Konfindustria mbështet vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për pezullimin përkohshëm të rritjes në grup të tarifave nga kompanitë e telefonisë së lëvizshme. Përmes një komunikate për media Gjergj Buxhuku Administrator i Përgjithshëm në të cilin Konfindustria bën me dije se është në mbështetje edhe me fillimin e procedurave të hetimit për dyshime për shkelje të kushteve të konkurrencës dhe marrëveshje të ndaluara në treg nga operatoret.
Gjithashtu, Konfindustria kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë, që të thërrasë në mënyrë sa më të shpejtë në dëgjesë entin rregullator të telekomunikacioneve AKEP për të vlerësuar arsyet e lejimit nga ana e tij për rritjen në grup të tarifave nga kompanitë celulare. AKEP është institucion në varësi të drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme, që AKEP nuk ka ndërmarrë paraprakisht masa për të ndaluar rritjen e njëkohshme në grup të tarifave të telefonisë dhe njëkohësisht nuk ka njoftuar publikun në zbatim të detyrimeve të tij ligjore kundër marrëveshjeve të ndaluara të dyshuara të tipit “kartel” nga operatorët në tregje të rregulluara.
Konfindustria vlerëson, se sidomos tregjet strategjike në vend kanë shenja të dukshme të mungesës së konkurrencës, gjendjeve monopol dhe marrëveshjeve kartel me pasoja rrënuese për biznesin, industritë, qytetarët dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë. Gjithashtu, në mënyrë të qartë dhe në shumicë institucionet rregullatore të tregjeve, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të mbrojtur interesat publike, me veprimet dhe mosveprimet e tyre i shërbejnë interesave të operatorëve monopolistë me shenja të qarta subjektivizmi dhe korrupsioni. Shkallë e ulët konkurrence paraqitet në të gjitha tregjet strategjike në vend si sektorët financiarë, të sigurimeve, telekomunikacioneve, bankarë, karburanteve, etj. Pasojat e gjendjes së mësipërme janë shkatërruese edhe për konkurrencën e Shqipërisë në garën për tërheqjen e investimeve të huaja në të cilën jemi të fundit në Rajon.