KRIIK për Reformën Zgjedhore: Deputetët dhe Kuvendi të përmbushin përgjegjesitë e tyre

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 

Në seancën e së enjtes datë 9 qershor 2022, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore prej 18 anëtarësh, duke plotësuar kështu vendimin e ngritjes së këtij Komisioni të miratuar më datë 10 shkurt 2022, me një afat veprimtarie gjashtë mujor, deri më datë 10 gusht 2022.

KRIIK e vlerëson tejet pozitivisht plotësimin e detyrimit të Kuvendit për të bërë funksional Komisionin e Posaçëm dhe nisur Reformën Zgjedhore, sikurse tërë aktorët politikë kanë shprehur nevojën dhe gatishmërinë.

Me këtë vendim i hapet rruga reformimit të kuadrit ligjor për zgjedhjet, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të aktorëve vendas[iii], me zbatimin më të parë në zgjedhjet vendore të majit 2023, por edhe për amendime të tjera me rëndësi me zbatim në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës apo edhe më vonë, në përmbushje të premtimeve të bëra dhe angazhimeve të marra nga forcat politike parlamentare.

Këto angazhime dhe deklarime publike kanë theksuar nisjen e menjëhershme të punës sapo Komisioni i Posaçëm Parlamentar të konstituohej, për më tepër që nga zgjedhjet e ardhshme lokale na ndajnë vetëm 10 muaj.

 

Në ndryshim me këtë qëndrim dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parashikon mbledhjen e Komisionit brenda dy ditësh[iv], afat ky që përfundon ditën e sotme, deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim për mbledhjen e tij, as në media dhe as në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Madje kjo e fundit ende figuron e papërditësuar dhe e paplotë për tu informuar.

 

KRIIK ngre shqetësimin e tij se kjo qasje ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm, nuk është aspak serioze qoftë nga deputetët anëtarë të Komisionit, qoftë nga partitë dhe grupet parlamentare përbërëse, por edhe nga vetë Kuvendi i Shqipërisë.

 

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur në vazhdimësi dhe në mënyrë të pandërprerë, veçanërisht pas reformës zgjedhore të vitit 2012, problematikat e integritetit të votës dhe të zgjedhjeve, si një proces kompleks ku përfshihet sjellja, ligjzbatimi dhe funksionimi i tërë ngrehinës institucionale dhe politike në raport me detyrimin kushtetues për respektimin dhe garantimin e vullnetit të lirë dhe të pacënuar të votuesit dhe popullit shqiptar.

Nën këtë përvojë dhe analizë, KRIIK shpreh shqetësimin e tij për gjendjen serioze të mospërmbushjes së përgjegjësive dhe detyrimeve të Parlamentit të Shqipërisë, deputetëve dhe forcave politike që ata përfaqësojnë, në kundërshtim me frymën dhe gërmën e Kushtetutës, e cila i jep deputetëve të saj dhe Parlamentit të Shqipërisë pushtetin dhe vullnetin e deleguar të sovranit, për ndërtimin dhe mirëfunksionimin e një shteti ligjor, të së drejtës dhe të një demokracie funksionale që duhet të bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes, dialogut, transparencës e llogaridhënies, me fokus dhe në interes vetëm të popullit.

 

Marrëveshja e 5 qershorit 2020, pas krizës së tejzgjatur 2017 – 2020, me kulmimin “apokaliptik” të 2019-ës, duhet të shërbejë si bazë për një qasje totalisht të re të të menduarit dhe vepruarit të klasës politike, veçanërisht të deputetëve dhe partive të tyre parlamentare, jashtë praktikave të përjashtimit, arrogancës së shumicës[v] dhe fiktivitetit të proceseve dhe reformave të ndërmarra.

Vonesa prej 4 muajsh në plotësimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ngecja e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi Zgjedhjet e vitit 2021, apo së fundi dështimi i përmbushjes së angazhimeve dhe përgjegjësive për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, evidenton një qasje shqetësuese se angazhimi serioz dhe i vërtetë, për të adresuar problematikat madhore të integritetit të zgjedhjeve, do të jetë i cunguar apo do të mungojë përmbajtësisht.

