Josep Borell, përfaqësues i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, pritet të prezantojë të hënën përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor. Nuk dihet ende se çfarë roli do të ketë përfaqësuesi special, ashtu siç nuk dihet edhe emri i tij.
Mediat në rajon kanë raportuar se në Bruksel dhe në Berlin është marrë “ok” për emrin e Miroslav Lajčak, ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Lajčak është njohës i mirë i rajonit, megjithatë përzgjedhja e tij nuk konfirmohet zyrtarisht.
Ajo që dihet me siguri është se përfaqësuesi special do të ketë prioritet të punës së tij marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë. Çka mbetet e paqartë është nëse funksioni i tij do të shtrihet edhe te katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, shtet i cili po vë gjithnjë e më shumë në provë ekzistencën.