Petrela, “pushtimi” i terrenit të fortifikuar me një aparat fotografik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Për të marrë një terren të fortifikuar, siç është kalaja e Petrelës, nuk të duhen më kuaj arabë me jelet dy pëllëmbë, frerë e yzengji, dhe as shpata e parzmore, por këmbë të forta dhe një aparat celulari që të mund të bësh foto sa të duash, mjafton mos të të lërë bateria.

Për qytetarët e Tiranës, Petrela është “pas porte”. Vetëm 18 kilometra nga “15-katëshi”, mund të mbërrish në qendër të fshatit në pak minuta udhëtimi. Pasi ke marrë rrugën e vjetër të Kërrabës, kalon dhe Urën e Peshkatarit, do të marrësh djathtas. Rruga është e përpjetë e me kthesa të forta, por nuk zgjat shumë dhe përballesh me një shesh të gurtë e të sistemuar mirë, që është dhe qendra e Petrelës.

Panorama është fort e njohur. Në të shkuarën e afërt, Petrela është kthyer dhe në shesh xhirimi ku janë regjistruar dy filma të njohur artistikë, “Maja”, e regjisorit Pluton Vasi dhe “Tuneli” i regjisorit Ilir Harxhi. Kohët e fundit, Televizioni Publik me zgjerimin e gamës në 12 stacione, bën-ç’bën e këto dy prodhime të shkëlqyera kinematografike, i transmeton në çdo dy ditë, herë njërin e herë tjetrin, pa të lënë mundësi pushimi, gjë që të mundëson dhe mësimin përmendësh të skenarit. Sa për pamjen, nëse nuk ia ke ngenë, mund t’ia kursesh vetes sepse gjithsesi qendrën e Petrelës e ca rrethinat të saj i kë përditë në “shtëpi”.

Në fundjavë sheshi në mes të fshatit është i mbushur krejt me makina, që përgjithësisht vijnë nga Tirana. Mund ta marrësh rrugën çdo ditë të javës për të pirë një kafe në lokalet e zonës, por në fundjavë nuk ia vlen të dalësh nga dera e lokalit pa u rrafshuar me mish, patate e një sallatë fshati. Dhe pavarësisht çfarë të ofron qendra e fshatit, që të jep përshtypjen e një qyteze, qershia përmbi tortë është kalaja. Ajo është e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë fortesën shumë të mbrojtur ndaj sulmeve armike.

Sipas dokumentacioneve historike, kalaja e Petrelës, në 400 metra lartësi, është ndërtuar diku nga shekulli VI, por ka funksionuar mirë gjatë periudhës së mesjetës së hershme. Pikë kyçe për të kontrolluar një pjesë të rrugës “Egnatia”, segmentin që kalonte nga Durrësi për në Elbasan, kalaja mori rëndësi të veçantë. Gjatë pushtimit turk, prestigji i saj u rrit edhe më shumë.

Lexo edhe :  Viti i Gjuhës Shqipe/Rama: U vendosën piketa të reja për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës

Meqenëse në kala nuk futesh dot me makinë, ashtu siç ndodh në kalanë e Beratit, je i detyruar që rrugën ta marrësh në këmbë. Shtegu i shtruar me kalldrëm është i ngushtë, nga ana e majtë shtrihet faqja e malit, në majë të cilit është ndërtuar kalaja, në të djathtë, nuk ka shanse të zbresësh dhe as të ngjitesh, edhe po të jesh stërvitur si ushtar alpin.

Por prej andej sheh një pjesë të mirë të kryeqytetit, aq sa me një imagjinatë ekstreme, duke marrë një top nga ata që kanë mbetur prej kohës së Skënderbeut dhe po të të ndihmojë një mjeshtër nishani si Agushi i Mato Grudës, mund t’ia terezitësh një gjyle e ta hedhësh prej kalasë drejt e te maja e piramidës së sheshit “Skënderbej”, aty ku thonë se Zoti ka vënë majën e kompasit për të rrumbullakosur botën.

Por imagjinata vlen për shkrimtarët, jo për njerëzit e biznesit që Petrelën e zonën përreth e shohin si mundësi investimi. Ndaj kalaja origjinale është rrethuar tashmë me disa minikala, njëra prej të cilave imiton dhe Torrën Veneciane të Durrësit, që nuk janë gjë tjetër veçse restorante e hotele.

Në Petrelë, sot jeta ka ndryshuar rrënjësisht. Rruga që të çon në destinacion është brenda standardit, ndërsa shtëpitë e banimit janë vila komode, me bahçe e garazh për makinat. Dhe e vetmja gjë që ka mbetur e rrënuar, është një ndërtesë në qendër të fshatit, përkundrejt shkollës moderne të ngjyer me katër bojëra: të bardhë, të verdhë, të gjelbër edhe me rozë.

Sa për turistët, ata janë aty në çdo kohë, me makina dhe biçikleta, e madje ka nga ata që zbaviten me sportin e “hiking”-ut. Sepse, Petrela, me relievin e saj të ashpër, ta jep këtë mundësi.

Të fundit

Shqiptarët heqin dorë nga makinat e vjetra, rritet përdorimi i modeleve të reja

Shqiptarët po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për rinovimin e flotës së automjeteve, duke hequr dorë nga makinat...

Gripi dhe ftohja: Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet?

Kur fillon të të dhemb fyti, hunda fillon të të rrjedhë dhe kthimi në shtrat duket më joshëse se kurrë, atëherë mund të kesh…...

“Fto në podcast motrat Hoxha”, Arbana Osmani i përgjigjet ndjekëses

Moderatorja e njohur Arbana Osmani i është përgjigjur një komentuesi në Instagram i cili i sugjeroi të ftojë në podcast producentet e “Top Channel”,...

Mërtiri: Berisha nuk e ka luftën me Ramën, por me Altin Dumanin

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më...

Cila është dita juaj me fat sipas shenjës së horoskopit?

Për shumicën e njerëzve dita më e mirë është e premtja dhe arsyeja është sepse fundjava fillon menjëherë pas. Megjithatë, astrologjia mund të shpjegojë...

Lajme të tjera

Web TV