Përgjegjësi që i faturohet në rradhë të parë mazhorancës qeverisëse, e cila me përqëndrimin në duart e saj të të gjithë pushteteve duhet të reflektojë dhe përcjellë më shumë se kurrë maturi, duke filluar së pari t’i japë frymëmarje dhe hapësirën e nevojshme, sipas Kushtetutës, funksionimit të duhur të Kuvendit të Shqipërisë, ku duhet të mbizotërojë respekti i ndërsjelltë ndaj çdo deputeti, dialogu dhe ndërveprimi i sinqertë e vizionar në emër të interesit më të mirë të qytetarëve dhe të së ardhmes demokratike të vendit.

 

 

Në këtë kontekst dhe të një polarizimi të skajshëm e të vazhdueshëm politik, KRIIK tërheq vëmendjen për nevojën që aktiviteti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore të udhëhiqet nga parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes.

Praktika e proceseve të mbyllura, me mungesë të thellë të transparencës dhe përfshirjes domethënëse të aktorëve vendorë, si dhe e dakordësisë së ngushtë në momentet e fundit, duhet të marrë fund.

Funksionimi dhe zhvillimi i vërtetë i proceseve demokratike, si dhe legjitimimi i plotë e i vërtetë i Institucioneve të zgjedhura me votën e lirë e të pandikuar të shtetasve shqiptarë, nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të ngushta të partive politike.

KRIIK në vazhdën e aktivitetit të tij advokues, ka shprehur konsideratën e tij për lidershipin e partive kryesore parlamentare për dimensionin e zgjeruar të bashkëpunimit me shoqërinë civile e veçanërisht me KRIIK, si dhe për pjesëmarrjen dhe angazhimet e marra në aktivitetet e zhvilluara[vi]. Por është e domosdoshme që këto angazhimeve të mbahen dhe përcillen përmbajtësisht në jetën institucionale e politike të vendit.

 

KRIIK i bën thirrje dy BashkëKryetarëve, deputetëve anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore apo edhe Kreut të Kuvendit që të mbledhin sa më parë Komisionin, duke dakordësuar dhe miratuar sa më shpejt planin e punës dhe një rregullore të posaçme të tij, për të siguruar gjithëpërfshirjen dhe pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë jashtëparlamentarë, si dhe procedurat e ndërveprimit me ta.

 

Është e nevojshme që hartimi i Planit të Punës të pasqyrojë, së pari, vullnetin politik për gamën dhe thellësinë e ndërhyrjeve që do të ndërmerren.

Veçanërisht është e domosdoshme të qartësohet urgjentisht nëse Reforma Administrativo-territoriale që do të kryhet[vii] , do të ketë apo jo qëllimin për tu aplikuar në zgjedhjet vendore të pranverës 2023.

 

Në këtë proces, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të çështjeve që kërkojnë rregullim, duhet mbajtur në vëmendje koha e kufizuar në dispozicion, si dhe Kodi i Praktikave të Mira në Çështje Zgjedhore për kufizimin e ndryshimeve ligjore madhore në përiudhën e më pak se një viti përpara ditës së zgjedhjeve.

Lidhur me këtë kufizim, KRIIK i sugjeron Komisionit që të mbyllë amendimet ligjore minore dhe specifike në raport vetëm me mirëfunksionimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore brenda muajit Korrik 2022, ndërkohë që ne sesionin e ardhshëm parlamentar të fillojë e të trajtojë tërë rregullimet e tjera për tu aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 apo edhe më pas, si dhe hartimin e ligjit të posaçëm për financimin e partive politike e fushatave zgjedhore, ligjin për referendumet, si dhe një ligj të ri për partitë politike.

Ndërsa përsa i përket amendimeve lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale, bazuar në vëzhgimin e kryer përgjatë periudhës 2018-2022, në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare[viii] dhe vendore[ix] të fundit, KRIIK i sugjeron dhe i kërkon Komisionit të Posaçëm Parlamentar të përqëndrohet, por jo të kufizohet, në çështjet e mëposhtme të konsideruara si më të rëndësishmet në kontekstin e ndodhur:

  1. Reflektimi nëpërmjet amendimeve të duhura ligjore në përputhje me dispozitat e Vendimit nr. 28 datë 30.06.2021 të Gjykatës Kushtetuese[x],e cila ka vendosur shfuqiziminin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Lexo edhe :  Protesta e PD/ Ngjela: Berisha duhet të ikë, nuk ka mbështetje

Në vlerësimin e Gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata ka vlerësuar se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cënon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.

Ky nen dhe kjo mënyrë shpërndarje e mandateve për listat shumëemërore në zgjedhjet për Kuvend, përdoret edhe për shpërndarjen e mandatave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak për listat shumëemërore të partive apo koalicioneve.

