Triumfon “Joker” i Joaquin Phoenix, i cili rrëmbeu trofeun e aktorit më të mirë me rolin e tij në filmin polemik e të shumëkomentuar.
Ai u ndal në të drejtat e njerëzve, por edhe të kafshëve, duke bërë thirrje për krijimin dhe zhvillimin e sistemeve që mund të sjellin ndryshime pozitive për të gjithë frymorët, por kryesisht për mjedisin.
Mbrëmjen e së dielës u mbajt në “Dolby Theatre” të Los Anxhelosit edicioni i 92-të i ndarjes së çmimeve “Oscar”. Filmi koreanojugor “Parasite” shkroi historinë duke u bërë filmi i parë joanglishtfolës që fiton çmimin “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë. “Parasite” fitoi katër çmime në total, mes të cilëve atë si skenari më i mirë origjinal, filmi më i mirë ndërkombëtar dhe regjia më e mirë.
Megjithatë, mediat e huaja janë ndalur gjerësisht në fjalimin emocionues të aktorit të njohur të Hollivudit Joaquin Phoenix, i cili rrëmbeu trofeun e aktorit më të mirë me rolin e tij në filmin polemik e të shumëkomentuar “Joker”.
Ai u ndal në të drejtat e njerëzve, por edhe të kafshëve, duke bërë thirrje për krijimin dhe zhvillimin e sistemeve që mund të sjellin ndryshime pozitive për të gjithë frymorët, por kryesisht për mjedisin. “Kur flasim për barazinë gjinore, luftën kundër racizmit apo të drejtat themelore, të drejtat e indigjenëve, të drejtat e kafshëve, ne të gjithë flasim për luftën kundër padrejtësisë. Unë mendoj se jemi shkëputur shumë nga natyra. Shumë prej nesh janë fajtorë për një botëkuptim egocentrik dhe besojmë se jemi qendra e universit. Ne hyjmë në botën natyrore dhe e plaçkitim atë për burimet e saj. Ne ndihemi të drejtë të inseminojmë artificialisht një lopë dhe të vjedhim fëmijën e saj. Pastaj marrim qumështin që ajo prodhon, që në fakt është krijuar për viçin e saj, dhe e përdorim për kafenë dhe drithërat që hamë në mëngjes. Na tmerron ideja e ndryshimit personal, na tmerron ideja që të sakrifikojmë diçka, na tmerron ideja që të heqim dorë nga diçka. Por njeriu është krijues dhe unë jam i bindur se ne të gjithë bashkë mund të krijojmë dhe zhvillojmë sisteme që mund të sjellin ndryshimin për mirë për të gjithë frymorët dhe mjedisin”, – u shpreh ndër të tjera Phoenix.
Vëmendje të tepërt mori edhe suksesi i Brad Pitt. Për të parën herë, aktori 56-vjeçar fitoi çmimin e aktorit më të mirë joprotagonist, me rolin e tij në filmin “Once Upon a Time… in Hollywood”. “Kjo është për fëmijët e mi, që i japin ngjyrë gjithçkaje që unë bëj. Ju adhuroj”, – u shpreh Pitt gjatë fjalës së tij. Pitt u nominua përkrah emrave si Al Pacino (“The Irishman”), Joe Pesci (“The Irishman”), Anthony Hopkins (“The Two Popes”) dhe Tom Hanks (“A Beautiful Day in the Neighborhood”).
Ndarja e çmimeve “Oscar” ishte një natë plot surpriza, edhe për ngjitjen në skenë të reperit Eminem me këngën “Lose Yourself”, pavarësisht faktit se nuk ishte nominuar në asnjë kategori këtë vit. Në një postim në rrjetin social “Twitter”, reperi kërkoi ndjesë për mungesën e tij përgjatë 18 viteve, duke u rikthyer kështu në vitin 2003, kur fitoi një “Oscar” për “Lose Yourself”, si kënga më e mirë origjinale në filmin “8 Miles”. Për të qëndruar te këngëtarët, Sir Elton John fitoi çmimin e këngës më të mirë origjinale me “I’m Gonna Love Me Again”, duke rrëmbyer kështu pas 25 vitesh një “Oscar” të dytë.
Sikundër çdo vit, u komentuan edhe veshjet e yjeve që parakaluan në tapet të kuq. Një ndër aktoret e pikasura ishte Natalie Portman, e cila kishte veshur një fustan në ngjyrë të zezë dhe floriri, të markës “Dior”. Në formë proteste, aktorja kishte të qëndisur në fustan emra të regjisoreve që nuk u nominuan këtë vit në “Oscar 2020”, si Greta Gerwig (“Little Woman”), Lulu Wang (“The Farewell”), Celine Sciamma (“Portrait of a Lady on Fire”) dhe Lorene Scafaria (“Hustlers”).