Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi e cilëson si krejt të pavend alarmin e ngritur të presidentit Ilir Meta se mazhoranca qeverisëse po bën grusht shteti ndaj institucioneve kushtetuese në vend.
Klosi, i cili ka qenë në krye të Shërbimit Informativ si dhe dëshmitar i ngjarjeve të 14 shtatorit të vitit 1998, kur opozita e asaj kohe nën drejtimin e ish-kryeministrit Berisha dogji institucionet e vendit për të marrë pushtetin me dhunë, shpjegon se kur ndodh një grusht shteti në kuptimin klasik të kësaj fjale.
Sipas Klosit, pushteti nuk merret me shkresa. Ndërsa saktëson se grushti i shtetit bëhet nga formacionet politike që synojnë të marrin pushtetin dhe jo kur tashmë e kanë atë, siç është në rastin e mazhorancës qeverisëse.
Klosi vë në dukje gjithashtu se më 2 mars presidenti do të mbledhë vetëm militantët e tij, gjë e cila nuk e zgjidh krizën politike, ndërsa shton se përmes këtij aksioni Meta po kërkon të fitojë pushtet politik duke përdorur si armë presidencën.
- Klosi, presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë për “grusht shteti”, në kapjen e institucioneve të pavarura, sidomos drejtësinë e re. A jemi në kushte të tilla të një grushti shteti, nga vetë qeveria?
Termi “grusht shteti” është përdorur për të pasur efekt më të madh në popull. Grushti i shtetit nuk bëhet me shkresa dhe bëhet nga ata që duan të marrin pushtetin e jo nga ata që janë në pushtet. Grushti i shtetit, në kuptimin klasik, është një aktivitet që i tejkalon shumë ato që po ndodhin, edhe sipas Presidentit.
Presidenti është shprehur se do të “flasë” me dekrete, por nga ana tjetër ka dalë jashtë kornizës së kreut të shtetit duke thirrur qytetarët në një tubim. A mundet Presidenti i Republikës të dalë në krye të qytetarëve kundër qeverisë dhe Parlamentit? Dhe a e cenon kjo rendin kushtetues?
Ata që do mblidhen nuk janë populli, por vetëm një pjesë e tij, ndaj Presidenti gabon nëse i konsideron “populli”, ai kështu po luan me popullin. Ç’a mund të bëjë ai më shumë me ta se tu mbajë një fjalim? Kjo do ta zgjidhë krizën?
Kjo që po ndodh në vend është një betejë institucionale, apo një lojë politike mes dy palëve qeveri-presidencë, apo Rama-Meta?
Kjo i ka të dy faktorët, konflikti institucional po përdoret si armë, fitorja në luftën politike për pushtet, është thelbi.