Ergys Mërtiri: Opozita, delegjitimoi qeverinë në kushtet e një shteti autokratik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-Nga shkurti në shkurt, rrugëtimi fito-humb i opozitës

Në analizën e thelluar, pedagogu i shkencave sociale dhe analisti Ergys Mërtiri mendon se opozita ia arriti disi qëllimit për të ndërgjegjësuar faktorin ndërkombëtar, që në fillim e pati tërësisht kundër kur dogji mandatet. Detyra e opozitës, ende në gjysmë të rrugës për të transmetuar një “qeverisje ndryshme” të së nesërmes.

Opozita shqiptare në shkurtin e vitit të kaluar ndërmori aktin ekstrem politik, djegien e mandateve të deputetëve, duke u larguar nga Parlamenti. Kauza që “justifikoi” këtë lëvizje u shoqërua me tri kushte: largim i Kryeministrit Edi Rama; krijimi i një qeverie teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Pas një viti asnjë prej tri kushteve nuk është arritur. A është dobësuar apo forcuar më shumë opozita?

Në fakt, kjo situatë paraqet një realitet zero sum game. Në këtë kuptim beteja zhvillohet në atë mënyrë që çfarë fiton njëra palë e humbet tjetra dhe anasjelltas. Kështu që, edhe pyetja nëse opozita ka fituar apo ka humbur nga kjo lëvizje, nuk mund të shtrohet pa llogaritur çfarë ka humbur apo fituar pala tjetër. Djegia e mandatave ishte një akt ekstrem dhe mjaft i guximshëm. Ky akt bart rrezikun që opozita të shkojë drejt shpërbërjes, të paktën partitë kryesore që e përfaqësojnë atë. Por ama, në kushtet e instalimit të një shteti autokratik, ku Kryeministri po kap dhe kontrollon të gjitha institucionet e pavarura, duke monopolizuar të gjithë jetën politike, kulturore, mediat, shoqërinë civile, gjykatat etj., opozita nuk shihte arsye për të ndenjur në sistem dhe legjitimuar gjithçka. A do t’ia dalë ajo të triumfojë në fund të kësaj rruge? Kjo mbetet për t’u parë dhe mund të thuhet vetëm në fund të saj. Deri tani, ajo ka hasur pengesa shumë të mëdha, kryesisht ato të faktorit ndërkombëtar që nuk e ka mirëpritur dhe ka reaguar ashpërsisht ndaj djegies së mandateve, por ka arritur të paktën t’u imponohet atyre për të vendosur disa kushte të rënda për integrimin (siç janë kushtet e Bundestagut), si dhe të nxjerrë qeverinë nga sistemi për t’u ulur në një tavolinë jashtë Parlamenti. Sigurisht, opozita është lodhur e ndoshta edhe dobësuar në një kalvar të gjatë protestash e presionesh nga të huajt, por nga ana tjetër ajo ia ka dalë të delegjitimojë plotësisht qeverinë. Zgjedhjet e 30 qershorit e nxorën plotësisht pa legjitimitet pushtetin e Ramës, dhe aq më tepër përgjimet e botuara në “Bild”. Pra, në një lojë zero sum game, opozita mund të ketë humbur shumë gjatë këtij aksioni, por i ka shkaktuar humbje shumë më të mëdha qeverisë.

Mbajtja e protestave masive ishte një nga nismat e opozitës, çka u përkthye në një lëvizje jo vetëm kundër qeverisë, por edhe një “rimbledhje” të elektoratit të vetë opozitës. A mjafton vetëm ky sukses?

Sigurisht që nuk mjafton. Për mua, më shumë sesa thjesht motivim të elektoratit të djathtë, këto protesta sollën një përkeqësim të madh të imazhit të qeverisë, e cila, deri më parë, perceptohej vërtet si e dështuar, e korruptuar, e lidhur me krimin, por ama si funksionale. Protestat prodhuan një krizë politike ku fajtor u perceptua një njeri, Edi Rama.

Aktualisht, opozita dhe mazhoranca duket se kanë ulur tonet e përplasjes në nismën që kanë marrë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por pati kritika për këtë lëvizje të PD-së dhe LSI-së si dy forcat kryesore opozitare, ku nga eksponentë të rëndësishëm të PD-së, kryesisht lokalë, por edhe një pjesë e elektoratit e konsideroi një humbje të kauzave të ngritura. A qëndron ky perceptim?

Unë nuk di një mënyrë, përveç zgjedhjeve, se si një opozitë mund të vijë në pushtet në një vend demokratik dhe nuk di se si mund të zgjidhet kriza politike, e cila, presupozohet se do sjellë fundin e qeverisë, pa u ulur në bisedime për të konkluduar se kur dhe si do të mbahen zgjedhjet që mund të sjellin rrotacionin. Këtë tryezë unë e shoh si hapin e parë për të shkuar drejt zgjidhjes finale. A do të arrihet kjo? Këtë vlen ta shohim, por nuk mendoj se ndërkombëtarët kanë kërkuar një tryezë, thjesht për një kod zgjedhor të zgjedhjeve që opozita i refuzon. Kuptohet që diçka tjetër do të pasojë më tej. Ky do të jetë një procesi gjatë dhe i vështirë, gjithsesi.

PD duket se ka mundur të mbledhë elektoratin e saj tradicional, por historia politike në vend ka treguar se asnjë prej forcave kryesore nuk mund të marrë pushtet vetëm me zgjedhësit që në përgjithësi futen në militantizmin politik. Nevojitet përçimi i një fryme më të madhe dhe bindje të elektoratit gri, i cili kërkon programe, premtime që kanë fakte që do të mbahen dhe nisma, të cilat tregojnë se qeverisja e së nesërmes do të jetë vërtet ndryshe. A e ka arritur opozita tërheqjen e elektoratit gri?

