Angela Merkel, e ardhur në pushtet në vitin 2005, ishte e vetmja kancelare e Gjermanisë, që nuk humbi zgjedhjet, por u largua vetë.
Në këto 16 vjet të drejtimit të qeverisë Merkel kishte kaluar shumë kriza, prandaj edhe ajo quhej “kancelarja e krizave”. “Ishin 16 vjet plot ngjarje dhe sfida, që kanë kërkuar shumë prej meje, por edhe më kanë plotësuar”, tha Merkel.
Në fjalën e lamtumirës ajo përmendi tre krizat kryesore: atë të sistemit bankar, në vitin 2008, krizën e migracionit në vitin 2016 dhe atë të pandemisë së virusit corona. Ajo kujtoi parimin e qeverisjes së saj për “barazimin e interesave”, duke dëgjuar gjithmonë edhe palën tjetër. “Ju inkurajoj që ta shihni botën edhe me sytë e tjetrit dhe të merrnin perspektivën e tjetrit, edhe nëse ajo është jokomode”, porositi politikania demokristiane.
Ndër të tjera ajo lëvdoi edhe kulturën e debatit në Gjermani “për të cilën na e kanë zili në shumë vende të botës.” Ajo falënderoi edhe familjen dhe i uroi pasardhësit të saj Olaf Scholz: Gjithë të mirat dhe një dorë të mbarë dhe shumë suksese!
Porosia e saj e fundit:
“Unë jam e bindur se ne mund të vijojmë ta formësojmë të ardhmen tonë, nëse nuk i hyjmë punës me negativitet, me smirë, me pesimizëm, por, siç e kam thënë edhe gjetkë para tri vjetësh, me gaz në zemër. Unë kështu kam vepruar gjithmonë, në RDGJ, por edhe, dhe sidomos, në kushtet e lirisë. Është ky gaz në zemër, që ua uroj të gjithëve, dhe në kuptimin figurativ, edhe vendit tonë”.
Tri këngët e ndarjes
Një citat prej të cilit secili mund të interpretojë edhe pse Angela Merkel kishte përzgjedhur në repertorin e ceremonisë ato tri këngë.
“Du hast den Farbfilm vergessen” (Ke harruar filmin me ngjyra) – nga këngëtarja ish-gjermanolindore Nina Hagen, e cila njihet edhe si gjyshja e muzikës punk në ish RDGJ, ku Merkel është socializuar;
“Für mich soll es rote Rosen regnen” (Për mua trëndafilat bien nga qielli” nga këngëtarja gjermane, Hildegard Knef, një reflektim për fazat e ndryshme të jetës së një gruaje që ende ëndërron, dëshiron dhe beson në mrekulli;
një këngë kishtare “Großer Gott, wir loben dich” (Zot i madh, ne të lëvdojmë) – e cila na tregon dhe anën tjetër të protestantes dhe bijës së priftit, Angela Merkel.
Angela Merkel, e ardhur në pushtet në vitin 2005, ishte e vetmja kancelare e Gjermanisë, që nuk humbi zgjedhjet, por u largua vetë.