikan blihet me 93.3 lekë dhe shitet me 94.4 lekë. Euro blihet me 97.4 lekë dhe shitet 98.4 lekë. Franga...

Nga gjeli i detit te bakllavaja, sa kushton darka e Vitit të Ri?

Darka e Vitit të Ri është një nga traditat më të dashura për shqiptarët, ku familjet mblidhen për të festuar dhe për të shijuar...

Lajme të tjera

Web TV