Nga Ermal Mulosmani
Lajmi i thirrjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nga Kryesia e PD-së me nismën e Kryetarit Basha, ishte surprizë e madhe për opinionin që ndjek zhvillimet politike. Por jo vetëm aq. Duket se edhe në kampin kundërshtar u gjendën në befasi. Reagimi i parë i Berishës ishte refleksiv, një kundërshtim flakë për flakë. Ai i qëndroi lajmërimit të vet për Kuvendin e kontestuar të 11 Dhjetorit për të cilin po luftonte prej dy muajsh duke bredhur qytet më qytet për të mbledhur mijëra firmat përkundër vullnetit politik të strukturave drejtuese të Partisë. Më së paku Basha arriti të shkaktonte huti te kundërshtarët euforikë që flisnin për revolucionin paqësor të 11 Dhjetorit.
Basha, deri atë ditë, kishte zgjedhur një taktikë injoruese ndaj lëvizjes së Berishës duke dhënë deklarata ironike për mbështetje 97% të anëtarësisë dhe se Foltorja është një lëvizje që bëhet për arsye personale që janë jashtë interesave të Partisë Demokratike. Kjo taktikë krijoi një bindje që ai do të rrinte deri në fund në zyrën e tij për të mbrojtur vulën dhe logon e Partisë edhe sikur Berisha të merrte gjithë bazën. Nga ana tjetër, entuziasmi që përçonte Foltorja po krijonte idenë se 11 Dhjetori ishte i pakthyeshëm dhe se Basha ishte në rënie të lirë drejt shkarkimit ose mbajtjes mbas procedurave apo yçklave formale.
Çfarë ndodh nëse secili mban Kuvendin e vet?
Ky është opsioni më i mirë për interesat personale të gjithësecilit prej dy liderëve por version më i keq për interesat elektorale të partisë Demokratike. Nëse masin forcat në një Kuvend formal, të pakundërshtuar nga të dy palët, njëri prej tyre do të humbasë. Ai duhet të pranojë vendimin e Kuvendit dhe të rrijë në minorancë. Mirëpo, siç duket, asnjëri prej Berishës apo Bashës nuk është gati të humbë. Më mirë secili me Kuvendin e tij, secili me Partinë e tij.
Mosmarrja pjesë e mbështetësve të Berishës në Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit është lajmi më i mirë për Lulzim Bashën. Në këtë moment ai ka edhe gurin edhe arrën. Strukturat e komanduara prej tij si komisioni i mandateve apo të tjera të ngjashme me të, mund të hartojnë process-verbale fiktive për kuorumin e Kuvendit apo për procedurën dhe ligjshmërinë e vendimeve që do të merren aty. Askush nuk është i interesuar për t’i kundërshtuar ose për të verifikuar përveç krahut të Berishës që mungon. Të tilla takime ai ka bërë një herë në katër vjet sa herë është mundur nga Rama dhe ka mundur kandidatët e Partisë. Gjithmonë me duartrokitje dhe hosanara. Vendimet e Kuvndit të 18 Dhjetorit do ta rikonfirmojnë Bahën si lider të PD-së dhe do t’i japin legjimitet edhe vendimit të përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.
Mospjesëmarrja e grupit berishist në Kuvendin e 18 Dhjetorit do të bënte që Basha ta fitonte në tavolinë ndeshjen. Ata i luten Zotit që kjo gjë të ndodhë.
Nëse Berisha do të merrte pjesë në Kuvendin e 18 Dhjetorit sigurisht që atmosfera do të ishte e jashtëzakonshme. Do të përjashtohej fiktiviteti, do të identifikoheshin mirë anëtarët e Kuvendit, do të numëroheshin votat, do të kishte debat, do të kishte të humbur dhe të fituar. Me pak fjalë do të ishte një Kuvend i vërtetë jo një ekskursion formal miltantësh. Në këtë kontekst, mospjesëmarrja e Berishës në këtë Kuvend hedh disa hije dyshimi mbi Lëvizjen e tij…
A mos i druhet faktit se raporti i forcave në Kuvend nuk është i sigurtë në favor të tij dhe do ta kamuflojë me bojkot dhe mbajtjen e gjërave pezull? A mos e vë në dyshim ky hezitim vërtetësinë e firmave të mbledhura e të mbyllura në kasafortë? Hijet e dyshimit në këtë rast forcohen.
Mirëpo edhe nëse te Berisha ka ndonjë pasiguri ai nuk mundet të tërhiqet. Tashmë, ai duhet të përballet dhe të pranojë verdiktin. Lënia e fushës bosh kur erdhi moment i së vërtetës është një fitore e Bashës. Ai e hodhi dorashkën për ndeshje. Edhe nëse është bllof është bllof i fortë. Berisha duhet të vistojë që të happen letrat.
Burimi: http://www.gazetaexpress.com/gracka-e-bashes-akt-i-forte-apo-bllof-kurajoz/