Arrestohet autori dyshuar për vrasjen e familjes shqiptare në Andravida të Greqisë. Ai u arrestua pak pas mesnatës në rrugën perimetrike të Patrës. Bëhet fjalë për 60-vjeçarin grek me inicialet Dh. B., prind i dy fëmijëve, pronar i banesës ku jetonte çifti shqiptar, Armando dhe Maria Kloci dhe fëmijët e tyre. Pasi u mor në pyetje greku ka pohuar krimin makabër. Ai tha për oficeret e policisë, se kishte vrarë me armë dy prindërit si fillim, dhe më pas kishte mbytur dy fëmijët e tyre, 2 dhe 3 vjeç. Mediat greke raportojnë se çifti me pronarin grek kishin pasur konflikte, pasi ai iu kërkonte atyre qiranë e shtëpisë.
Ilia.news raporton se nga ekspertiza mjekoligjore u konstatua se vrasësi kishte vrarë çiftin me silenciator, pasi asnjë nga fqinjët e tyre nuk kishte dëgjuar të shtëna me armë.
Mjekja Angeliki Tsiola tregoi detaje tronditëse nga ngjarja makabre. “Fëmijët humbën jetën për shkak të pengimit të rrugëve të frymëmarrjes”, tha ajo. Mësohet se fëmijët e mitur janë mbytur nga vrasësi i pamëshirshëm, pasi ai i mbylli me duart hundën dhe gojën. Nga këqyrja e viktimave rezultoi se babai i fëmijëve, kishte marrë dy plumba në kokë, ndërsa plagë armë kishte dhe bashkëshortja e tij.
Ishte djali i Marias, 12 vjeç ai që kishte parë familjen e tij të pajetë në banesë dhe më pas kishte dalë i shokuar prej aty në ndihmë të kalimtarëve. Ndonëse si fillim u dyshua se autor i vrasjes mund të ishte ish-bashkëshorti i viktimës, policia arrestoi pronarin e banesës ku çifti jetonte.