Nga Elton Qyno
Gjykata e Sarandës, ka vendosur të mbyllë në burg shefen e IMT-së Sarandë, Romina Pulaj, e cila është arrestuar me urdhër të prokurorisë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.
Në seancën e sotme gjyqësore, veç pallatit 7 katësh pa lejë të lejuar nga shefja e IMT-së Sarandë, kanë dalë dhe raste të reja, ku Romina Pulaj, rezultonte se kishte shkelur ligjin.
Rasti i ndërtimit të 3 kateve pa lejë në një pallat 9 katësh të ndërtuar nga biznesnesmeni, Kolë Noku. Ndërsa rasti tjetër është ai i denocuar nga Lulzime Sulaj, ndaj biznesmenit Lefter Lefteri, i cili rezulton se ka ndërtuar 2 kate pa lejë.
Të dyja rastet, janë marë në shqyrtim nga prokuroria e Sarandës, ndërsa ditën e djeshme oficerë të krimit ekonomik dhe Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, kanë bërë kqyrjen e objekteve pa lejë të ndërtuar në Sarandë.
Vetë Romina Pulaj, nuk e ka pranuar akuzën për të cilën policia dhe prokuroria e Sarandës e ka arrestuar. Gjatë fjalës së saj, Pulaj ka pretenduar se ka bërë vetëm detyrën dhe nuk kishte abuzuar me ligjin. Ndërsa nga ana tjetër në mbështetje të saj, kishin shkuar në ambjentet e gjykatës rreth 200 persona, miq dhe pjesë të stafit të bashkisë Sarandë.
Pavarësisht se Romina Pulaj, kërkoi një masë më të butë nga ajo e “arrestit në burg”, me premtimin se nuk do i fshihej hetimeve dhe do ballafaqohej me drejtësinë, gjykata e Sarandës, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit të çështjes, Kledian Llaho, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Hetimet ndaj këtij rasti janë duke vijuar dhe pritët që në ditët në vijim të arrestohen dhe persona të tjerë që kanë abuzuar me detyrën duke shkelur ligjin e urbanistikës së bashku me shefen e IMT-së Sarandë, Romina Pulaj.
Romina Pulaj, është arrestuar nga policia në orën 24:00 të duke u gdhirë e martë, teksa ndodhej në banesë me shtetasin Martin Arapin, vartësin e saj në IKMT-në Sarandë, me të cilin ka krijuar një marëdhënie përtej punës.
Ndërsa biznesmeni i ndërtimit, Pando Papuçi, është larguar duke ju fshehur policisë dhe ende deri tani nuk është arrestuar nga policia.