Lexo edhe :  Pensioni për bonusin e pranverës/ Qeveria vendos ta shpërndajë para kohe

Nuk mendoj se elektorati gri ngre shumë peshë në zgjedhje. Ky më duket më shumë një iluzion i krijuar prej debateve në media. Nuk kemi të dhëna që të mbështesin idenë se ka vërtet përqindje të konsiderueshme elektorati që lëviz nga njëri krah politik te tjetri. Rrotacionet vijnë më shumë për shkak të ndryshimit të fuqisë motivuese që forcat politike kanë ndaj atyre që mund të quhen votues potencialë të tyre. Pra, një forcë politike që nuk i motivon votuesit e saj të dalin në votime, ka prirjen të humbë zgjedhjet përballë tjetrës, që i motivon. Kjo e bën diferencën. Nga kjo perspektivë, protestat sollën një motivim të madh te votuesi i djathtë dhe një demotivim të madh tek i majti, i cili u reflektua edhe në zgjedhjet e 30 qershorit. Ulja e palëve në tavolinë, mund të ketë demotivuar disa kategori votuesish tek e djathta dhe kjo është një kosto të cilën opozita ka qenë e detyruar ta paguajë, në këmbim të një rruge drejt zgjidhjes së krizës. Megjithatë, mendoj se kjo kosto do të kompensohej menjëherë, nëse rruga drejt zgjidhjes do të ecë mirë.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë aktiv në takime me qytetarë, edhe në daljet publike mediatike, por deri më tani ka më shumë denoncime për keqqeverisjen (të cilën duket se e ka bërë në mënyrën e duhur), por ende pak ofrim të një alternative ndryshe. Në gjykimin tuaj, cili duhet të jetë diskursi politik i liderëve të opozitës, veçanërisht PD-së?

Deri tani, opozita ka qenë në rrugë dhe natyrisht, politika e rrugës nuk ofron mundësi për programe dhe ekipe. Tani është momenti që kjo politikë të ndërrojë dhe opozita të krijojë fytyrën me të cilën do të dalë në zgjedhje. Diskursi i opozitës, përtej denoncimit të qeverisjes, duhet të përqendrohet te mënyra se si ajo do t’i zgjidhë disa nga problemet themelore të hapura apo thelluara më shumë në këtë qeverisje, si rendi, liria e të bërit biznes, forcimi i ndarjes së pushteteve dhe garantimi i rendit kushtetues, adresimi i varfërisë, problemeve të shtresës së mesme etj. Sfidë reale e qeverisjes së ardhshme duhet të jetë pikësëpari goditja e krimit të organizuar dhe opozita duhet të ketë një program të detajuar mbi mënyrën se si do ta bëjë këtë. Ajo ka nisur diçka me një draft propozimesh mbi ligjin “Antimafia”, por duhet ta thellojë këtë dhe ta bëjë të besueshëm. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe me biznesin. Praktikisht sot, kemi një sundim të egër të bizneseve të mëdha, të përqendruara në pak duar, ndërsa kemi një shtet armiqësor me bizneset e vogla dhe të mesme. Opozita duhet të paraqesë një program të qartë se si do të kufizojë sundimin e bizneseve që rrojnë nga tenderat e qeverisë dhe se si do të forcojë mundësitë që bizneset e vogla të fillojnë të marrin frymë, ndërsa të tjerët të kenë shanse të zhvillohen. Kjo duhet të detajohet me politikat e duhura fiskale, subvencionale si dhe me struktura administrative mbështetëse. Opozita duhet të krijojë imazhin e një force politike që po vjen në pushtet për t’u krijuar mundësi qytetarëve të merren me biznes. Kjo shkon në përputhje edhe me një ideologji të djathtë, së cilës ajo i përket, por mbi të gjitha është një emergjencë për të çliruar energjitë e mpira të demotivuara gjatë gjithë kësaj qeverisjeje. Një tjetër pjesë e rëndësishme e programit duhet të prekë edhe shtresën e mesme, pasi ajo është edhe pjesa më e sulmuar nga kjo qeveri dhe, për më tepër, edhe më e ndjeshme në qarkullimin e votës. Sidoqoftë, të gjitha këto duhen hartuar në përputhje me një program realist mbi buxhetin, për t’i dhënë besueshmëri gjithçka je./FJALA.al

Enton Abilekaj: Opozita e çoroditur, nuk ka koherencë, rrëzoi kauzat e 2019

Të fundit

Shpenzime luksi për Kuvendin, paga dhe shpërblime rekord për deputetët në 2024

Gjatë vitit të shkuar, për paga dhe shpërblime, 140 deputet shqiptarë kanë përfituar gati 5 milionë euro. Shpenzimet për...

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit takim me Ambasadorin e Turqisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti sot (9 Janar) në një takim ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay. Përveç vlerësimit të...

Kate Middleton feston 43-vjetorin e lindjes

Kate Middleton këtë të enjte më 9 janar mbush 43 vjeç dhe është gati të kalojë një vit të qetë në krah të bashkëshortit...

Qeveria miraton shpërblimin për punonjësit e Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, bëri të ditur se në mbledhin e Këshillit të Ministrave këtë të enjte është miratuar akti për shpërblimin e...

Zgjedhjet e 11 majit, Rama mbledh drejtuesit politikë në PS! Fokusi te vota e diasporës

Kryesocialisti Edi Rama mblodhi këtë të enjte (9 janar) në selinë rozë, drejtuesit politik të qarqeve për të diskutuar organizimin në kuadër të zgjedhjeve...

Lajme të tjera

Web TV