 

  1. Rregullimi i transparencës dhe mbikëqyrjes së financimit të subjekteve zgjedhore për fushatën zgjedhoreMungesa e transparencës dhe mbikëqyrja jo-efektive mbi financat e subjekteve zgjedhore është një nga problematikat madhore të zgjedhjeve në vend dhe që kërkon ndërhyrje urgjente dhe rrënjësore.

Pavarësisht se problematika është goxha më e gjerë për tu trajtuar, është e nevojshme që Komisioni të adresojë, së paku, tërë mangësitë e nevojat e hasura për rregullime minore, si dhe ngërçet e krijuara gjatë aplikimit të dispozitave ekzistuese ligjore në zgjedhjet e mëparshme.

Konsiderohet e nevojshme gjithashtu që të specifikohet eksplicisht se veprimtaria financiare e partive politike nuk është ekskluzivitet vetëm i funksionit kontrollues të KQZ-së, por edhe i institucioneve të tjera të ngarkuara nga ligji për mbikqyrjen e veprimtarive financiare e ekonomike.

Gjithashtu, specifikimi më vete i shpenzimeve të kryera me fonde publike, në raportimet e dorëzuara, në gjykimin e KRIIK, do të siguronte më shumë objektivitet nga subjektet zgjedhore, pasi do të lehtësonte mundësimin e kontrollit të kryqëzuar edhe prej institucioneve të tjera shtetërore, si dhe do të nxiste dhe lehtësonte akoma më shumë barrën e KQZ-së në përmbushje të detyrimeve ligjore të parashikuara  dhe marrjen e sanksioneve përkatëse.

 

  1. Adresimin e plotë të fenomenit të keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral gjatë fushatës zgjedhore dhe bërjen efektiv të mekanizmit të parashikuarduke adresuar ngërçet e vërejtura apo të krijuara gjatë aplikimit dhe praktikës së ndjekur prej KQZ-së dhe aktorëve të tjerë institucionalë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Pavarësisht amendimeve ligjore të vitit 2020 që synuan të adresojnë këtë problematikë, përdorimi i burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral vijoi të jetë një problematikë madhore, madje u përkeqësua në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Nga ana tjetër, mekanizmi kontrollues i parashikuar nga Kodi Zgjedhor për adresimin e problemit, nuk arriti të parandalonte përdorimin e burimeve publike, duke u kthyer në një mekanizëm burokratik dhe jo efiçent.

Për hir të specifikave të zgjedhjeve të ardhshme vendore, ku maxhoranca aktuale parlamentare kontrollon thuajse të gjitha bashkitë e vendit, KRIIK vlerëson se rreziku i përdorimit të burimeve shtetërore është akoma më i madh, duke e vendosur dhe dhënë maxhorancës një avantazh të theksuar.

Jo vetëm kaq, por vazhdimësia dhe konsolidimi i një praktike të tillë negative do të vazhdojë të sjellë pasoja madhore në sistemin demokratik në vend, në kundërshtim me perceptimin dhe sjelljen, që duhet të kenë dhe manifestojnnë institucionet shtetërore e punonjësit e tyre.

 

  1. Monitorimi i medias audiovizive nga ana e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA),vuan nga mungesa e efektivitetit në një numër elementësh, por si më prioritare e që duhet plotësuar në kuadrin ligjor, KRIIK vlerëson se janë:

– mungesa e monitorimit sistematik të të gjithë Ofruesve të Shërbimi Mediatik Audioviziv (OSHMA) në nivelin lokal, si dhe

      – mungesa e një metodologjie cilësore, e cila të evidentojë jo vetëm minutazhin për subjektet zgjedhore, por edhe tonin/gjuhën e përdorur.

E para është tejet e rëndësishme, duke qenë se zgjedhjet e ardhshme janë lokale, dhe media audiovizie lokale do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në fushatë.

E dyta është e rëndësishme pasi evidentimi vetëm i minutave të kushtuara një subjekti zgjedhor nga një media, jo vetëm nuk është efektiv, por mund të japë një ide të shtrembëruar.  Duke evidentuar tonin e përdorur në materialet audiovizive mundësohet jo vetëm një panoramë më e qartë e mbulimit mediatik, por edhe fakti nëse operatorët audiovizivë ofrojnë një panoramë të balancuar dhe neutrale gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore.

