Mjeku i njohur kardiokirurg Edvin Prifti do të mund të ushtrojë profesionin e tij sërish 1 vit e 3 muaj pas pezullimit.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme, e cila ka vendosur rrëzimin e masës së “pezullimit nga detyra”.
Emri i Priftit doli në përgjimet e SPAK teksa po hetonte një rast korrupsioni në Gjykatën e Krujës, ku në pranga përfundoi ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha e prej asaj kohe, kardiologu po vijon një përballje të ashpër me drejtësinë.
Mjeku i specializuar në disa universitete të Perëndimit në fushën e tij dhe me një eksperiencë disa-vjeçare u pezullua për të dytën herë, pasi një çështje të re hetimore të çelur ndaj tij, ku u akuzua nga një qytetar se i kishte marrë një shumë parash për operacionin e nënës.
Dyshimet ishin se mjeku e kishte marrë valvulën në spitalin shtetëror dhe ia kishte vënë pacientes, por nga verifikimet e kryera në QSUT, ka rezultuar se nuk mungonte një e tillë dhe për rrjedhojë thanë avokatët pretendimi i prokurorisë ka rënë.
Megjithatë, gjykata nuk u tërhoq, duke e lënë në fuqi masën e pezullimit për mjekun deri në muajin gusht.