Kombëtarja Shqiptare e futbollit në shtator do të luaj dy sfida mjaft të rëndësishme në Nations League. Fillimisht me 24 shtator, kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren në transfertën e vështirë përballë Izraelit dhe menjëherë më pas me 27 shtator, kombëtarja rikthehet në Air Albania në sfidën përballë Islandës.
Shqipëria në dy ndeshjet e para në grup ka marrë vetëm një pikë dhe në shtator do të tentoj gjithçka për të arritur vendin e parë pasi shpresat ekzistojnë ende për kuqezinjtë.
Megjithatë, një lajm aspak pozitiv ka ardhur nga Italia, pasi Marash Kumbulla pësoi një tërheqje në kofshë në përballjen kundër Monzës. Për 22-vjeçarin ishte hera e parë që e niste si titullar këtë sezon me Romën, por u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 28-të.
Mbetet për t’u parë nëse qendërmbrojtësi kuqezi rrezikon grumbullimin për ndeshjet e shtatorit të kombëtares, ndërsa mbrojtja kuqezi në prag të sfidave të shtatorit është në emergjencë totale pasi më parë është dëmtuar edhe Berat Gjimshit dhe Kastriot Dermarku.
Trajneri Edoardo Reja, do të përballet me një problem shumë të madh, pasi në qendër të mbrojtes në dispozicion ka vetëm Ardian Ismajlin ndërsa Veseli ende nuk ka luajtur asnjë minutë me Beneventon në sezonin e ri që ka nisur.