 

  1. Duke qenë se fushatat elektorale po përqëndrohen gjithmonë e më shumë në mediat sociale, është i nevojshëm rregullimi, parashikimi dhe cilësimi i tyre si media në kuadrin ligjor, duke patur në konsideratë përfshirjen edhe të rrjeteve sociale.

 

  1. Parashikimi dhe rregullimi i fushatës nga palët e treta, vëçanërisht asaj në mediat tradicionale dhe mediat sociale. Ndikimi i palëve të treta në fushatë, konsiderohet të jetë më i lartë në zgjedhjet vendore, për shkak të konkurrimit dhe kontaktit më të drejtëpërdrejtë jo vetëm të kandidatëve, por edhe forcave politike, si dhe numrit të madh të tyre në këto lloj zgjedhjesh.

 

  1. Parashikimi dhe plotësimi i kritereve të regjistrimit[xi]të partive politike duke depozituar vërtetimin e gjykatës nëse subjekti është konform kriterit kushtetues dhe ligjor për kryerjen e zgjedhjeve demokratike e periodike, si dhe zgjedhjen në mënyrë demokratike të forumeve të veta drejtuese, konform parashikimeve të statutit. Gjithashtu detajimin e cv-ve të kandidatëve të këshillave bashkiakë, në raport me informimin e publikut mbi integritetin e tyre dhe angazhimet e tjera që ky kandidat ka patur ose ka.

 

 

Në përfundim, KRIIK sjell në vëmendje të Partive Politike Parlamentare një çështje të ngritur edhe më parë, sikurse është depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore, duke filluar së pari me depolitizimin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

 

Në gjykimin e KRIIK, kjo pikë, ndonëse e parashikuar në Marrëveshjen Politike të 5 qershorit 2020, për tu realizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duhet marrë në konsideratë e shqyrtuar mundësia për aplikimin e saj që në këto zgjedhje, si një formë edhe e adresimit të problematikës që përmban sistemi i patronazhimit politik dhe nevojës për nisjen e zhbërjes së tij në administratën shtetërore.

Depolitizimi i këtij niveli administrimi dhe emërimi me short i një numëri më të vogël komisionerësh më të përgjegjshëm dhe përgjegjës për zbatimin e ligjit, do të sigurojë ndër të tjera një zbatim më të mirë të kuadrit ligjor, si dhe mbikqyrjen e duhur për përmbushjen e detyrimeve ligjore prej tërë aktorëve dhe institucioneve të përfshirë në ndërtimin dhe ecurinë e procesit zgjedhor. Administrimi tërësor i pushtetit vendor nga mazhoranca në pushtet, është një arsye më shumë për të siguruar sjelljen konfrom ligjit të këtij pushteti në raport me rolin e rëndësishëm që ai ka në ndërtimin e procesit zgjedhor.

 

Megjithëse praktikat më të mira ndërkombëtare sygjerojnë se ndryshimet ligjore për çështje si kjo duhet të realizohen një vit përpara zgjedhjeve, ky është një hap për të cilin vlerësohet se një vullnet politik i plotë e i dakordësuar mund dhe duhet ta ndërmarrë edhe në kaq kohë, për shkak të kontekstit të gjendur dhe nevojave imediate që paraqiten.

 

Të fundit

Psikologjia e turpit: Pse e ndiejmë dhe si ta përballojmë?

Nëse jeni ndjerë ndonjëherë të turpëruar për diçka që keni bërë apo diçka që ju ka ndodhur, nuk jeni...

Paola Napolitano zgjidhet në krye të Departamentit për Ruajtjen e Kulturës Arbëreshe

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshet bëri me dije se, në krye të Departamentit për Ruajtjen e Kulturës Arbëreshe, të fondacionit kulturor “Paola...

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet

Një qytetar nga Bulqiza ka bërë kallëzim në komisariatin e Bulqizës, se  kanë qëlluar me armë zjarri në Bulqizë. Bulqizë-Një qytetar nga Bulqiza ka bërë kallëzim...

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit

Jemi në prag të Vitit të Ri dhe në të gjithë vendet e botës, në sheshet e qyteteve, qendra tregtare apo shtëpi nuk mungon...

Ukraina dërgon 500 tonë miell në Siri

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se kanë dërguar 500 tonë miell në Siri. Zelensky në postimin e tij në X tha se këtë...

Lajme të tjera

Web TV