Lënda me amiant kancerogjen në Vlorë, hetuesit sekuestrojnë leshin e xhamit/ SPAK bllokon materialin e dyshimtë. Gjenden edhe fuqi vaji të firmës italiane të naftës ENI. Eksperti: Leshi i xhamit hyn në vendin tonë që në vitet ’60-të. Edhe sot përdoret klandestin në ndërtime.
Nga Nikoleta Kovaçi
“Para pak kohësh kemi kryer remontin e plotë të anijes dhe për këtë kemi hequr dhe materialin xham leshi, që anija e ka për izolimin e ujit”. Ky është argumenti që kanë përdorur të arrestuarit e prokurorisë për çështjen më të përfolur të 48 orëve të fundit në vendin tonë, kur një anije solli në bregun e Vlorës materiale të dyshimta kancerogjene.
Operacioni u zhvillua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës, ndërkohë që mësohet se ka qenë Italia që ka dhënë sinjalin e parë në lidhje me këtë trafik! SPAK me anë të hetuesve të vet dhe të ekspertëve anti-trafik ka mundur të hedhë dritë mbi gjithçka mbanin fuqitë e sekuestruara dhe një furgon brenda të cilit pretendohet se ka patur lëndë të rrezikshme kancerogjene. Sipas prokurorisë lënda mësohet se është transportuar nga porti i Brindizit në drejtim të Vlorës dhe se vendin tonë këto materiale, me përbërje amianti, dyshohet se groposeshin!
Ndonëse hetimet vijojnë dhe prokuroria ka siguruar edhe dëshminë e parë të 6 personave të arrestuar për këtë akt që sipas tyre është komprometues që i lë të dyshuar për trafik të mbetjeve të rrezikshme, bëhet me dije se do të kërkohen verifikime edhe në Itali. Por përgjatë ditës së djeshme gazeta ‘Fjala’ ka kontaktuar ekspertë të mjedisit të cilët hedhin dritë mbi llojin e rrezikshmërisë që sjell leshi i xhamit i cili përdoret jo sot por prej 90 vitesh në vendin tonë. Sipas të dhënave që vijnë nga këta ekspertë bëhet me dije se ky material është më i lirë dhe më i lehtë në përdorim në ndërtim dhe se bëhet i rrezikshëm pasi nis degradimi i tij. Atëherë aty ku gjendet dhe është i vendosur është një burim i vazhdueshëm dhe i përhershëm sëmundjeje!
Operacioni
Policia e Shtetit dhe Prokuroria në të njëjtin reagim mbrëmjen e së enjtes bënë me dije se kanë shkatërruar një rrjet të trafikut të mbetjeve toksike dhe të lëndës kancerogjene amiant. Madje u tha se është zbuluar nga policia e Vlorës dhe se qëllimi i këtij trafiku ishte sjellja e këtyre mbetjeve të rrezikshme nga Italia dhe groposja e tyre në qytetin e Vlorës. Në pranga ranë 6 persona nga Vlora mes të cilëve një grua 55-vjeçare.
Skema u zbulua me bllokimin në portin e Vlorës brenda një trageti të ardhur nga Brindisi ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, të ndaluara me ligj në Shqipëri, mes të cilave edhe amianti, fibra natyrale, ndër shkaktarët kryesore të sëmundjeve kancerogjene. Me marrjen e informacioneve në rrugë operative, policia arriti që ta bllokojë këtë sasi pa lejuar që amianti të nxirrej nga trageti i mbërritur në postin e qytetit bregdetar. Por burime konfidenciale nga policia, thanë se kjo nuk ishte rruga e parë e këtij rrjeti kriminal. Referuar të dhënave policore bëhet me dije se dyshohet që ky grup kriminal ka kryer transportin e të paktën 15 ngarkesave që sipas policisë janë sjellë në Vlorë.
Sipas policisë në total janë sekuestruar 40 metër kub lesh xhami, ku për të provuar nëse kemi të bëjmë me material të rrezikshëm shëndeti, janë marrë mostra me qëllim analizimin e lëndës në laborator. Ndërsa për sa i përket mbi 10 fuqive të sekuestruara brenda në traget, me nënshkrimin e kompanisë së njohur ENI, të arrestuarit kanë pohuar se ato nuk përmbajnë asnjë material të rrezikshëm, por janë të mbushura me vaj që shërben për motorët e tragetit. Edhe nga këto fuqi janë marrë mostra përkatëse për të kuptuar se çfarë lënde mbajnë brenda, pasi në fakt këto i përkasin kompanisë që pak kohë më parë hyri në vendin tonë me bujë të madhe dhe iu besua shfrytëzimi i parkut të Dumresë për kërkime nafte!
Prokuroria thotë se është e vërtetuar fuqitë e sekuestruara nuk kanë asnjë dokument shoqërues nga pala italiane dhe se nuk shoqërohen me fatura blerjeje dhe dokumentacion ligjor të autoriteteve doganore në Brindizi. Ditën e hënë pritet që të arrestuarit e kësaj çështje të dalin para gjykatës së Vlorës, për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë së Vlorës!
Reagimi i italianëve
Pas bllokimit të tragetit të linjës Brindizi-Vlorë, në të cilin thuhet se kishte një ngarkesë me mbetje të rrezikshme që do të futeshin në vendin tonë, vjen një reagim nga drejtuesit italianë të këtij mjeti lundrimi. Përmes një deklarate për mediet është bërë e ditur se anija ‘Sant Damian’ dorëzon mbetje në firmat e autorizuara, siç ishte dhe rasti i firmës “Delfini” në Vlorë. Sipas tyre, firma shqiptare është e licensuar nga autoritetet.
Ata theksuan se: “Si të gjitha anijet e tjera edhe Santa Damina dorëzon mbetjet firmave të specializuar dhe të autorizuara nga autoritete të ndryshme lokale. Firma ‘Delfini’ e autorizuar nga porti i Vlorës dhe autoritetet shqiptare është e licencuar për këto trajtime dhe ka një kontratë të rregull me tragetin ‘San Damian’. Ashtu sikurse vepron edhe anija ‘Prince’ dhe shumë anije të tjera që ankorohen në Portin e Vlorës. Ashtu sikurse edhe ‘Petrolifera’ dorëzon mbetjet për përpunim. Firma Delfini sapo dorëzon mbetjet i jep anijes edhe një kopje të dokumentit ku ka të shënuar sasinë e mbetjeve të dorëzuara. Dokumentit i bashkëngjitet një tjetër dokument, i cili vlen për kontrollin e të gjitha kapitanerive të botës.
Eksperti i Mjedisit, Ahmet Mehmeti/
“Amianti ka hyrë në Shqipëri që në vitet `60-të!”
Në lidhje me operacionin e zhvilluar në Vlorë ku edhe është goditur një grup kriminal për trafik lëndësh të rrezikshme kancerogjene ka reaguar për gazetën “Fjala” eksperti i njohur i problemeve mjedisore i cili ka hedhur dritë jo vetëm mbi rrezikshmërinë e kësaj lënde po edhe mbi faktin se përse hyjnë në vendin tonë dhe sa kohë ka që përdoren. Ahmet Mehmeti shprehte mjaft i shqetësuar për këtë fakt ndërkohë që lëshon alarmin e fortë të ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse pasi lënda e rrezikshme përdoret për ndërtim dhe është një lëndë që pasi degradon ajo kthehet në burim të përhershëm sëmundjeje për këdo që e ka afër!
“Amianti që përbëhet nga fije shumë të holla kur hyn në mushkëri shkakton sëmundje kanceroze. Ai si i tillë ose në përbërje të materialeve që prodhohen prej tij kur shpërbëhen përhapet nga era dhe ndot mjedisin. Me ligj është i ndaluar të përdoret. Në të kaluarën është përdorur për mbulim barakash në kantieret e ndërtimit të hekurudhave me aksione por edhe si izolues në ndërtime siç përdoret aktualisht në mënyrë klandestine.
Është një material material i rrezikshëm kancerogjen. Sigurisht se përdorimi i tij ka një sërë përfitimesh, pasi është më i lirë, më i manovrueshëm dhe edhe më i lehtë, por fatkeqësisht edhe shumë i rrezikshëm! Ky lesh xhami ka hyrë në vendin tonë që në vitet gjashtëdhjetë më shumicë sepse ishte shumë i manovrueshëm për ndërtime të shpejta me kosto minimale dhe pamje estetike në përshtatje me kërkesat e asaj kohe. Përdorej edhe për mbulese edhe për mure barakash, kudo, në një kohe fare te shkurtër. Por ajo që konstatohet në këtë material është fakti se ka një kohë të caktuar funksioni dhe më pas ai degradon. Në kushte të zakonshme zgjat deri 10 vjet pastaj kthehet në fatkeqësi, pa fund, nëse nuk ndërhyhet për ta larguar!”
Të arrestuarit
Kujtim Novrus Xhafellari, i datëlindjes 03.11.1955, banues në Vlorë, (zëvendës kapiten i tragetit S.T.DAMIAN)
Arbër Romeo Çuni, i datëlindjes 06.09.1992, banues në Vlorë (shoferi i fugonit tip Iveko, me targë AA 417 SC)
Festim Mahmut Tafa, i datëlindjes 30.09.1948, banues në Tiranë, (kapiteni i tragetit S.T.DAMIAN.
Elisabeta Vasil Çuni, e datëlindjes 02.02.1965, banuese në Vlorë (administratore e firmës së pastrimit “Delfini 1”.
Zamir Flamur Kornuzi, i datëlindjes 21.07.1974, banues në Vlorë (pronari i pikës së grumbullimit firma “Kornuzi”)
A . B. i datëlindjes 15.06.1972, banues në Vlorë (drejtori operativ i agjencisë Euroferries”